Je i shtrënguar të rrëmosh, ndryshe, në një analizë të konflikteve që nuk na ndahen, nuk ka gjasa t’i japësh gjegje pyetjes, pse? Në pamje të parë duken sikur janë zhvillime korente, por ngatërrohesh me këmbët e tua. Konfliktet shtyhen në thellësi vitesh. Mënyra më e mirë është të kthesh kokën mbrapa, të shohësh e të arrish të kuptosh, se kur i ndodhi kombit tonë kjo çarje shoqërore me përhershmëri ciklike?
Nuk ka nevojë të shkosh më larg se vjetët e para të mëvetësisë. Te “Dokumente Historike”, botim i Lef Nosit në vitin 1924, sillet në vetëdijen e kombit botimi i një thirrje që i bëhet popullit në vitin 1915. Thirrja është luftarake dhe vjen nga Kruja, firmosur prej një të quajturi, Mehmet Gjinali, ku bashkimi i fanatikëve muslimanë u kërkon të çohen e të luftojnë për t’ja aneksuar Shqipërinë, tashmë shtet i pavarur, Perandorisë Otomane. Kjo ngjet dy vjet pas pavarësisë. Plot shqiptarë, në origjinë e gjuhë, u armatosën e me në krye haxhiqamilsat, e dënuan vendin të derdhi gjak “Për fe”, “për Baba Dovletin”. “...punuan me mjaft ligësi kundër shqiptarëvet”, shkruan në kujtimet e tij Thanas Floqi. Vlora e shpalljes së pavarësisë u përdhos nga fanatikët myslimanë, u ul flamuri kombëtar dhe u ngrit gjysëmhëna. Administratat vendore filluan të shkruajnë arabisht. Nuk u kursyen as pullat e postës të Qeverisë së Përkohëshme, portreti i Skënderbeut u mbulua me një vulë me bojë të zezë e me gërma arabe. U shfaq si luftë fetare, por në të vërtetë ishte luftë për pushtet. Në kujtimet për ngjarjet të sjella nga e Luigj Gurakuqi, Sejfi Vllamasi, Thanas Floqi, Selenica, Fan Noli etj., ngjarjet shihen e kuptohen se nuk ishte vetëm fshatari i Sharrës, Haxhi Qamili, që kërkonte “Babën”, por dhe një pjesë e parisë së kohës, të cilët, deri ditën e Pavarësisë e më pas e shikonin Shqipërinë nën suzerenitetin e Sulltanit.
Po të ishte për ne, do mbeteshim si “Turqi e vogël”, por ja që Europa, Austro-Hungaria hë për hë, nuk e lejoi dhe Konferenca e Paqes në Paris, marrëveshjet e fshehta për coptimin e kësaj “Turqie”, përfundimisht i grisi. Pati një moment uniteti kombëtar që spikati fuqishëm në Luftën e Vlorës, ku pothuaj gjithë krahinat dërguan në beteja luftëtarët e tyre, që çoi te një nga ngjarjet më kulmore të kombit, Kongresin e Lushnjës. Më tej, pason lufta për pushtet, vjen Shoqëria Bashkimi me Fan Nolin, i ashtuquajturi “Revolucion borgjez”, pason “Legaliteti”, serbët, bjellogardistët. Çdo hap pati viktimat e veta. Kortezhit të zymtë do t’i bashkohej ikja e Shën Naumin dhe gjendemi më pas në një periudhë relativisht të gjatë qetësie nën mbretërim, deri kur, bashkë me pushtimin Italian, ja behu Lufta Botërore. Ja vlen të shënohet se me Ahmet Zogun fillon sistemi personal i qeverive, i pasuar denjësisht nga Enver Hoxha e Sali Berisha, pavarësisht sistemit juridik, monarki, diktaturë komuniste apo demokraci pluraliste.
Kanë kaluar më se 70 vjet, kohë e mjaftë të lindin e të zhvillohen tre brezat, që përbëjnë sot popullatën e vendit. Kam zgjedhur të marr si reference një nga mendjet shqiptare më brilante të shekullit të XX, Eqerem bej Vlorën. Ishte, siç dihet, një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, pinjoll i një dere të madhe, pjesëmarrës aktiv në gjithë lëvizjet për çështjen kombëtare e besimplotë te Italia e qytetërimi i saj, tek e cila shihte një mundësi të madhe ndikimi mbi vendin tone, ngelur në epokën mesjetare. Ishte kjo që e shtyu të bashkëpunoj me pushtuesin. Çfarë ndodhi? Te dëshmitë dhe interpretimet e tij, se çfarë ndodhi gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, se si u shemb një botë, se si soji i bejlerve humbi nën rrënojat e gërmadhave, se si përjetoi pashmangshmërinë e ndryshimit dhe përmbysjet e paparashikuara, duhen gjetur edhe përgjigjet: “...njerëz dhe sende janë ndryshuar brenda natës. Asnjë ndryshim i mëparshëm i gjendjes politike dhe shoqërore në pesëqindvjetët e fundit nuk ka sjellë shndërrime më rrënjësore të rrethanave, sesa marrja e pushtetit nga komunistët”-shkruan ai.
Po, është e vërtetë! Ndryshoi rendi politik, njëherësh me atë ekonomik. Piramida u përmbys, njerëzit, prona, organizimi, iu nënshtruan një riformimi. Klasa e vjetër e feudalëve, krijesë këta e pushtuesit turk, humbi jo vetëm pronësinë mbi tokën, por gjithçka. Kleri, pronar i madh tokash e pronash, gjithashtu u shpronësua. Shtresa e sapoformuar borgjeze gjithashtu ju nënshtrua ndryshimit, u shpronësuan nga prona dhe pushteti, shumica u denigruan, si të gjithë ata intelektualë të formuar në shkollat europiane. Një klasë tjetër erdhi në pushtet. Ky shndërrim la gjurmë të thella, kurrë nuk u harrua nga të dëmtuarit! Të rinjtë në pushtetin e pasluftës e ndërtuan historinë nga viti 1, ai i ardhjes së tyre në pushtet. Siç u pa më vonë, të rrënuarit jo vetëm nuk kishin harruar, por dhe nuk ua kishin falur humbjen e pasurisë dhe privilegjeve. E meqë proverbi “Dardha bie nën dardhë” është vërtetuar nën dhjetra shekuj, s’kish pse të mos provohej edhe në këtë rast. Sapo erdhi koha e pluralizmit politik, të majtat dhe të djathtat ekstreme u ngritën nga këta pinjollë trashëgimtarë. Në një farë mënyre, tek ne vazhdon lufta e Dytë Botërore. Ka hesape për të larë mes “këlyshve të bashkëpuntorëve të fashizmit dhe “këlyshve komunistë”, siç rëndom këta quajnë dhe etiketojnë parreshtur njëri-tjetrin. Urrejtja vlon dhe si shkak ka pushtetin.
Ndonëse kjo rrugë shpjegimi nuk është e zanatit të gazetarit, por i përket historianit, gjithsesi s’shoh se ka pengesa për të prekur të vërtetën. Procesi i mëtimit të të vërtetës edhe te historianët qëllon të lexohet në mënyra dhe përmbajtje të ndryshme. Pra, doja të vija në dukje se nuk është që përmbysjen e një rendi, të një sistemi, na e paska provuar vetëm Shqipëria. Përkundrazi, ndryshimi është e do jetë rregull i përhershëm. Kanë rënë perandori e sundime, që dukeshin si të përjetëshme, e kanë ardhur rende shoqërore që kanë përmbysur të parat. Më pas, aftësia është: të përshtatesh.
Vetë Lufta e Dytë Botërore ishte një konflikt i lëvizjeve shoqërore i shndërruar në konflikt ushtarak, që përfundoi me ndarjen jaltiane që i bënë botës një konservator, një reformator dhe një diktator. Në konflikt ushtarak lufta u shndërrua kur u sulmua Polonia, ajo ishte arsyeja e madhe. Por në Jaltë konservatori Çurçill e la Poloninë në mëshirë të diktatorit Stalin, ndërkohë që reformatori amerikan dëgjonte në heshtje. Kur s’pyetën për Poloninë, hajde merreni vesh tani se kush po pyeste, se nga cila influence e cili ndikim do mbetej Shqipëria!? Dhe kështu ndodhi, as që u përmend, kërkush se përfilli dhe e lanë në dorë të sllavëve jugosllavë.
Kur, pas luftës, mbërritën fitimtarët, ata shpallën se do ta zëvendësonin rendin feudalo-kapitalist që gjetën. E bënë këtë shpejt, me operacion, me dhimbje e ndikim emancipues të prekshëm. Në ekonomi zëvendësimi nuk ishte konflikt vlerash. Ai që u quajt “pushtet popullor” mbështetej te prona shtetërore. Rendi që do zëvendësonin, ekonomia kapitaliste, mbështetej në shfrytëzimin e mëditësve. Të dy sistemet edhe sot kanë e mbajnë si premtim ndërtimin e një bote ku individi do të mundë të realizojë synimet e tij, por që asnjëra nuk ja ka mbërritur. Thjesht, kanë mbetur fraza e premtime. Komunizmi ngjiti në një shumicë vendesh të lindjes europiane. Të mos harrojmë një gjë: pas Luftës së dytë Botërore, me pasojat e saj të tmerrshme, krizën shpirtërore që pasoi, argumentat e forcës tërheqëse të ideollogjisë për drejtësi shoqërore dhe humanizmit në marrëdhënjet ndërnjerëzore, krijoi mistikën komuniste. Atëbotë komunizmi shihej si kulmi i një shoqërie demokratike. Pas shpronësimit, ndalimit të punës private, kolektivizimit të detyruar, rënja e shoqërisë nën hijen e totalitarizmit, deziluzioni që pështjelloi njerëzit fliste për rënjen e demokracisë. Dhe sistemi komunist ra njëherësh në Europën Lindore, Shqipëria një vit më pas.
Shqipëria është sot një shtet demokratik. Ka disa parime ku mbështetet krahasimi: të drejtat qytetare respektohen e zhvillohen lirshëm në një shoqëri të hapur; prona private ushtrohet lirshëm dhe mbrohet me ligj; shtypi e media ushtrohen lirshëm dhe mbrohen me ligj; partitë në pushtet kanë ndërruar njëra-tjetrën rregullisht. Mirëpo tani, sot, opozita zhurmon me përhapjen e panikut se “jemi diktaturë”. Në të vërtetë, demokracia jonë, me trashëgimi tiparesh orientale, kultivoi që në fillesat e saj, pas çdo palë zgjedhjeje, një qendrim që shthurrte moralin dhe dëmtonte gjithë ritmin e kombit. Pas çdo palë zgjedhjeje humbësit e paraqesin veten si viktimë. “Këto zgjedhje që nuk më kanë dhënë pushtetin nuk i njoh”. Dhe konflikti fillonte nga e para, duke torturuar një shoqëri të tërë. Veçse këtë radhë, bashkë me dëshirën për të marrë pushtetin në rrugë revolucionare, rrëzojnë dhe sistemin demokratik.
Momentalisht, lakmia për pushtet e atyre që kur ishin në pushtet, e të dehurve me vetveten, kartën e të drejtave të njeriut e shndërruan në karta krediti për veten e familjet e tyre, tani e kërkojnë pushtetin jashtë rregullave demokratike, pavarësisht faturës që do paguajë populli. Tani për tani palët mbeten ende të xhindosura. Është shumë vështirë të kuptosh ku mbaron demagogjija e opozitës me dorëzimin e mandateve dhe ku fillon sindroma e lakmisë për pushtet. Farsa e dërdëllitjeve kërkon të fusë në kurth edhe europianët. Për këtë opozitë, integrimi në Europë, interesat kombëtare dhe tërci-vërci, janë një dëngla e një demagogji e pështirë.
Më thoni, ju lutem, cili është kuptimi i shoqërisë demokratike, i një demokrati dhe unë do ju shpjegoj ndryshimin mes të qenit një leninist dhe një demokrat!?