Karafil Pupe, 56-vjeç, ra në kontakt me energjinë elektrike në një shtyllë të tensionit të lartë në Nepravishtë dhe humbi jetën. Ramazan Dika, 50 vjeç, sapo kishte nisur punën në kantierin e ndërtimit në një gropë pallati në Tiranë, kur i rrëshqiti këmba dhe përfundoi me dëme të rënda fizike. Këto janë vetëm dy prej 138 rasteve të aksidenteve në vendin e punës nga janari deri në shtator.
Nëntë muajt e parë të vitit 2021 po mbyllen me një bilanc prej 25 të vdekurish për shkak të aksidenteve në punë. Pjesa më e madhe e fataliteteve janë në disa sektor që nivelin e rriskut e kanë më të lartë, mes tyre ndërtimi, minierat, apo sektori i energjisë. Kreu i Inspektoriatit të Punës, Ardit Kaja, thotë për Report Tv se është ulur numri i humbjeve të jetëve në kantieret e ndërtimit.
“Kemi 138 aksidente të raportuara në inspektoriat, nga këta dhjetë aksidente nuk janë për shkak të marrëdhënieve të punës. Kemi 111 të aksidentuar dhe janë 25 veta me pasojë fatale, humbje jete. Për aksidentet me pasojë vdekjen janë kryesisht subjektet që merren me shitjen dhe prodhimin e energjisë elektrike, pa pas masë të madhe dhe numër të madh. Kemi pasur në minierë, në fushën e ndërtimit dhe po ashtu edhe tek aksidentet rrugore. Tek ndërtimi, në këto muaj të 2021 janë tre fatalitete, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë që kanë qenë dhjetë”.
Jo të gjitha subjektet mund të kontrollohen një e nga një. Inspektoriati i Punës vepron përmes analizës së rriskut. Në këtë mënyrë vihen në prioritet subjektet me mundësinë më të lartë për dëmtime në punë, të cilat pas kontrolleve, nëse nuk rezultojnë sipas rregullave, penalizohen.
“Analiza e rriskut i jep prioritet subjekteve që kanë rriskun më të lartë për të ndodhur aksidentet, siç janë kantieret e ndërtimit, siç janë minierat, shërbimi delivery. I klasifikojmë dhe i lëmë në prioritet për inspektime nga inspektorët, lëmë detyra konkrete dhe vihen penalitete. Më pas penalitetet variojnë”.
Shqetësim mbeten edhe disa sektorë që janë në zhvillim, tek të cilët është parë shtim i madh i aksidenteve në punë.
“Aksidentet pa pasojë fatale janë subjektet prodhuese dhe për shkak të situatës së Covid-19 kemi pasur edhe rritje të madhe të fluksit dhe shërbimit “delivery” dhe kjo ka krijuar një numër më të madh të aksidenteve, por jo me pasoja fatale”.
Një pjesë e punonjësve që ushtrojnë detyrën e tyre në sektorin e ndërtimit punojnë pa masa mbrojtëse. E gjithsesi, synimi i Inspektoritit të Punës është edukimi i kompanive kontraktore, të cilat të shtrijnë ndikimin e respektimit të rregullave nga punëtorët. Në ndërtim, kaska në kokë, dorezat, këpucët speciale dhe veshja kanë rëndësi jetike për garantimin e sigurisë.