Presidenti Ilir Meta ka intensifikuar presionin dhe shantazhin ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në prag të mbledhjes së kësaj gjykate për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin nga detyra të Metës, për shkelje të mbi 20 neneve të Kushtetutës, për provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, cenimin e sigurisë publike, thirrje për veprime të dhunshme etj. Akuzat dhe kërcënimet e Metës ndaj Gjykatës Kushtetuese reflektojnë pasigurinë e tij për votat e anëtareve të Masida Xhaferllarit dhe Vitore Tushes, vota vendimtare për fatin e tij.
Mandati i Ilir Metës mbaron në 24 korrik të vitit 2022. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese e shkarkon për shkelje të Kushtetutës, kjo vendimmarrje mund të merret në fund të mandatit të tij ose edhe pas mbarimit të mandatit.
Po pse Ilir Meta është i alarmuar nga mundësia e shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese?
Dy janë arsyet. Së pari, Ilir Meta do të hynte në histori si presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që shkarkohet për dhunimin sistematik të Kushtetutës. Një vendim i tillë do të ishte një njollë e përjetshme politike.
Së dyti, nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin e Kuvendit, Ilir Meta humbet të gjitha privilegjet si ish president, bashkë me familjen e tij. Pika 4 e nenit 63 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese parashikon që “kur vendoset deklarimi i shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, ai nuk përfiton trajtimet e veçanta të parashikuara për funksionarët e lartë”.
Nëse Gjykata Kushtetuese e shkarkon, Ilir Meta humbet të drejtën për t’u mbrojtur nga Garda e Republikës, pas mbarimit të mandatit. Ligji për gardën parashikon që Presidenti i Republikës, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 5 vjet, pra deri në vitin 2027. Në rast shkarkimi Meta e humbet këtë të drejtë. Nëse shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese, Ilir Meta humbet edhe të drejtën për të marrë tre paga mujore pas largimit nga Presidenca si dhe 50 % të pagës deri në vitin 2015.
Meta humbet gjithashtu trajtimin si ish president nëpër ceremoni dhe festa zyrtare. Një tjetër privilegj që humbet Meta si ish president është shfrytëzimi i diferencuar i sallës VIP në Aeroportin "Nënë Tereza", ndonëse ai mund ta fitojë si ish kryeministër në vitet 2000-2002. Si ish kryeministër Meta mund të mbajë edhe pasaportën diplomatike. Pas largimit nga Presidenca, Ilir Meta pritet të rikthehet në krye të LSI-së, e cila ‘preku fundin’ në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndërkaq, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka paralajmëruar se Meta do të shpallet non grata nga SHBA, ashtu si aleati i tij Sali Berisha.
Kjo do jete. Keni te drejte.
Përgjigju