Ndryshimet në Kod, duhet të respektojnë iniciatorët e ndryshimeve kushtetuese

22 Shtator 2020, 20:19| Përditesimi: 22 Shtator 2020, 20:26

  • Share

Lulzim Basha po përpiqet të jetë sa më i paqartë se çfarë do bëjë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai ka dy probleme për të cilat shpreson ta ndihmojnë negociatat e zgjatura dhe debatet pa bukë.

Problemi i parë i tij është si t’i mbajë rrotull vetes aleatët, që të mos krijojnë lista më vete PD-së, duke ndarë elektoratin, dhe si të zvogëlojë shanset e partive të reja nga e djathta që do të hyjnë në zgjedhje, ku nënkuptohet Murrizi, Patozi, apo Hajdari.

Problemin e parë të tij, në dukje e zgjidh sistemi i listave teorikisht të hapura që propozon Partia Socialiste, i cili është një sistem shumë viskoz, që e ndryshon me vështirësi renditjen.

Deri këtu ai mund t’i mbajë me shpresa aleatët, që t’u thotë do jenë në zonë fituese. Por kjo ka një problem tjetër. Ata mund të krijojnë shumë reaksion brenda PD-së, dhe mund të motivojnë faktorë politik në PD, që të marrin vota personale kundër tyre.

Kështu, ata mund të kthehen nga aleatë, në target sulmi brenda PD-së, duke shkatërruar praktikisht renditjen e partisë dhe duke nxitur ndoshta kandidatë potencial të PD-së, të shkojnë të kandidojnë me parti të tjera.

Problemin e dytë, atë të partive të reja opozitare, ai shpreson ta zgjidhë me pragun kombëtar 3 për qind, i cili natyrisht i shkatërron ato.

Por këtu Partia Socialiste duhet të zgjedhë, nëse ndryshimet kushtetuese që i bëri me opozitën parlamentare, i bëri për t’i ndihmuar ata, apo për t’i shkatërruar për interes të Bashës. Dhe ky pastaj është një debat i madh moral, por dhe me pasoja politike për besueshmërinë e procesit.

Ideal për Bashën është Kodi aktual, dhe këtë e tha dhe sot Bylykbashi, por ai ka vdekur tashmë.

Ndaj Basha tani ka prioritet të shtyjë sa të mundë debatin mbi Kodin, duke thirrur ODIHR dhe duke gjetur arsye të tjera, pasi kjo i jep shans vonesave dhe humbjes së kohës, dhe lë në fuqi Kodin aktual.

Nga ana tjetër, ai e ka të nevojshme të jetë sa më i paqartë për qëndrimin e tij ndaj formulës së listave të hapura, me qëllim që të shmangë efektin e LSI-së brenda listës së PD, nëse ndodh koalicioni i madh opozitar.

Kjo ka bërë që LSI të shfaqet tashmë si dashnore e listave të hapura, biles t’i kthehet dhe kërkesave të saj prej vitit 2017 për këtë çështje. Dhe këtu e ka të sinqertë, pasi tipi i deputetit të LSI është i tillë që bazohet mbi motivimin e atyre që marrin më shumë vota, pasi nuk janë parti ideologjike, por pragmatiste.

Ky proces duhet të mbyllet shpejt dhe PS duhet ta mbyllë këtë proces me ata që e ka nisur, me opozitën parlamentare. Me Partinë Demokratike, PS nënshkroi marrëveshjen e 5 qershorit dhe asaj po i qëndron.

Tani nuk duhet të humbasë kohë me luhatjet e Bashës për të marrë vendime për reflektimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve Kushtetuese.

Në këtë vendim PS duhet të ruajë qëllimin për të cilën nisën këto ndryshime dhe duhet të respektojë ata që ishin iniciatorë të këtyre ndryshimeve, që ishin grupi i opozitës parlamentare.

PS nuk ka pse pret në besë opozitën parlamentare, pasi kjo gjë rrit dyshimet dhe humbet besueshmërinë e gjithë këtij procesi.

Mbi të gjitha, nuk ka pse pyet Bashën për këtë gjë, se kjo nuk është një marrëveshje me Bashën. Ndryshe do humbasë dhe kohë, dhe besueshmëri të procesit.

Pikërisht atë që do Basha.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?