Champions League fillon të futet në një fazë interesante pasi sot luhen ndeshjet e dyta në grupet E,F,G dhe H. Në 18:55 e nisin Manchester City dhe Juventusi. City e humbi 2-1 ndeshjen e parë ndaj Lyon dhe sot ndaj Hoffenheim djemtë e Guardiolës do të kërkojnë patjetër fitoren për të evituar një tjetër surprizë. Ekipi vjen nga një moment i mirë që po kalon në kampionat ndërsa në stërvitje është kthyer edhe Kevin De Bruyne. Në konferencë Pep Guardiola deklaron: ”Ndoshta do ta kemi pak më të vështirë jetën në këtë kompeticion. Ne kemi edhe 5 finale për ta kaluar fazën e grupeve dhe sot është e para”.
Në ndeshjen tjetër të grupit F Lyon kryesues pret Shakhtar Donetsk. Juventusi pasi mposhti 2-0 Valencian në ndeshjen e parë pret në Torino Young Boys pa Cristiano Ronaldon që është i pezulluar. Chiellini dhe Cancelo janë lënë pushim por trajneri Allegri nuk do justifikime ai kërkon vetëm fitore ndaj kampionëve të Zvicrës.
Po në grupin H Manchester United pret Valencian në një moment tepër delikat mbi të gjitha për fatin e trajnerit Mourinho. Gjithsesi në Champions United i ka tre pikë.
Bayern Mynih po kalon një mini krizë në kampionat por në Champions është tjetër muzikë. Bavarezët kanë tre pikë në grupin E pas fitores me Benficën dhe sot presin Ajax në “Allianz Arena”.
Rikthehet edhe Robben ndërsa trajneri Niko Kovac premton reagimin e skuadrës së tij.” Skuadra më ka dhënë përshtypjen se do të reagojë dhe bëhet fjalë vetëm për detaje të vogla” deklaroi Niko Kovac. Ndeshja tjetër e grupit është AEK i Athinës- Benfica.
Real Madrid është në Moskë pa 4 titullarë. Ndaj CSKA Moskës Lopetegui do të bëjë pa Marcelo, Sergio Ramos, Bale dhe Isco. Skuadra nuk po kalon një moment të mirë në kampionat por shkëlqeu në ndeshjen e parë në Champions kur mundi 3-0 Romën.Ndaj vendasve të CSKA në Luzhniki Reali e ka detyrim fitoren. Roma do të këkrojë pikët e para në ndeshjen ndaj Viktoria Plzen në duelin e vlefshëm për grupin G.