ITALI- Një nënë shqiptarë ka tronditur opinionin publik në Itali, pasi është shfaqur para një gjykate me fotografin e kufomës së djalit të saj të ndjerë, në formë proteste për të kërkuar drejtësi.
Lena Dodaj është nëna e Maringleno Dodaj, një punëtori që vdiq në punë në moshën 25 vjeç, më 18 nëntor 2011, pasi ra nga çatia e një kompanie në Narni Scalo. Mëngjesin e kësaj të marte ajo u shfaq para gjykatës së Ternit me një poster të madh ku ishin vendosur fotot e të riut, të zhveshur dhe pa jetë, në hollin e urgjencës së spitalit Santa Maria, ku ishte shtruar pas aksidentit në punë.
Këto foto gruas i ranë në dorë nga dosja e prokurorisë, ndërkohë që një hetim është hapur lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Megjithatë ende nuk është zbuluar se pse trupi i të riut ishte i zhveshur dhe i lënë në dyshemenë e hollit të spitalit ku pas aksidentit në punë u shtrua për të marrë ndihmë mjekësore.
‘’Ndihem e gënjyer! E shtrinë në dyshemenë e hollit të Urgjencës të spitalit Santa Maria’’ janë fjalët rrëqethëse të nënës shqiptare. ‘’Jam e tronditur! Djali m’u poshtërua edhe i vdekur’’ shtoi më pas gruaja.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të gruas shqiptare, hetimet që përfshijnë personelin shëndetësor tashmë janë arkivuar disa herë.
B.K./ReportTv.al"I bëj thirrje prokurorit të Perugia që të ndërhyjë në çështjen tmerruese" tha ajo, duke shpjeguar se është e gatshme të vazhdojë protestën e saj edhe para zyrave gjyqësore të Perugias.