Për herë të parë, pas shumë vitesh, seanca maratonë kur Kuvendi diskuton projekt-buxhetin dhe e miraton në parim do të zhvillohet mes kaosit. Opozita, ajo e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, kanë paralajmëruar se në vazhdën e aksionit të tyre, nuk do të lejojnë zhvillimin e seancës.
Formën nuk e kanë zbuluar, duke e lënë mister mënyrën që do të zgjedhin këtë herë për bllokimin e sallës së seancave plenare. Sali Berisha përmes një postimi në Facebook konfirmoi edhe njëherë qëndrimin se nesër do të krijojnë kaos dhe do të bllokojnë seancën plenare.
"Ky është parlamenti i diktaturës së bandave! Edi Rama është i tmerruar nga mosbindja civile e deputetëve të opozitës. Ai ka urdhëruar forcat speciale të gardës, policisë, Renean që të shtypin ditën e hënë revoltën e deputetëve të opozitës që protestojnë për të drejtat kushtetuese të popullit opozitar dhe përfaqësuesve të tij në parlament. Ai nesër ka parashikuar që me forcë, dhunë dhe terror të kalojë në parlament buxhetin e vjedhjes më të madhe dhe gjobave më të rënda për qytetarët në historinë e vendit e të miratojë buxhetin antiligjor, antikushtetues, të Zoom-it dhe mejhaneve. Për të realizuar këtë, ai prej dy ditësh ka urdhëruar prova të përgjithshme të forcave speciale të gardës, Reneas dhe njesive speciale të policisë në sallën e Parlamentit, mjediset tjera, brenda dhe përreth ndërteses dhe oborrin e Parlamentit. Përfaqësuesit e popullit opozitar nesër në betejën e tyre pa kthim, me guxim, vendosmëri do të mbrojnë fuqishëm dhe të pamposhtur pluralizmin politik, të drejtat e tyre kushtetuese, intersat e popullit opozitar në Parlament! Asgjë nuk mund të mposht opozitën e të drejtave të mohuara në betejën e saj pa kthim deri në fitore", shkruan Berisha.
Por, përballë këtyre paralajmërimeve të Rithemelimit, socialistët nuk po qëndrojnë duarkryq. Burime nga selia rozë thonë se vendimi do të merret në varësi të aksionit të opozitës, por skenarët janë tre: buxheti të kalojë në parim pa diskutime.
Në rast se pamundësohet votimi, gjasat janë që seanca të ndërpritet dhe deputetët e maxhorancës të rikthehen të martën për votimin në parim. Nuk përjashtohet as mundësia e një seance online, me deputetë të grumbulluar në kryesinë e Kuvendit, larg sallës së seancave plenare ku opozitarët e Rithemelimit do të vënë në jetë planin e tyre. Në mesin e pikëpyetjeve për seancën e projektbuxhetit është edhe prezenca e kryeministrit Edi Rama, i cili një vit më parë, pati vetë në seancë peshën kryesore të replikave me Partinë Demokratike, në një seancë maratonë që zgjati 12 orë.
Edhe grupi opozitar që nuk mbështet aksionin, ai i PD zyrtare me Lulzim Bashën dhe deputetët e pakët që e mbështesin, e kanë në pikëpyetje prezencën e tyre në sallë. Ata kanë propozuar 8 amendamente, ndaj prezenca e tyre pritet vetëm nëse do të gjendet hapësira për ta diskutuar buxhetin. Në seancën e ditës së nesërme edhe prezenca e Gardës pritet të jetë më e lartë për të parandaluar përplasjet fizike, ndërsa vigjilenca do të jetë po ashtu e lartë, për të ndaluar futjen e lëndëve piroteknike në sallë.
plasi ne kucove..pa.pa.pa.p. a..do shkoj vete ta shikoj katrahuren..
Përgjigju