Berisha dhe Basha

Ndryshim lidershipi në PD?

1 Qershor 2018, 12:50| Përditesimi: 1 Qershor 2018, 12:57

  • Share

Analizat mbi politikën shqiptare të 27 vjetëve të fundit, në mënyrë eksplicite ose implicite, janë bazuar zakonisht në paradigmën e përballjes mes të djathtës e të majtës. Burimi i lindjes së kësaj paradigme, nuk është ideologjik; ai është thjesht historik.

Në qoftë se lexohet me vëmendje programi i parë i PD-së, vihen re në të jo pak elementë ideologjikë të majtë ("shpërndarja e tokës atyre që e punojnë" është shembulli më i spikatur). Sidoqoftë, PD-ja u quajt gjerësisht parti e djathtë, kryesisht për faktin se iu kundërvu partisë komuniste 50-vjeçare, dhe se u përkrah masivisht nga shtresa e të përndjekurve dhe të shpronësuarve nga ajo parti-shtet.

Kur PD-ja erdhi për herë të parë në pushtet, jo vetëm që u përkrah masivisht nga dy shtresat e mësipërme, por në poste të larta shtetërore ose partiake u vunë ish-të burgosur ose ish-të internuar politikisht, si Pjetër Arbnori, Tomorr Dosti, Ali Spahia, Leka Toto etj. Ndërkohë, qindra njerëz nga shtresa e të përndjekurve/shpronësuarve prej diktaturës komuniste, zunë poste të mesme shtetërore ose partiake.

Siç na tregon historiku i rezultateve të zgjedhjeve, përkrahja e shtresave ish-të persekutuara mbeti relativisht e fortë për PD-në deri në vitin 2009, pavarësisht se figurat e sipërcituara nuk ishin më në PD (për arsye natyrale ose politike). Në zgjedhjet e 2009-ës, PD-ja dhe partitë e vogla të djathta rreth saj  morën plot 740 mijë vota – rezultati më i lartë i koalicionit të djathtë qysh nga viti 1992 (zgjedhjet e 1996-ës e 1997-ës përjashtohen nga ky krahasim, sepse nuk mund të konsiderohen zgjedhje normale).

Rënia e kuotave të PD-së dhe shkaku i mundshëm i saj
Siç e ilustron qartazi grafiku shoqërues, duke filluar nga viti 2013, koalicioni i djathtë ka pësuar një rënie që nuk ka të ndalur. Vetëm 460 mijë vota të djathta u regjistruan në zgjedhjet e vjetshme. Ndërsa mesatarja e kuotave të djathta në vitin 2018 (regjistruar në sondazhet mujore që kam zhvilluar), pluskon diku te 500 mijë votat.

Po a ka ndodhur kjo rënie e votave të djathta si rrjedhojë e mospërkahjes ndaj PD-së, prej familjeve të persekutuara në kohën e diktaturës komuniste?

Nga një sondazh që zhvillova para tre vjetësh për fondacionin e djathtë gjerman, Konrad Adenauer, rezultoi se 30% e zgjedhësve shqiptarë me banim në Shqipëri, ishin nga familje që u persekutuan prej regjimit komunist për shkaqe politike ose pronësie (çereku i tyre ishin nga familje që kishin patur fillimisht raporte të mira me regjimin komunist, por më vonë u persekutuan prej tij). Duke e ekstrapoluar përqindjen e mësipërme, mund të thuhet se rreth 650 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri, i përkisnin kësaj shtrese (s'mund ta dimë se sa të tjerë jetojnë jashtë vendit).

Dhe sa prej këtyre zgjedhësve me banim në Shqipëri, votuan në 2013-ën për partitë që e mbajnë veten për të djathta?

Nga sondazhi i sipërcituar, rezultonte se gjysma e tyre, rreth 330 mijë, votuan për këto parti në zgjedhjet e para pesë vjetëve, rreth 120 mijë votuan për koalicionin e majtë, ndërsa  200 mijë nuk morën fare pjesë në votim (shihni tabelën 1).


Tabela me shifrat

Janë pikërisht mospjesëmarrësit ish-të persekutuar të 2013-ës (200 mijë), që mund të konsiderohen si zgjedhës të djathtë të zhgënjyer nga premtimet e pa mbajtura ndër vite, të partive që pretendojnë se janë të djathta.

Teorikisht, ky përbënte një rezervuar të mundshëm të votave për PD-në në zgjedhjet e vjetshme. Por rezultati i zgjedhjeve, sidomos në zonat urbane (ku jeton shumica dërrmuese e ish-të persekutuarve), tregoi se pati një korrelacion të fortë mes rënies së numrit të pjesëmarrësve dhe rënies së votave të djathta, në krahasim me zgjedhjet paraardhëse.  Gjë që shërben si indicie se, 200 mijë ish-të persekutuarve që nuk votuan për të djathtën para pesë vjetësh, u janë shtuar vjet edhe shumë të tjerë (ndoshta mund të jenë bërë tani mbi 300 mijë).

Që PD-ja të bëhet sërish një parti konkurruese për pushtet, duhet t'i bindë këta qindra mijëra ish-votues natyralë të saj, të rikthehen në kutitë e votimit. Dhe kjo nuk bëhet me një të kërkuar falje nga Lulzim Basha.

Kjo gjë mund të realizohet përmes ardhjes në krye të PD-së të figurave publike me prejardhje nga familje të persekutuara, disa prej të cilëve u lanë jashtë listave të kandidatëve për deputetë pikërisht nga Basha. Si për shembull, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Mark Marku, Tomorr Alizoti, Agron Gjekmarkaj, Kreshnik Alimerko, Astrit Bushati etj.

Jozefina Topalli në krye të PD-së?
Ndër figurat që ka mënjanuar Basha, Jozefina Topalli është më e spikatura. Duke qenë numri dy i PD-së në periudhën 1997-2013, ajo shikohej si pasardhësja e Berishës në krye të partisë. Bijë e një familje shkodrane me traditë (e persekutuar nga komunistët), e pa përfolur për korrupsion (ka marrë vetëm pronat që i takojnë familjes së saj, pa futur duart në xhepat tanë), konsekuente në qëndrimet politike (votoi kundër Theodhori Sollakut, kur PD-ja dhe PS-ja e votuan me konsensus për kryeprokuror), dhe me përkrahje në radhët e votuesve të djathtë, ajo mund të kishte qenë kandidatja më e përshtatshme për të zëvendësuar Berishën më 2013.

Por Berisha zgjodhi të përkrahte kandidaturën e Bashës. Gjë për të cilën duhet të jetë bërë pishman sot...
Sidoqoftë, ai ka ende kohë ta korrigjojë gabimin që bëri para 5 vjetësh. Meqenëse gëzon popullaritet në elektoratin e djathtë (në sondazhin tim më të fundit mbi figurat politike, Berisha ishte 13 pikë më lart se Basha), ai (dhe vetëm ai) e ka mundësinë të krijojë një furtunë në PD, e cila mund ta largojë Bashën dhe njerëzit e tij nga kryesia, duke i hapur rrugën Jozefinës dhe figurave të tjera, për të marrë drejtimin e PD-së.

Gjithashtu, një lëvizje e tillë mund të shërbejë si magnet për afrimin e intelektualëve të pakënaqur nga gjendja aktuale, siç u afruan dikur rreth PD-së në fillimin e viteve '90. Në këtë mënyrë, kjo parti mund të rimbështetet përsëri te katër shtyllat origjinale: ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët, intelektualët dhe rinia. Për ta rikthyer kështu koalicionin e saj në kuotën e 740 mijë votave...

Në qoftë se Berisha nuk shkakton furtunë në PD, Basha do të mbesë në krye të saj, për sa kohë  nuk i plas ndonjë skandal nga përtej oqeanit... Dhe ndërkohë, PD-ja do të vazhdojë të pluskojë rrotull kuotës modeste të 500 mijë votave... AFP

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?