Sali Berisha dhe Enver Hoxha

Opinion

Në emër të demokracisë, si ra një tjetër mit, pas Enver Hoxhës!

20 Maj 2021, 09:43| Përditesimi: 20 Maj 2021, 09:46

  • Share

Si është e mundur që nuk ishte ngritur publikisht deri tani asnjë akuzë nga organet ligj-zbatuese të Shqipërisë, por pikërisht përtej Atlantikut, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, papritur, sot kur pritej të dënohej “masakra e 25 prillit”, rrëzohet brenda pak sekondave një “mit” të cilin jo pak shqiptarë e kishin besuar verbërisht se iu solli tre dekada më parë pa e ditur dhe pa e kuptuar si një “dhuratë” fjalën “demokraci”.

Një “mit” të tillë e kishin besuar verbërisht ata që pretendonin se vetëm përmes udhëheqjes së tij legjendare vazhdojnë edhe sot “të luftojnë pa kompromis me komunizmin”, paradoksalisht gati ashtu siç luftonte dikur ish-udhëheqësi tjetër po aq legjendar për adhuruesit e tij, dhe më jetëgjatë politikisht se ai vetë pas Luftës së II Botërore, Enver Hoxha, kundër “imperializmin amerikan” dhe të gjithë armiqve që kishte bota, brenda dhe jashtë vendit. Ata e shihnin “mitin e demokracisë” si njeriun e vetëm që iu solli dhe iu siguroi lirinë, të gjitha të mirat e tjera materiale dhe shpirtërore, që u “shijuan” në këto 30 vite. Të gjithë të këqijat e tjera, përmes pretendimeve të “besimtarëve të devotshëm të demokracisë”, i përkisnin vetëm komunizmit dhe pasuesve të regjimit të kaluar.

Ata besonin njësoj, edhe kur Shtetet e Bashkuara përmes një projekti në një prej vendeve të tyre aleate si Shqipëria dhe me një përvojë gati të hidhur për të ngritur një shtet demokratik me forcat e veta, financuan me paratë e taksapaguesve të qytetarëve amerikanë Reformën në Drejtësi, duke e parë atë si shtyllën kryesore dhe shpëtimin e vetëm të funksionimit të demokracisë në vendin tonë. Dhe ata besonin vazhdimisht se paratë e taksapaguesve të SHBA-ve do të përfundonin njësoj si projekti i ndërtimit të bunkerëve të komunizmit, apo si ai “demon-kracisë” sonë, pra, pa një sistem drejtësie të besueshëm për publikun dhe të pranueshëm për ndërkombëtarët.

Besonin verbërisht se pavarësisht se në SHBA u ndërruan tre presidentë, Obama, Trump dhe Biden, të gjithë ambasadorët që erdhën gjatë administratës së tyre në Shqipëri, ishin blerë ose korruptuar njëri pas tjetrit nga kundërshtari politik i mitit të tyre, i asaj klase politike që përfaqësonte komunizmin në Shqipëri, e cila sulmohej me tezën e vjetër po aq sa edhe miti, se “ka pasur dhe ka qëllimin e vetëm të rrënojë  demokracinë dhe të rikthejë të kaluarën e errët”.

Në fakt, besimi i rremë mbi mitin e rremë, i çoi ata larg e më larg vendit më demokratik në botë, SHBA-ve, ndërtimit dhe funksionimit të demokracisë sonë dhe natyrisht edhe BE-së. Dhe ky besim i rremë i një pjese të madhe të elektoratit të PD-së në këto 30 vite shfajëson deri diku kreun aktual Lulzim Basha, për humbjet e forcës politike që ai drejton. Para zgjedhjeve, Yuri Kim i kishte kërkuar Bashës të distancohej nga e kaluara e PD-së. Me siguri, jo në emrin e saj personal!

Çuditërisht një kërkesë të ngjashme i bëri edhe Edi Rama, siç duket, më vonë, në ujdi dhe me përkrahjen e SHBA-ve, kryeministri e ftoi edhe për bashkëpunim, duke e ditur se ai do të ishte fituesi. Ndoshta Rama foli kur mori garanci prej tyre, siç i thanë për të vazhduar të qeverisë i vetëm në të gjitha bashkitë e vendit dhe pa kundërshtarë madje edhe pa zgjedhje, ashtu për të vazhduar projektin me “mandatin e tretë”, si ndoshta më e vogla pengesë politike në Shqipëri për zbatimin e “Reformës në Drejtësi”, që duket se është edhe ‘thembra e Akilit’ për amerikanët.

Pra besimi i verbër brenda një partie deri në krijimin e “kultit të individit” i cili bie ndesh me parimet themelore të demokracisë, aq sa shumë prej tyre “i kërkonin rikthimin për t’i rikthyer në pushtet” mori sot mësimin e parë, ashtu siç ishte mësimi që morën të gjithë ata që besuan verbërisht për 40 vjet se nuk bënin dot pa ‘udhëheqësin e tyre legjendar’.

Goditja e “mitit” nga Departamentit Amerikan i Shtetit erdhi në kohën që prej tyre u konsiderua si më e përshtatshme. Ajo ishte politike, por edhe me prapavijë ligjore, që duket se pas saj ka zbatimin e Reformës në Drejtësi. Vendimi ndoshta rastësor u raportua gjerësisht në media pak minuta pasi qarkulloi një lajm se një shpërthim i fuqishëm ishte dëgjuar në Tiranë, e kishin dëgjuar të gjithë qytetarët, por policia nuk ishte në dijeni, pasi nuk kishte dëgjuar asgjë. Dyshohej për një shpërthim të avionëve të trupave amerikanë që ndodhen në Shqipëri, në kuadër të NATO-s.

Gjithsesi, demokracia nuk njeh mite. Rrëzimi i “mitit të sotëm” duhet kuptuar që nuk është lajm i mirë për shumë për ata të cilët u pasuruan, përmes politikës, pavarësisht partisë që i përkasin, të majtë dhe të djathtë. Mesazhi në fund ishte i qartë: kush bashkëpunon me drejtësinë e re, do të ketë lehtësira siç ndodh zakonisht me të penduarit e drejtësisë. Ata që besonin verbërisht, çfarë reagimi do të mbajnë me “mitin” e tyre? E thjeshtë, ai ose do të harrohet, ose do të ndryshohet strategji, siç ndodhi me shumë prej atyre që vendosën të ndryshonin thjesht mitet në vitet ‘90.

Por për çfarë miti bëhej fjalë!

Mediat amerikane i kanë bërë jehonë vendimit të DASH, si më poshtë: Shtetet e Bashkuara sanksionuan sot ish-Kryeministrin shqiptar Sali Berisha, duke i ndaluar atij hyrjen në SHBA, pasi akuzohet prej saj për përfshirje në çështje të mëdha korrupsioni.

Sipas asaj që raporton Washington Post, citohet se “Berisha, 76 vjeç, shërbeu gjithashtu si president në vitet 1990, dhe aktualisht është deputet i Partisë Demokratike”. Ai “ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike”, tha sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, në një deklaratë. Berisha u akuzua gjithashtu nga DASH për “përdorim të pushtetit të tij për përfitime, për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij, në kurriz të besimit të publikut shqiptar, institucioneve qeveritare dhe zyrtarëve publikë”, tha Blinken.

Deklarata e zyrtarit të lartë të DASH shtoi në fund se “retorika e Berishës tregonte se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion dhe masave për të mbajtur përgjegjësi”.

Mes të tjerash, në një reagim të gjatë, Berisha  pranoi ndryshe nga ata që besojnë se politikanët tanë janë të pagabueshëm, se “duke mos pretenduar kurrë se unë jam i pagabueshëm, duhet t’ju garantoj se ndjehem krenar me të gjitha qëndrimet e mia”. Gjithsesi, duket qartë pas këtij qëndrimi se nga të gjithë aktorët ka nisur ose pritet të ketë një lloj reflektimi, për të bashkëpunuar me drejtësinë e re.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Enveri apo sala: 20/05/2021 15:31

    Lind pyetja kush ka qene me gjakatar mes ketyre te dyve?????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?