Selia e Partisë Demokratike

Opinion

Në PD ka probleme dhe nuk është vetëm Berisha

30 Shtator 2021, 08:42| Përditesimi: 30 Shtator 2021, 08:44

  • Share

Në Shqipëri ende operohet me format parapolitike që për të komunikuar një aksion apo ide politike, këtë e bën pas një takimi me të huaj. Një formë arkaike kjo që të kujton çka ndodhte në shtetet e reja apo të pazhvilluara të viteve 50-60 dhe ku delegacionet e huaja ishin ato që injektonin nga pak ide demokracie në ambientet që ushtronin pushtet. Nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni as vetë Kryetari i PD gjatë ditës së djeshme megjithëse mendohej dikur se kish statujën e shkollimin për të injektuar ai vetë virusin e demokracisë në partinë e stërvitur nga Berisha. Kështu pra, dje, pas takimit që kreu i PD Basha pati me kreun e misionit të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit, mësuam se pikërisht asaj i kish bërë të qartë planin e veprimeve që do të ndërmerrte PD në parlament në ditët në vijim. Me këtë rast e morëm vesh edhe ne. Duhej që të vinte një huaj për raportin e zgjedhjeve të 25 prillit, çka do të thotë se po merret me të shkuarën, që pas takimit me të Basha të flasë se çdo të bëjë për të ardhmen. Që PD do të shkojë në parlament me synimin për të ushtruar presion për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, si dy nga shkaqet që sipas saj kanë shkaktuar deformimin e rezultatit zgjedhor.

Kish kohë që ndaj selisë së PD kërkohej një prononcim i qartë mbi planet dhe qëndrimet që do të mbajë grupi i deputetëve demokratë në parlament. Për këtë ishin mbledhur dhe organe drejtuese të PD, përfshirë dhe kryesinë e Grupit parlamentar, por përtej informacioneve nën zë, nuk kish patur asnjë qëndrim zyrtar. Dhe ky qëndrim shpallet për herë të parë pas takimit me një të huaj, çka në vetvete nuk tregon respekt për opinionin publik dhe qytetarët, prej nga të cilëve ke marrë votën. Sidoqoftë nëse kjo do të ish e meta e vetme që do të vihej re te Basha apo PD, do ti bëhej kabull, ca më tepër që tashmë situata aty është rrëmujë edhe prej betejës që ka hapur Berisha në gjirin e anëtarësisë. Por në PD ka probleme. Madje ka shumë, nga ku çështja Berisha nuk është e vetmja. Është miopi politike të mendosh se meqë PD paska gjithë këto probleme, duhet ti japësh të drejtë Berishës. Ish lideri është pjesë e problemeve dhe madje nëse PD paraqitet tashmë kaq anemike, kjo vjen edhe pse nuk arriti të shkëputet nga format e vjetra të drejtimit të Berishës, e të mbetet peng i rekomandimeve të tij dhe në aktivitetin tetëvjeçar gjatë qëndrimit në politikë. Ishte kjo formë e të drejtuarit që kushtëzoi e imponoi dhe Bashën për të operuar me format e vjetra të opozitarizmit dhe larg mjeteve demokratike moderne si brenda partisë ashtu edhe në parlament. Politika, pavarësisht nëse je fitimtar apo humbës në betejat zgjedhore, është arti i bashkekzistencës, prej nga duhet të ketë fitimtarë nga të dy kahet dhe ku humbësi nuk përndiqet drejt asgjësimit. Kjo gjë nuk ish fare e konceptueshme brenda PD-së ku pas çdo fitore të brendshme në garën për Kryetar, humbësit degdiseshin jashtë selisë blu. Ndërkohë, çdo garë e madhe, ato për zgjedhjet parlamentare humbeshin rregullit përderisa radhët e kontribuuesve firoheshin pareshtur. Dhe këtë fakt nuk mund ta mbulojë asnjë deklaratë se humbja vjen nga vjedhja e votave.

Basha ishte vendosur në kreun e PD-së, si i besuari dhe rojtari që partia do të mbetet gjithnjë besnike e Berishës, e për këtë do të ish i sakrifikueshëm çdo lloj kontribuuesi, i ri apo i vjetër në PD. Me këtë logjikë, partia as nuk mund të hapej as të kishte transparencë se çfarë ndodhte brenda saj përderisa raportet kishin kushtëzuar që PD duhej të mbetej në funksion të ish liderit. Ndaj, tashmë të duket absurd deri në qesharake, që pikërisht sot Berisha e sulmon Bashën për mungesën e transparencës në parti dhe për dhunim të normave demokratike të funksionimit të forumeve brenda saj. Sidoqoftë problemet mbeten. Pavarësisht nëse e thotë Berisha apo dikush tjetër. Madje, pse e thotë dhe Berisha këto duhen të jenë motiv për tu ballafaquar me to. Pasi duke u dalë përballë këtyre problemeve, mund të përballosh më me sukses dhe vetë Berishën në këtë fushatë hakmarrëse të tij. Tashmë që PD dhe vetë Basha ka bënë një zgjedhje, duke e ndarë fatin e tyre nga ai i Berishës për sa i përket një vendimi për shpallje non gratta nga Departamenti i Shtetit, kjo duhet të shërbejë edhe për shumë më tepër. Të shërbejë për ndarjen përfundimtare nga model ii Berishës se si ka drejtuar PD dhe si është imponuar në politikë për 30 vite. Nëse shmanget ky model, atëherë ke gjetur dhe kurën e duhur për problemet që ka në PD. Në të kundërt, pavarësisht se mund ta shmangësh Berishën e ti pritet hovi përpjekjes së tij për tu rikthyer si sulltan në PD, nëse vijohet me të njëjtat metoda të drejtimit si ish lideri , atëherë fati i PD është i shënjuar dhe s’ka kurë që e shëron. Jo më kot, ndërsa duket se gjithçka në PD po fokusohet në një duel Basha- Berisha, dalja në dritë e fraksioneve të reja, është një tregues se problematikat në PD nuk janë vetëm se kush do të jetë i forti i të ardhmes në PD, por te proceset që duhet të shoqërojnë shndërrimin e një force politike. Dhe ky është një proces dhe nuk vendoset me një betejë midis personazhesh./Fjala.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?