Izrealitët kanë një proverb, “atë që se ndëshkon, gjithë jetën të mundon”. Partitë politike në Shqipëri, kanë 30 e ca vjet, që shkojnë dhe vijnë në fushata elektorale me premtime të bujshme (jo më për drita dhe ujë) për “luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, luftë pa kompromis ndaj atyre që kanë vjedhur dhe pasuruar me para taksapaguesish”etj….Kryetarë partish kemi dëgjuar të thonë dhe përbetohen se “do të burgos klanin e Zemunit, do të arrestoj kryeministra dhe ministra”, kuptohet para se të marrin pushtetin. Por ka ndodhur gjithmonë e zakonshmja. Kush ka ardhur në pushtet, “ka harruar” premtimet e fushatës, “ka harruar” vjedhet e ministrave dhe kryeministrave paraardhës”, dhe ka mbyllur gjithçka me gjoja “beteja të tjera më të rëndësishme”.
Kjo ka ndodhur me Sali Berishën qysh nga 1992, kur arrestoi dhe dënoi për “shpërdorim kafesh” pothuajse gjithë byronë politike të PPSH. Kjo ndodhi sërish edhe kur Fatos Nano mori pushtetin në 1998 tek deklaronte se “do tu merren milionat atyre që krijuan dhe toleruan piramidat dhe do t’ju kthehen qytetarëve”. Asgjë nuk ndodhi. Asnjë nuk u arrestua dhe nuk u dënua, veç ndonjë kapterri, që hiqej si pronari i tyre në terren. Me këtë moto dhe premtim erdhi sërish Berisha në pushtet në 2005. Të gjithë e mbajmë mënd Parlamentin e atyre viteve, kur “lideri historik” akuzonte Nanon, Dukën, Angjelin, Malajn, e gjithë ish-ministrat e atij kabineti qeveritar, se “jam betue para shqiptarëve se, do t’ju nxjerr ujin e zi sapo të marr pushtetin”.
Dhe erdhi në pushtet, por asgjë nuk bëri. Dukej sikur ishte krijuar aleanca e pushtetarëve. Dhe ishte e vërtetë. Por ç’ndodhi më pas. Partia Socialiste në fakt, e kreu me sukses misionin e saj sa ishte në opozitë. Bëri një betejë të madhe me qeverisjen më të korruptuar të vendit, me ish-kryeministrin dhe ish-ministrat e tij, që sot edhe pse janë të pavotuar nga shqiptarët, kërkojnë sërish pushtetin. Edi Rama, nuk mund të bëhej prokuror dhe gjyqtar, as polic dhe hetues, por duhej ti kishte mëshuar më shumë edhe plotësimit të premtimeve, lidhur me denoncimin, kallëzimin dhe penalizimin e ish-qeveritarëve (sot milionerë) të Partisë Demokratike.
Ata sot janë të lirë si ajri, ata sot gëzojnë pronat dhe milionat e siguruara nga pushteti 8 vjeçar 2005-2013, ata sot luajnë mbi pasuri të paligjshme, dhe tallen me shqiptarët në selinë e partisë apo Parlament. Si mund të ndodhë kjo, si mund të lihen në “harresë” bëmat, vjedhja dhe shkatërrimi vendit dhe jetës së shqiptarëve, nga një lukuni qeveritare, siç ishte ajo e Partisë Demokratike nga 2005 deri 2013, dhe të heshtet ? Memorja e shqiptarëve, është më e fortë se ndikimi i çdo premtimi elektoral.
Ata që bënë masakër me pronat, me pasuritë, me detin, lumenjtë dhe liqenet e vendit, ata që bënë kuksianin pronar tokash në Vlorë dhe Sarandë, apo ata që tjetërsuan trojet e ish-pronarëve me emra të rremë, ata që vranë në Gërdec dhe bulevard njerëz të pafajshëm duke përdorur pushtetin dhe kërbaçin, nuk mund ti shpëtojnë përjetësisht ndëshkimit ligjor. “Ndëshko të ecësh përpara”, thotë latini, (ama ndëshkim me ligj, jo me demagogji) ndryshe ndodh ashtu siç ka ndodhur, dhe po vazhdon të ndodhë tek ne. Humbja e besimit, mbetet më e fuqishme se humbja e pushtetit në politikë, askush të mos e harrojë.