Opinion

Ne duam vetëm të na presin, jo të presim

19 Gusht 2021, 12:07| Përditesimi: 19 Gusht 2021, 12:09

  • Share

Gati 30 vjet më parë, në Shqipëri, u kryen dy eksode të padëgjuara më parë. Ai me ambasadat, dhe ai nga portet detare, kryesisht nga ai i Durrësit. Vala e zemërimit dhe kriza ekonomike, i shtynë shqiptarët, që me mijëra ti dynden brigjeve italiane, greke, dhe më gjerë. Ambasadat e huaja strehuan dhe nisën drejt vendeve të tyre, mijëra të rinj, të reja, madje dhe moshën e tretë, që nuk ngurruan të largohen. Në fakt në Shqipëri, asokohe nuk kishte luftë, por rrënim, varfëri, humbje të shpresës. Italianët, grekët, gjermanët, francezët, turqit dhe gjithë Europa, na hapi dyert. Sipas nesh “ata ishin bujarë, zemërmirë, njerëz të qytetëruar, dhe meritonin respekt”. Dhe natyrisht ashtu është. Por ja që historia përsëritet në çdo vend. Sot është rradha jonë të presim, ashtu siç na kanë pritur dikur. Eshtë rradha jonë të tregohemi qoftë edhe përkohosisht, “bujarë, zemërmirë, të qytetëruar”, për ti treguar jo vetëm afganëve, por gjithë botës, se jemi humanë, besnikë, njerëzorë.

Të parët që u turrën kundër idesë dhe vendimit të kryeministrit Rama për ardhjen e përkohshme të afganëve, ishin habitshëm politikanë djathtistë, analistë, deputetë të opozitës, dhe deri ndonjë “kodosh” pushteti. E nisën me “nevojën e konsultimit të kryeministrit me faktorin politik e shoqëror”, dhe e vazhdojnë edhe sot me idenë “e njerzve me dolloma dhe çallma”. Dhe të mendosh se, ndonjëri prej “ankuesve”, dikur ka qenë edhe vetë emigrant (refugjat), ka qenë edhe vetë apo dhe familjarët e tij, në rolin e hallexhiut, njeriut që ka mbetur mes katër rrugëve, dhe priste me ankth ti hapej ndonjë derë diku larg, në vendin europian ku kishte përfunduar. Sot i kollarisur, i parfumuar, dhe dora i ka zënë ca para, ai ose ata, shfaqen “politikanë dhe analistë”, madje kompetentë edhe për politikën e jashtme. Prej 30 vitesh, shqiptarët nuk rreshtin së lëvizuri, së larguari dhe së ardhuri nga çdo vend i botës. Ikin, vijnë, punojnë, investojnë, dhe askush nuk u thotë “jeni mesjetarë, jeni me çallma, jeni muslimanë”, apo dhe idiotësi të tjera. Ne jemi mësuar vetëm “të na presin, vetëm të na japin, vetëm të na bëjnë ndere, vetëm të na mbushin barkun dhe xhepat”, por kur vjen rradha të presim dhe hapim dyert, ndryshojmë çehren, komunikimin, qëndrimin, sjelljen.

Ne jemi mësuar (një pjesë e jona) të fitojmë, dhe “qajmë” kur humbim, jemi mësuar të shohim deri te gardhi ynë, dhe jo përtej tij. Afganët janë njerëz, (nuk dua të flas fare për talebanët) kanë gjuhën dhe kulturën e tyre të lashtë, kanë doket dhe zakonet e tyre, kanë formimin e tyre, dhe treguan në këto dy dekada mbështetje të fuqishme për SHBA, si përfaqësuese e denjë e demokracisë në botë. Fajtore ndoshta atje, mbetet klasa politike afgane, por jo populli afgan, që po reagon ashpër ndaj një sundimi mesjetar që po i kanoset vendit dhe kombit të tyre. Ndaj është e nevojshme ti themi “bujrum” atyre fatzinjve, ti presim me “bukë, kripë dhe zemër” për sa kohë do të qëndrojnë në tokën tonë, dhe të ndalim përçmimet me fjalor krahinor, që nuk i shkojnë as kohës dhe as vendit ku jetojmë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?