Dita e heshtjes zgjedhore është koha më e mirë e reflektimit për zgjedhjet, energjinë e harxhuar për to, përballjen me premtimet e kandidatëve, shit-blerjen dhe penalitetet e tjera, mos respektimin e sublimitetit të zgjedhjeve.
Është pikërisht kjo kohë, kur individi gjykon pse duhet që të derdhet kaq shumë energji për një gjë, e cila mund të bëhej edhe me shumë më pak zhurmë. Si ka mundësi, që një pjesë bajagi e madhe e publikut ende voton prej sugjerimeve të politikës dhe jo përballjes me kandidatin real, që po merr menaxhimin e fateve të tyre? Kjo me sa duket na kthjellon ditë më pas.
Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, iu desh në konferencën e fundit për shtyp të mbajtur pas fushatës elektorale, të konfirmonte evidentimin e gjithsej 54 rasteve të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, ku ishin proceduar penalisht 88 qytetarë. Në fakt, opozita flet për më shumë, ndërsa palët i ashpërsuan tonalitetet e diskursit të tyre politik me një regjistër “normal” shqiptar.
Që do të thotë se edhe këto zgjedhje, megjithëse kur të kalojnë lupën e OSBE/ODHIR-it, do të kenë racionalitetin e gjykimit të këtij institucioni, por në thelb ato do tregojnë sërish gjendjen e shoqërisë sonë: Ne nuk bëjmë dot zgjedhje normale dhe nuk ngremë fushata të arsyeshme programesh. Nuk po merremi me fajet, sepse do jenë institucionet e drejtësisë që do zbardhin që nga rasti i Bejlerit dhe të tjerëve, por perceptimin e politikës, që ende se kupton se zgjedhjet janë të shenjta. Që nga premtimet e rritjes së rrogave të Ramës dhe deri te ashpërsia skajore e Berishës, politikanët i sfumuan krejt kandidatët e tyre për aureolën e pozicionit të kryetarëve të tyre. Duket se zgjedhjet e vitit 2023 nisën dhe fushatën e vitit 2025.
Politikanët e të gjithë krahëve e treguan se s’kanë asnjë empati reale për kandidatët e komunitetet e tyre, por përdorimin e tyre. Rasti i narrativës së Ramës me kandidatët e tij, sadoqë interpretohet si gjetje komunikimi zgjedhor, tregon diferencën kryetar-kandidat. Çoroditja e Berishës tregon se ata janë thjesht numërorë. Dhe, me sa duket ia kanë dalë, pasi kanë kuptuar të vetë-ndjerën e njerëzve, që nuk gjykojnë dot në masë për arsyen. Po e vuajmë prej vitesh, me sa duket do e pasojmë edhe në të ardhmen, pasi edhe brezi i ri i politikanëve ka të njëjtën mendësi.
Kur shikon se kandidatët nuk përballen me njëri-tjetrin, kur shikon se nuk konkurrojnë programet por propaganda, duket se ne do na duhen kohë të kemi zgjedhje me parametra të lartë. Grupet e militantëve, që janë në terren, nuk është se duan t’ia dinë se cili është në fuqi, atyre u duhet se cili mbledh më shumë vota për interesin e momentit. Dhe, ky është lajm i keq për zgjedhjet tona. Publiku dhe politikanët që votojnë, nuk “e kuptojnë” se zgjedhjet vendore janë të gjithë shqiptarëve për interesin e tyre të ngushtë. E kur publiku nuk kupton përditmërinë, si mund të ndjesh dhe projektosh të ardhmen nën identikitin e një kandidati të besuar. Mbase burrështetasi Lincoln e kishte kuptuar fare qartë: “Zgjedhjet i përkasin popullit. Është vendimi i tyre. Nëse ata vendosin t’i kthejnë shpinën zjarrit dhe t’i djegin të pasmet, atëherë do t’u duhet të ulen mbi flluskat e të djegurave të tyre”. (Javanews)