Ursula von der Leyen

3.3 mld € Ballkanit kundër COVID-it, Presidentja e KE: Krizën e kapërcejmë bashkë! Várhelyi: Po bëjmë plan investimesh

29 Prill 2020, 19:22| Përditesimi: 29 Prill 2020, 21:09

  • Share

Komisioni Europian ka prezantuar sot paketën e ndihmës 3.3 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor dhe vendet partnere për të përballuar situatën e shkaktuar nga COVID-19. Nga kjo paketë Shqipëria do të përfitojë një kredi 180 mln euro me kushte shumë të favorshme.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen , tha: "Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në këtë pandemi partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, pasi e ardhmja e tyre qëndron qartë në Bashkimin Evropian. BE po mobilizon një paketë të konsiderueshme financiare, duke konfirmuar solidaritetin e fortë. Së bashku do ta kapërcejmë këtë krizë dhe do të shërohemi. Dhe përtej kësaj, ne do të vazhdojmë të mbështesim rajonin, përfshirë reformat e nevojshme në rrugën e tyre në BE, pasi rimëkëmbja do të funksionojë në mënyrë efektive vetëm nëse vendet vazhdojnë të kryejnë angazhimet e tyre" tha ajo.

Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Olivér Várhelyi theksoi se po përgatit edhe një plan ekonomik investimesh për rajonin. "Bashkimi Evropian veproi shpejt dhe gjithëpërfshirës për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në adresimin e pandemisë COVID-19, me ndihmë të pashembullt financiare. Dhe puna jonë do të vazhdojë ndërsa përgatisim një Plan Ekonomik dhe Investimesh për rajonin, për të trajtuar ndikimin e vështirë socio-ekonomik të krizës, për të modernizuar ekonomitë në rajon, për të mbështetur reformat dhe për të filluar mbylljen e hendekut, duke sjellë kështu përfitime konkrete për njerëzit më shpejt" tha ai. Në datë 6 maj do të zhvillohet samiti online i Zagrebit. 

Vendet që përfitojnë kredi dhe shuma;
Shqipëria 180 milion €
Bosnja 250 milion €
Gjeorgjia 150 milion €,
Jordania 200 milion €
Kosova 100 milion €
Moldavia 100 milion €
Mali i Zi 60 milion €
Maqedonia 160 milion €
Tunizia € 600 milion
Ukraina 1.2 miliardë €

Theksojmë se BE-ja i dhuroi 50 milionë euro grante Shqipërisë për përballimin e situatës nga Covid-19, 4 milionë janë për pajisjet mjekësore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?