Personazh/ Në pension e në punë nga ‘halli’, 67-vjeçari 42 vite shofer në urbanë: Në komunizëm paguhesha më shumë

16 Mars, 16:11| Përditesimi: 16 Mars, 18:02

  • Share

“Je i fortë më thonë nipër e mbesa, lëre punën se je i lodhur”. Duhet të ishte në shtëpinë e mbushur me nipër e mbesa, të çlodhej pas 42 viteve punë pa ndërprerje, por nevoja e ka bërë Markun të vijojë të punojë si shofer i linjës së transportit urban Tiranë-Kamëz, edhe pse prej 2 vitesh ka dalë në pension.

“Kam dy vjet që kam dalë në pension dhe vijoj punoj, për arsyen e vetme se 200 mijë lekë nuk dalin, nga halli punojmë. Me 200 mijë lekë nuk rrihet vështirë. Është një punë e vështirë kjo e transportit urban. Çunat e rinj nuk vijnë të punojnë shofer urbani”, rrëfen ai.  

Për herë të parë punën si shofer ka nisur në moshën 25-vjeçare, ditë të cilën Marku e kujton fare mirë.

“Dita e parë e punës më 16 gusht, 1980, për herë të parë kam punuar në parkun e Fushë-Arrëzit, punova nja 16 vjet aty, pastaj lëvizëm erdhëm në Tiranë, kam punuar me furgona dhe 15 vite kam punuar me Unazën, më pas me linjën e Kamzës”, shprehet Marku.

Kur kthehet pas në kohë, ai e kujton me nostalgji kohën e para viteve ’90.

“Në kohën e mëparshme ishte shumë mirë se shoferi merrte më shumë lekë, kishte një respekt të veçantë për shoferët, tani nuk ka respekt”, tregon Marku.

Në Kodin Rrugor është i parashikuar kufiri moshor 70 vjeç për drejtuesit e mjeteve të transportit publik. Marku e ndjen veten ende të fortë, të aftë t’i arrijë të 70-dhjetat, ulur në sediljen e autobusit.

Një raport i INSTAT i publikuar së fundmi tregon se numri i personave që zgjedhin të punojnë edhe pas daljes në pension është rritur ndjeshëm, 27 mijë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa numri i të rinjve në marrëdhënie pune është gjithnjë e më i vogël.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?