Albert Veliu (Babalja)

Në dorë të Babales!

24 Maj 2018, 20:35| Përditesimi: 24 Maj 2018, 20:37

  • Share

Prokuroria shqiptare më në fund ka njoftuar se ka dërguar për ekspertizë jashtë Shqipërisë kasetën audio “Made in Babale”, tek e cila PD ka mbështetur aksionin e saj opozitar. Ky është një nga zhvillimet më të rëndësishme, pasi për herë të parë mund të kemi një debat me finale, ku njëra palë do të dalë e humbur.

Kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër me përgjegjësi fallcitetin e kasetës, dhe ka deklaruar se nëse ajo do të dalë autentike, do të ketë pasoja politike.

Por Partia Demokratike, edhe pse e ka mbështetur gjithë aksionin politik mbi kasetën e Babales, nuk ka pranuar të mbajë përgjegjësi për të.

Në fillim, nga entuziasmi se ajo ishte një produkt original, doli dhe e paraqiti si vepër të vetën, por pak më vonë, të gjitha palët u distancuan nga kaseta, përfshi gazetarin dhe Babalen.

Ajo që është e dukshme, është se Babalja mund të ketë manipuluar dhe vetë porositësit e kasetës, kundrejt parave, dhe PD tani ka hyrë në një rrugë pa kthim, pasi për ta gjithçka vlen vetëm nëse Babalja nuk i ka gënjyer. Janë thjesht në dorë të Babales.

Nëse qeveria dhe kryeministri thonë se, “nëse kaseta është origjinale, ne do të reagojmë ndaj ministrit”, PD nuk guxon më të thotë asgjë për sigurinë e kasetës, por i duhet ajo deri më 26 maj, me shpresë se Babalja do të mbledhë njerëz në shesh.

Pra sot jemi në situatën që tek Babalja shpreson më shumë PS, se sa PD. Dhe kjo do të jetë e para betejë me mjete parapolitike, që do të ketë  një përfundim dhe një çmim për ata që e sajuan.

Dhe në këtë betejë, për herë të parë kemi një palë që thotë jam gati të marr përgjegjësinë nëse akuza është e vërtetë, dhe një palë që akuzon dhe që nuk mban përgjegjësi për faktet me të cilat akuzon, dhe mbi të gjitha, nuk di ç’të bëjë me “kalin e betejës së saj”. Ja kanë lënë ta ruajë Sali Lusha, siç ruajti Azem Hajdarin.

Aq konfuz është vetë Basha për fundin e kësaj historie, sa tani nuk di çfarë të bëjë as me fatin e Babales. Një herë del e thotë që Edi Rama kërkon ta vrasë, por ai po e ruan,  dhe një orë më vonë thotë duan ta blejnë, pasi i kanë ofruar 200 mijë euro. Kjo tregon se Basha nuk e ka ndarë mendjen, jo vetëm çfarë do bëjë me përfundimin e ekspertizës së kasetës, si fallco apo e vërtetë, por dhe me vetë Babalen. As për atë nuk e ka ndarë se si do ta shesi fundin, si “dëshmor”, apo si të shitur me para tek armiku.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?