Për të kuptuar më mirë epokën në të cilën jetojmë mjafton të vendosim përballë këto shifra: Influencerja italiane Chiara Ferragni poston më Instagram një piatë me sushi që ka konsumuar në një nga restorantet më chic dhe të shtrenjta të Milanos dhe merr pëlqimin e 184.601 njerëzve. Sigurisht që do të jetë një shifër gjithnjë në rritje e njerëzve që pëlqejnë atë “kryevepër” të kulinarisë.
Teatri më i bukur dhe i rëndësishëm i operas dhe baletit në botë, Teatro Alla Scala i Milanos, publikoi foton e kësaj balerine në spektaklin më të fundit “La Bayadere”: 1017 pëlqime deri në një moment, që nuk do të bëhen asnjëherë qindra e mijëra “like” si ato të blogeres me origjinë nga i njëjti qytet.
Sa kohë duhet për të bërë një balerinë? Që në moshë të vogël, ditë për ditë, vogëlushë punojnë dhe rriten me orë të tëra me ushtrimet e jashtëzakonshme që disiplinojnë trupin e tyre për të vallëzuar e për t’u bërë njësh me muzikën dhe koreografinë e mendjeve më të bukura të globit (në këtë rast koreografia e Rudolf Nureyev). Dhe sa më shumë punojnë, përkushtohen, sakrifikojnë, aq më shumë trupi i tyre do të jetë më afër perfektes, sublimes, mrekullisë. Arti i bukur i baltetit është më i vështiri mes të gjithë arteve, pasi vullneti i mendjes dhe i shpirit, kërkon të disiplinojë trupin që joshet prej veseve. Balerinët më të mirë e arrijnë përmes një pune kolosale, përmes një vetmohimi unik.
Në pjatën me sushi të Chiara Ferragnit, sakrifica më e madhe është ajo që të mos e hash të gjithë. Që trupi të mos bie preh e përsëritjeve e përsëritjve pa fund të një pjate joshëse dhe të mirë, duke degjeneruar në trashje. E megjithatë, megjithëse nuk duhet një përkushtim, sakrificë, orë të tëra dhe vite punë, njerëzimi është më solidal dhe miqësor me këtë të fundit: pjata e sushit e Chiara Ferragnit fiton mbi fluturimin puplor të një balerine të Teatrit alla Scala.
Ku është e keqja këtu, mund të themi të gjithë: Jeta është e ndryshme, e larmishme, e shumëllojtë. Ka vend për hapësirë për të gjithë. E vërtetë. I vetmi problem qëndron në faktin se sa vjen e më shumë, po zvogëlohen hapësirat e një pune që kërkon dedikim, përkushtim, sakrificë për perfeksionim. Arti i vërtetë është i tillë. Këto hapsira po zihen nga suksesi i menjëhershëm dhe i kollajtë: Vetëm një pjatë sushi! Përsëri, shumë do të thonin se nuk ka asgjë të keqe as këtu. Në të vërtetë në dukje nuk ka, por e gjitha kjo dëmton ndjeshmërinë. Mungesa e ndjeshmërisë, dëmton njerëzoren dhe njerëzorja, kur mungon, na bën të gjithëve indiferentë ndaj gjërave të rënda që herët a vonë do ta cënojnë bashkëjetesën tonë në këtë glob magjik! Ndjeshmëria është pulsi që tregon zemrën dhe shpirtin që qëniet njerëzore kanë brenda tyre. Eshtë dashuria që na mban të lidhur e ka bërë që megjithë gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur, dielli të lindë e të rilindë përsëri. Ndjeshmëria është shprehje e dashurisë, është filli i padukshëm që mban pezull gjithë Tokën me qënien më të bukur e të zhvilluar: qënien Njeri!
Nuk eshte kliku qe cakton rendesine e dickaje,sepse ne internet qendrojne vetem te papunet qe kalojne jete boshe e skane interesa. Me kalimin e kohes do biere ky aresyetim sepse fb per shembull doli nga perdorimi,esht obsolet. Kurre jeta reale nuk pasqyrohet ne nje skerme per njerezit inteligjente,por per pluhurin njerezor,qe perdoret mish per top.
Përgjigjune shqiperi duhet vetem 2 sekonda ne 4 te nates te shkaterrosh nje teater
Përgjigju