Sali Berisha dhe Azem Hajdari

Në kërkim të heroit të munguar

12 Shtator 2022, 20:22| Përditesimi: 12 Shtator 2022, 20:36

  • Share

Popujt primitiv jetojnë me ankthin e mitit, legjendës, bestytnisë. Aty e gjejnë shpjegimin për botën, për veten, për gjërat që ndodhin. Tek kjo fushë shohin mungesat dhe synojnë të vetërealizohen. Jo më kot, heroi shqiptar, kryesisht pas vdekjes, mitizohet, legjendarizohet, futet në spiralet e trillit dhe të fiction dhe jeton, pas kalimit në botën e përtejme, me rregullat dhe ligjësitë e irealitetit dhe letraritetit.

Ky hero është konvencialisht i paprekshëm, për të nuk veprojnë ligjet dhe rregullat e botës së këtejme, tonës, së përditshmes. Nuk vlejnë për të analizat e ftohta, operimi dhe interpretimi në rrugë shkencore. Heroi ynë pas ikjes dhe, sidomos, pas kalimit të kohës, shndërrohet në i paprekshëm.

Për të s’mund të flasësh vetëm se në mënyrë ceremoniale; nuk mund ta analizosh si proces dhe si rrjedhojë e dinamikës së kohës, vendit dhe momentit; mbi të gjitha, larg qoftë, nuk mund t’i nxjerrësh në pah ndonjë anë të errët. Negative? As që bëhet fjalë. Ai mund të lexohet si një entitet statik, i ngurtë, i shkëputur nga hapësira dhe koha.

Heroi ynë është gjithmonë pozitiv. Për të vlejnë elementet interpretues dhe analizues të metodës së realizmit socialist. Ai është i mirë. Lufton kundër së keqes. Është shpëtimtar. Partishmëria? (Sipas rastit dhe nevojës, në varësi të kampeve politike, nëse flitet për të tillë heronj). 

Protagonsti ynë përballet gjithmonë me antagonistin. Ashtu si në legjenda apo në këngët e epikës sonë popullore. Shërben si varkë dhe thirret në ndihmë sa herë “e këtejma” kërkon të gjejë strehim dhe shpëtim tek “mungesa”, e cila, gjithsesi, “duhet shpikur, edhe nëse nuk ekziston”.

Lufta kundër së keqes është emëruesi i përbashkët i heroit shqiptar. Shpata dikur dhe koburja sot janë pasuritë më të mëdha dhe modelet e zgjidhjes së këtij heroi. Jo më kot, historiografia jonë zyrtare na tregon ne jemi popull që e kemi çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Rrjedhimisht, edhe heronjtë tanë nuk mund të shihen të shkëputur nga ky përfytyrim “shkencor” për këtë popull.

A nuk shtiu dy herë me revolver në mes të Parisit kundër “tradhëtisë” Avni Rustemi, një ndër modelet e shumtë të heroit zyrtar. Madje, shumë prej heronjve tanë modernë, rrugës për në botën e përtejme, iu janë gjetur si bashkudhëtar armë e kobure të ndryshme.

Për të mos përmendur këtu një dyzinë heronjësh si “yje të pashuar” të periudhës komuniste, ngase do të shihnim se si heroi do të na neveritej përballë syve tanë. E nëse flasim për heroin si model, cili është ky me të cilin duhet të prezantojmë fëmijët tanë?! Përballë heroit tipik shqiptar, të pushkës dhe kobures, unë do të zgjidhja heroin e mendjes, së intelektit, të urtësisë, të dijes dhe të shkencës. 

Heroi që i jep zgjidhje problemeve vetëm nëpërmjet rrugës së ligjit dhe që beson tek shteti i së drejtës. Ky duhet të jetë heroi ynë, i shkëputur nga heroikja dhe miti, që e jeton të përditshmen së bashku me ne, larg tisit dhe aureolës legjendare.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?