Rubrika “Në Librari” përgatitur nga gazetarja Anila Dedaj vjen këtë fundjavë me tre tituj të rinj.
Titulli: “Tingulli i mbramë”
Autor: Gëzim Murajza
Shtëpia Botuese: Botimet Fishta
Çmimi: 800 lekë
Gëzim Murajza e zhvillon subjektin e romanit të tij të dytë në periferi, ndonëse temat që trajton, nuk kufizohen në lokacion. Në “Alpe”, me sfondin e jetës dhe peizazhit në fshat “Tingulli i mbramë”, që njofton agun, nga e hëna në të dielë, nis e dobësohet... Ndërkaq, Simoni, sjell përmes historisë së tij, simfoninë e vetmisë së prindërve shqiptarë, ku fëmijët ndjekin rrugën e tyre... Jeta e ndërtuar me ndershmëri e një ish-minatori dhe gruas së tij Lenës, që ‘kriset’nga një sëmundje e rëndë.
Titulli: “Mister Ash – Oazi i sekreteve”
Autor: Valbona Banka
Shtëpia Botuese: Mediaprint
Çmimi: 700 lekë
Një udhëtim misterioz, bën bashkë një grup të rinjsh. Lexuesi ndjek rrugëtimin e tyre drejt shtigjeve, prej vitesh të pashkelura, njësoj si të fshehtat që ata mbartin me vete... Ndërsa autorja Valbona Banka e zbulon gradualisht misterin e personazhit ‘Mister Ash – Oazi i Sekreteve’... Një libër plot karaktere, përballje natyrash e brezash, ku autorja u jep të rinjve guxim për të rrëfyer të fshehtat, vragat që i lëndojnë, duke i bërë të kuptojnë se në jetën e çdokujt ka ngjarje që u shkaktojnë palumturi, por pavarësisht kësaj ata s’do të jenë vetëm.
Titulli: “Nata”
Autor: Preç Zogaj
Shtëpia Botuese: UETpress
Çmimi: 1000 lekë
Gruaja, fati i saj dramatik, në shoqërinë kaotike shqiptare ‘të mbrujtur’ nga mentaliteti maskilist, tranzicioni dhe ‘shuplakat’ e moralit, janë në qendër të romanit më të fundit të shkrimtarit Preç Zogaj “Nata”. Tri motra dhe një atvrasës, drejt zbardhjes së ngjarjes tronditëse, Zogaj, ‘zhbirilon’ plagët e shoqërisë, duke nxitur reflektim, apo shpëtimin e munguar të ditës ndaj dy syve të pafajshëm.