Prej gati tre dekadash, Athina në mënyrë perfide është përpjekur ta kthejë procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë në rishikim të kufijve në gjithë Ballkanin. Së fundi, Beogradi dhe Moska kanë bërë hapur thirrje për një konferencë të Fuqive të mëdha, pikërisht në kohën kur Thaçi dhe Vuçiç po negociojnë arritjen e një marrëveshjeje finale, drafti i të cilës po kundërshtohet ashpër nga Merkel. Pikërisht në këtë kohë ndodhi dhe incidenti i Bularatit, i cili duket se është i mirëmenduar.
Ti marrim me rradhë. Besoj e mbani mend incidentin e Peshkëpisë çerek shekulli më parë. Një komando paramilitare sulmoi repartin ushtarak shqiptar duke vrarë në gjumë dy ushtarakë shqiptarë. Ishte koha kur lufta në Bosnjë ishte në kulm. Ishte koha kur fuqitë e mëdha përgatisnin Dejtonin.
Ishte koha kur tensionet mes Greqisë dhe Shqipërisë ishin në apogjenë e vet. Ishte koha kur Micoqatis kishte deklaruar se Greqia do kërkojë për minoritetin grek në Shqipëri atë që Shqipëria do kërkojë për Kosovën. Absurdi ishte tërësisht i qartë. Athina vinte shënjën e barazimit mes fshatrave të minoritetit, tërësia e banorëve të së cilit është sa një lagje e Prishtinës.
Greqia dështoi në këtë tentativë dhe falë presionit që bënë Shtetet e bashkuara si në Athinë ashtu dhe në Tiranë. Ngjarja në Bularat duhet marrë si një orvajtje për të përsëritur të njëjtën simbolikë: gjendja e grekëve të Shqipërisë është kaq e keqe sa ka kërcitur dyfeku.
Madje deri aty sa “një hero grek vritet me flamur në dorë” nga policia shqiptare. Gjithashtu kërkohej të përsëritej simbolika e vrasjes dy dekada më parë e një greku në shtyllën e një flamuri nga ushtarët turq në një ishull të pabanuar, vrasje që elektrizoi gjithë opinionin grek dhe ngriti shumë shqetësime në të gjitha kancelaritë e mëdha. Merret lehtë me mend se kemi të bëjmë me dy raste krejt të ndryshme.
Dinamika e ngjarjes tashmë është e qartë. Më bindshëm nga të gjithë e kanë përshkruar ministrja greke e Kulturës e cila nga varrezat e Bularatit konfirmoi se asnjë flamur nuk ishte ulur nga policia dhe gjithçka kishte shkuar normalisht. Gjithashtu ish-ministri i jashtëm tha për një tv grek se në “çdo shtet vritet kushdo që drejton armën kundër policisë”.
Pangallos, me të njëjtën qetësi olimpike, hodhi një kovë me ujë të ftohtë mbi kokat e nxehta në Athinë fiks si atëherë kur shqiptoi të famshmen “bashkë i hëngrëm” në kohën kur nacionalistët fajësonin Brukselin për krizën financiare greke. Për hir të vërtetës duhet thënë se qeveria Cipras në këtë ngjarje duket dorëjashtë.
Prej gati tre dekadash grekët e Shqipërisë e festojnë 28 tetorin. Përse pikërisht këtë vit duhet të çohej mish për top militanti i Agimit të Artë. Ngjarja e Bularatit po ndodh në kohën kur dy presidentët e Kosovës e Serbisë po kryejnë negociatat që nisën për t'i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb. Në pamje të parë duken dy gjëra krejt pa lidhje me njëra tjetrën. Dhe kështu janë.
Sepse nuk ka ndodhur një luftë ballkanike që rajoni në tërësi të përcaktojë kufijtë. Por Thaçi dhe Vuçiç po e fusin rajonin në një rrugë pa krye. Të dy duket se janë dakorduar që të përcaktojnë një kufi të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë arsye bashkësia ndërkombëtare ndjehet e shqetësuar. Merkel më shumë se të gjithë.
Ndryshimi i kufijve hap kutinë e Pandorës në Ballkan, ka paralajmëruar kancelarja gjermane. Shikoni si janë rreshtuar palët. Perëndimi, përmes bisedimeve të Brukselit kërkon ti imponojë Serbisë njohjen formale të Kosovës para se ajo të bëhet anëtare e BE.
Ndërkohë Serbia me mbështetjen e Rusisë kërkon konferencë të fuqive të mëdha ku të diskutohen të gjitha çështjet që këto dy shtete i konsiderojnë të hapura, republika srbska është synim final.
Pas kuintave këtë skenar duket se e mbështesin dhe qarqe në Athinë që kësaj axhende t'i përfshijë dhe minoritetin grek në Shqipëri. Këtij mish mashi i druhet Merkel që ka vënë e para këmbanat e alarmit.
Përse erdhëm në këtë pikë ? Në rrethana okulte Thaçi ka pranuar të diskutojë e ca më tepër negociojë shkëmbimin e territoreve në rastin më të mirë dhe në skenarin më të keq dorëzimin e veriut të Kosovës.
Ky është një projekt i vjetër, i servirur gjithnjë nga serbët në tryezën e bisedimeve, i hartuar nga ultranacionalisti Dobrica Qosic. Ky projekt i servirur nga Miloshevic tek ndërkombëtarët dhe para shpërthimit të luftës së Kosovë është refuzuar gjithmonë nga shqiptarët. Është refuzuar nga Ibrahim Rugova dhe atëhere kur ai kontrollonte vetëm zyrën e tij në ish godinën e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës.
Luftërat ballkanike dhe efektet e tyre janë mbyllur me konferencën e Versajës plot një shekulli më parë. Ajo çfarë po bisedohet në Bruksel është krejt tjetër gjë.
Me çlirimin e Kosovës në vitin 1999 nga trupat e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt 2008 përfundoi procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë. Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë i dha fund çdo dileme, e cila e konsideron shpalljen e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ky vendim e shikon shpalljen e pavarësisë së Kosovës si momentin e fundit të shpërbërjes së federatës jugosllave. Kjo shpërbërje u bë sipas parimit të Badinderit, ministrit të drejtësisë së Francës i cili në emër të bashkësisë ndërkombëtare përcaktori kriteret e shpërbërjes. Sipas këtij parimi, kufijtë administrativë mes entiteve të federatës kthehen në kufij shtetërorë.
Për këtë janë të qartë të gjithë në Kosovë. Me përjashtim të Thaçit dhe një gazetari që shërbimi i fshehtë serb e përdor si korrierin e vet në Prishtinë dhe ndonjëherë në Tiranë. Përse duhet të shkelet parimi i Badinterit? Përse duhet të krijohet precedenti I hapjes së kutisë së Pandorës?
Thaçi e ka një përgjigje. Nuk arrita ta bind Vuçiçin të njohë Kosovën. Kjo përgjigje do ishte disfatiste në rastin më të mirë. E vërteta është ndryshe. Thaçi nuk ka asnjë përgjigje se si do reagojë Serbia kur Brukseli i ka vënë si kusht marrëveshjen e kushtëzuar më Kosovën. Thaçi nuk ka provuar të përdorë reciprocitetin në marrëdhëniet me Serbinë.
Të gjithë e dinë se Serbia skenarin më të mirë konsideron mbajtjen e Kosovës si një koloni ekonomike, çka në fakt është aktualisht. Si do reagonte Beogradi nëse doganat e Kosovës do ulnin traun për 500 milionë euro importe çdo që vijnë nga Serbia. Nuk e ka bërë këtë.
Dihet përse: oligarkët. Ky kompleks inferioriteti ndaj fqinjëve funksionon dhe në Tiranë. Rradhët e gjata që përsëriten në mënyrë ciklike në pikat e kalimit kufitar me Greqinë e kanë gjithashtu të njëjtën zgjidhje. Por dhe kjo nuk është bërë.
Thaçi sigurisht e di parimin e Badinterit ashtu sit ë gjithë politikanët e tjerë në Prishtinë. Nëse të tjerët nuk kanë ngut, Thaçi kërkon që gjithcka të mbyllet para pranverës. Timing i negociatave të Brukselit duket së përkon me krijimin e gjykatës speciale në Kosovë. Çmimin personal të tij nuk ka përse ta paguajë Kosova. Në negociata shqiptarët duhet të përfaqësohen nga dikush që nuk është i shantazhueshëm. Nuk ka nevojë për ngutje. Një marrëveshje me çdo çmim është tërësisht e papranueshme.
Seanca e fundit të Parlamentit të Kosovës ishte një turp. Rezoluta e cila do tia pamundësonte Thaçit negocimin e kufijve me Serbinë u rrëzua. U rrëzua nga të tjerë personazhë të shantazhuezhëm.
Thaçi dhe sivëllau i tij siamez Veseli shantazhuan Haradinajn dhe Limajn me rrëzimin e qeverisë. Ata që përbetoheshin se nuk do linin Thaçin të bëj Pazar me kufijtë u zbythën.
Tani Thaçi i ka duart e lira. Rrëzimi i rezolutës në Prishtinë mund të konsiderohet si fitore në Beograd e Moskë. E megjithatë do jetë festë po aq afatshkurtër sa ai desantimi i batalionit rus në aeroportin e Sllatinës në qershorin e vitit 1999.
Ata që shpërbënë Jugosllavinë dhe çliruan Kosovën nuk lejojnë që një hapësirë që kontrollohet nga bota e lirisë ta risjellin në pazare që bëheshin një shekull më parë. Kush del kundër i qethin kokën dhe e çojnë me pushime të gjata në Hollandë ose Dyz.