Ishim mësuar të jetonim përditshmërinë tonë, të zgjoheshim në mëngjes nga zhurmat e kembanave, që jo vetëm ishin e zakonshmja jonë, por edhe një sinjal shprese se Zoti ishte me ne dhe na dhuronte lindjen e diellit si shpresë të një dite të re. Por, u bënë ca ditë, që ne nuk zgjohemi nga zhurmave e kambanave, por nga zhurma e sirenave që na lajmërojnë ardhjen e djallit të etur për gjak dhe vdekje në tokën tonë! Sirenat bien e menjëherë pas tyre djalli lëshon flakë për të na vrarë dhe për të na shkaktuar dhimbje. Flakët e djallit nuk kursejnë as fëmijët e vegjël, të cilëve nuk dimë tu themi çfarë është djalli në tokë dhe pse ai e urren aq shumë ekzistencën tonë!
Ishim mësuar të zgjoheshim me këmbanat e kishave tona shekullore e të nisnim ditën me hallet e të përditshmes dhe po ashtu edhe me optimizmin e një dite tjetër më të mirë, por sot pas zhurmës së sirenave dhe flakëve të djallit, nuk mendojmë të shkojmë në punë, në shkollë, por vrapojmë të futemi e të fshihemi në ndonjë bodrum, që edhe pse ka vetëm errësirë, aktualisht është simboli i një parajse të harruar ndoshta edhe nga Zoti, si shpresa e vetme që mund të shpëtojmë nga vdekja, por jo nga frika dhe fakti se jeta jonë është bërë palë me ankthin dhe pasigurinë! Edhe pse jetojmë në ferrin tokësor nën sundimit e djallit, uria dhe dëshira për të ngrënë një kacidhe bukë në një cep të bodrumi, për fat të keq është një dëshirë e egër për të mbushur stomakun e zbrazur, por kjo nuk mjafton për të mbushur mendjen tonë me mendime e shpresë, se nesër do të jetë më mirë!
Fëmijët tanë lozin mes tyre nën dritën e kandilit dhe për fat të mirë shumë prej tyre nuk kuptojnë se çfarë po ndodh! Rrugët e gjëra të Kievit me të rënë nata, pushtohen nga ushtria e djallit që me tanke bën zhurmën e thirrjes për vdekje! Nuk mungojnë as të qarat e ndonjë nëne, sepse ka humbur djalin e po ashtu nuk mungojnë as ulurimat e ndonjë ushtari që është plagosur dhe nga dhimbja e madhe nuk dallon dot të qarën nga dhimbja e po ashtu dëshirën për të jetuar nën hijen e një vdekje! Aty, ku në çdo fundjavë, në kopshtin përballë dilnin e loznin fëmijët duke u shëtitur, sot është një tank i ushtrisë së djallit që bën listën për të bërë vdekjet e radhës! Pak më tutje, tek ai bari në kryqëzim, çdo të shtunë takoheshim e pinim pak vodka si për të harruar lodhjen e programonim javën e ardhshme e ndërsa sot, aty në mesin e tij është një predhë e pa shpërthyer si një simbol që do të protestoj ndaj luftës!
Në fundin e rrugës, ndodhet ai që dikur ishte supermarketi ynë i tejmbushur me ushqimet tona të shijshme e sot, është i braktisur me xhama të thyer dhe i boshatisur, sepse brenda nuk ka më as kripë e as vaj dhe të mirat e tjera që kishin konsideruar normalitet! Dielli lind edhe këto ditë, por jo si më parë, sepse qielli është errësuar nga tymi dhe flakët si për të na kujtuar se apokalipsi nuk është vepër hyjnore, por është pasojë e njerëzve të pushtuar nga djalli që duan luftë, gjakë dhe vdekje! Dielli nuk lind aq këndshëm dhe në qetësinë e mëngjeseve të ftohta, por lind më përtesë dhe duket sikur dita zgjatë sa një muaj dhe nata po ashtu sa errësira e përjetësisë. Djemtë tanë, atje jashtë në errësirë, nën shiun e ftohtë, me uniformën e ushtarit po luftojnë deri në sakrificë përballë ushtrisë së djallit, disa prej tyre të plagosur, ndonjë prej tyre edhe i rënë heroikisht, por ata kanë kurajë dhe forcë të përballen me të keqen, jo se janë patriot, por ata luftojnë, sepse duan që dielli të lind përsëri nën zhurmën e kambanave për t'u rikthyer në normalitetin tonë të përditshëm! Nuk është hera e parë që ushtria e djallit e etur për luftë ka ardhur në tokë për të mbjellë vdekje e për të bërë gjakderdhje, por ajo gjithmonë ka humbur, sepse ka fituar dëshira për të jetuar dhe nevoja për të rikthyer paqen! Sot në mëngjes kambanat nuk ranë përsëri, por kemi shpresë se nesër ato do të bien e kjo vjen nga dëshira për jetën dhe vullneti për paqen!