Foto ilustruese

Sociale

Kini kujdes, përkeqësim i menjëhershëm i motit, në Shkodër reshje me intensitet shumë të lartë! Ministria e Mbrojtjes thirrje bashkive: Merrni masa

25 Shtator 2022, 22:01| Përditesimi: 26 Shtator 2022, 08:07

  • Share

Dita e hënë pritet të sjellë një përkeqësim të ndjeshëm të motit në vend. IGJEUM dhe SHMU parashikojnë reshje të mëdha ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes dhe Mbrojtja Civile i bëjnë thirrje bashkive të marrin masat. Instituti i Gjeoshkencave si dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikojnë se java e fundit e muajit shtator do të karakterizohet nga reshje shiu, me intensitet shumë të lartë në Qarkun e Shkodrës.

Reshje pritet të ketë edhe në 10 qarqet e tjera, përveçse në Korçë.  Sipas IGJEUM, si pasojë e reshjeve mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave, ndërsa në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës dhe Drini i Lezhës pritet një rritje e prurjeve.

Bazuar në këto të dhëna, Ministria e Mbrojtjes u kërkon strukturave të pushtetit vendor kontrollin e vazhdueshëm të sistemeve të kanaleve kulluese, të monitorojnë gjendjen e argjinaturave të lumenjve, digave, hidrovorëve.  Po ashtu, ky dikaster u kërkon të mbajnë në gatishmëri kapacitetet logjistike për përballimin e çdo situate të mundshme.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes

Instituti i Gjeoshkencave si dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikojnë se java e fundit e muajit shtator do të karakterizohet nga reshje shiu, të cilat do të jenë me intensitet shumë të lartë në Qarkun e Shkodrës dhe intensive deri në nivelin mesatar në Qarqet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër. Si pasojë e reshjeve mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Problematika mund të ketë edhe në zonat urbane, në këto qarqe ku mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara. Në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës dhe Drini i Lezhës pritet një rritje e prurjeve.

Bazuar në këto të dhëna, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u bën thirrje autoriteteve vendore të marrin të gjitha masat e nevojshme duke paralajmëruar veçanërisht popullatën në ato zona, ku parashikohet që kanë rrezik më të lartë për t’u prekur nga stuhia apo përmbytjet. Agjencia e Mbrojtjes Civile u kërkon strukturave të pushtetit vendor të marrin masat e nevojshme për kontrollin e vazhdueshëm të sistemeve të kanaleve kulluese, të monitorojnë vazhdimisht gjendjen e argjinaturave të lumenjve, digave të ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve katastrofikë, të kontrollojnë funksionalitetin e hidrovorëve si dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore të forcave operacionale për përballimin e çdo situate të mundeshe.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të jenë në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe në gatishmëri të plotë për të ndihmuar në raste emergjente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?