TIRANË- Seanca e radhës në gjykatën e posaçme ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri filloi me një protestë para ambienteve të gjykatës. Organizatori Bledar Çakalli e identifikoi veten si aktivist.
“Jam këtu sepse kanë rënë dy dëshmorë, të cilët nuk duhet të harrohen”, tha ai.
Një banderolë e madhe, e krahasonte Belerin me Milan Radoiçiçin, serbin e akuzuar si organizatori i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë së Kosovës.
Pas fillimit të seancës, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore, duke e cilësuar kërkesën si të pabazuar në ligj. Por ky vendim i gjykatës, solli një tjetër pretendim nga avokatët e Belerit për përjashtimin e trupës gjykuese. Fillimisht ata kërkuan largimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe me pas largimin e të gjithë trupës gjykuese.
Ata paraqiten si argument vendimin e gjykatës i cili sipas tyre u shpreh edhe për papërdorshmerine e provave në një kohë që ata kishin kërkuar vetëm pavlefshmërinë e tyre. Kjo kërkesë e mbrojtësve, do të shqyrtohet nga një trupe tjetër ndërkohë që gjykata hapi procesin ku prokurorja e çështjes lexoi kërkesën për gjykim përfshirë edhe dëshmitarët dhe provat që do të shqyrtohen në këtë proces.
Më herët një tjetër gjyqtare, Etleva Deda, u largua nga kjo çështje me kërkesë të avokatëve pasi kishte refuzuar një nga kërkesat e Belerit për lirim, pas arrestimit të tij më 12 maj me akuzën e blerjes së votave.
Banderola
Ka përfunduar seanca për gjyqin ndaj Fredi Belerit. Avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës kanë kërkuar që të merren në pyetje 13 dëshmitarë, ndërsa nga ana tjetër SPAK ka kërkuar 8 dëshmitarë. Seanca e radhës për Belerin dhe Pandeli Kokaveshin do të mbahet më 7 nëntor.