Lulzim Basha

Politikë

Ndryshimet Kushtetuese, Basha: Të domosdoshme! Do pasohen nga një paketë e plotë që do të kufizojnë dhe garantojnë ndarjen e pushteteve

24 Tetor 2021, 17:16| Përditesimi: 24 Tetor 2021, 17:19

  • Share

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka konsideruar edhe njëherë ndryshimet Kushtetuese të propozuar nga PD si të domosdoshme për të rikthyer demokracinë në vend.

Me një postim në Facebook, ku ka publikuar një video të një deklarate të mëparshme të tij, Basha thotë se ndryshimet e propozuara janë vetëm hapi i parë që do të pasohet nga një paketë e plotë për të kufizuar dhe garantuar ndarjen e pushteteve.

"Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për t’u rikthyer te demokracia, te ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta dhe te ndarja e politikës nga krimi. Ky është vetëm hapi i parë, ai do të pasohet nga një paketë e plotë ndryshimesh kushtetuese që do të kufizojnë dhe garantojnë ndarjen e pushteteve për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt BE-së", thotë Basha.  

Kujtojmë se Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve. Ndryshimet fokusohen në zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut 2020, rikthimi i koalicioneve parazgjedhore dhe  rikthimi i komunave në ndarjen territoriale me funksionin e saj.

PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?