Rrëzimi i bustit të Hoxhës në vitin 1991

Në kohën e një errësire të madhe do të lindë dielli përsëri!

3 Prill 2023, 08:24| Përditesimi: 3 Prill 2023, 08:39

  • Share

Shqipëria e viteve '90, ishte e varfër e dilte nga një Regjim që ishte konsideruar më të egrit në Europë dhe më gjerë, por shqiptarët kishin shumë shpresa, ëndrra e mbi të gjitha ishin të uritur për liri e ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për ta fituar atë!

Ndryshimet e mëdha që po pësonte Shqipëria bashkë me ish "Bllokun e lindjes", kishte edhe shpresën për një të ardhme më të mirë, sepse për vite me radhë kishin prekur fundin e më keq nuk kishte si të ndodhte!

Përtej varfërisë ekstreme, shtypjes dhe tjetërsimit që kishin pësuar në Regjim, shqiptarët ishin më të fortë se kurrë, sepse kishin shpresën se ditë më të mira për ta do të vinin!

Komunizmi i kishte tjetërsuar si njerëz, i kishte bërë që të mos njihnin veten e tyre, të harronin të kaluarën e tyre e të shtireshin sikur jetonin në një realitet të mirë e shërbime cilësore, por në fakt ishin bosh e nuk kishin asgjë përveç shpirtit dhe shpresës për një të ardhme më të mirë!

Ishte pikërisht kjo shpresë që i bëri të ndjeheshin më të fortë se Regjimi e të ngriheshin duke u përballur me të duke e sfiduar edhe pse në llogari ishin të pabarabarta! Për shkak të asaj që kishin jetuar e pësuar me rrëzimin e atij Regjimi, shqiptarët mendonin, besonin e shpresonin se gjërat do të ndryshonin për gjithmonë! Ata shpresonin se do të kishte zgjedhje periodike e demokratike, që politikanët nuk do të qëndronin aty për vite me radhë dhe se mbi të gjitha pushteti do të ishte një shërbim ndaj tyre e jo një monopol për monoklaturën! Askush nga ata që kishin jetuar të robëruar nën Regjim e që ishin ngritur për liri e demokraci në fillim të viteve '90 nuk e kishin menduar e besuar se Shqipëria, sot do të kishte probleme edhe më të renda se ato që kishte pasur! Nëse gjatë Regjimit shqiptarët ishin privuar nga liria, sot kanë një liri të manipuluar e të komanduar nga politika, e cila si rubineti e hap kur të dojë dhe e mbyllë kur të dojë! Shqipëria sot ndodhet përballë një errësire të ngjashme me atë të Regjimit!

Shqipëria është i vetmi vend i bllokut të lindjes që akoma ka të njëjtët lider që kishte në vitet '90! Madje, tashmë i fundit që ra në llojin e tij ishte Presidenti i Malit të Zi që sapo humbi zgjedhjet presidenciale e ndërsa Shqipëria në zgjedhjet e 14 majit ka të njëjtat oferta politike që ka pasur në vitet' 90 e deri më sot! A thua sikur Shqipëria nuk kishte mundësitë për ofruar oferta të reja politike duke prodhuar lider të rinj?! A thua Shqipëria nuk ka prodhuar në këto 30 vite djem e vajza me cilësi më të mira për të ofruar modele të reja lidershipi?! Kur një politikan qëndron gjatë në pushtet e kërkon të vazhdojë përsëri, ai bëhet diktator, bëhet i korruptuar, bëhet pjesë e sistemeve të inkriminuara ose krijon e stimulon sisteme të tilla!

Zgjedhjet në demokraci nuk janë vetëm një ritual që qytetarët të shkojnë e të votojnë, por është një mekanizëm që ka për qëllim rotacionin, rinovimin e elitave dhe zëvendësimin e tyre! Fakti se në 30 vjet formalisht kemi bërë zgjedhje, por nuk kemi bërë as rotacion e as rinovim të elitave, do të thotë se Shqiptarët kanë qenë pjesë e një rituali për të votuar, por jo për të zgjedhur!

Zgjedhjet në këto 30 vite tranzicion kanë qenë një ritual, por që nuk kanë qenë të lira e nuk janë zhvilluar në një mjedis të lirë demokratik! Kjo klasë politike, jo vetëm e ka mbaruar misionin e saj real, por është kthyer në një sistem të frikshëm të korrptuarish, të inkriminuarish, që sferën publike e kanë kthyer në private e privaten e kanë dhunuar në emër të publikes!

Sot, shqiptarët thuajse nuk kanë më shpresë për të ardhmen dhe të tashmen e jetojnë në një absurditet e manipulim vlerash! Duket sikur situata në Shqipëri është bërë aq shumë mbytëse sa thuajse shqiptarët janë dorëzuar përballë këtij realiteti!

Në fakt është kështu, sepse pikërisht kur një sistem politikë apo thuajse një regjim mendon se i ka të gjitha, atëherë ai është drejt rënies të sigurt! Askush nuk mendonte se Regjimi do të binte, madje ky kishte ngritur shtatoren e diktatorit në Qendër të Tiranës, kishte ndërtuar piramidën të ngjashme me ato të faraonëve, por ja që ra e më shpejt sesa mund të mendohej!

Kështu edhe kjo politikë që mendohet se është më e fortë se kurrë dhe mendon se do të vazhdojë të jetë e paprekshme është drejt një rënie të sigurt! Këto zgjedhje të 14 Majit do të jenë zgjedhjet e fundit që kjo klasë politike do të marr pjesë me shpresën për tu rikonfirmuar dhe për të vazhduar jetëgjatësinë e saj!

Pas 14 Majit, errësira do të jetë drejt fundit dhe dielli i shpresës dhe lirisë do të lind! Vdekja e shpresës nuk është gjë tjetër veçse se një pauzë mes një shpresë të përfunduar dhe kohës së lindjes të një shprese të re!

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Italja si moter: 03/04/2023 10:04

    Shpresa per pd ka vdekur qe ne lindje mor Alban Daci .nje parti qe shkateroi Shqiperine dhe u pasuruan per veten e tyre .Varferuan popullin .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?