Sociale
Tirana

Nesti

21 Tetor 2021, 14:06| Përditesimi: 21 Tetor 2021, 14:27

  • Share

Në cep të rrugës që mbante një tjetër emër, ulur në ca shkallë, përpara një dyqani që s’shet asgjë qëndron ulur silueta e një djali që dikur kam njohur. Më duket se e quajnë Nesti. Në fund të fund nuk ka asnjë rëndësi nëse atë vërtetë e quajnë Nesti. Sa tregime shkruhen në ditë në botë me emra të trilluar, nga imagjinata e vërtetë. Se ia vumë emrin Nesti, Nestit nuk ka për t’i mbetur hatri.

Tek e shihja ashtu të ulur, me një patericë pranë vetes isha e sigurtë që Nestit nuk kishte për t’i mbetur hatri edhe po të mos i flisja.

Nesti dikur kishte punuar në “Komunale”. Nuk e kisha të qartë se cfarë ndërmarrjeje ishte kjo “komunalja” sepse në atë kohë, në kohën kur Nesti punonte në “Komunale” nuk ishte ndërtuar ende as “Komuna e Parisit”. Prindërit e mi e kishin fort për zemër Nestin. “Ta thërrasim Nestin të na lyejë“. “Mos na gjen Nesti bojë të mirë“. “Të pyesim Nestin mos gjen ndonjë të na ndërrojë lavamanin”.

Nesti dikur kishte pasur një ves. Si shumë punonjës, kolegë të tijë të “komunales”. Nesti bëhej “dru” dhe për pasojë bojën hidromat e spërkaste në vende të cilat sipas tij kishin nevojë për tu lyer dhe jo gjithmonë ishin mure. Parvazët e shkallëve, shkallët e pallatit, lulja “shqiponjë“ e Zyhrasë, mullagat e mamasë sime, të gjitha spërakteshin nga një bicim zorre e gjatë me të cilën Nesti përpiqej të lyente dhomat e apartamenteve tona, si “kuti shkrepëse”, sic i quan një shkrimtar i njohur i letrave shqipe.

Nestin e mbaja mend vetëm duke qeshur, edhe tani ulur në shkallët përpara dyqanit që s’shiste asgjë ai e mbante buzën në gaz, me trishtimin e njeriut që dikur ka qeshur, pa e ditur edhe vetë përse.

Nesti më vështroi me një vështrim të zbrazur nga cdo element vështrimi. I cuditur ndoshta që një grua e panjohur e vështronte sikur ta njihte prej vitesh. Doja të mbaja këmbët, pranë patericës që qëndronte te këmbët e tij, por vështrimi i tij mu duk se më ndali.

Kanë njerëzit shpesh një vështrim që të bën të ndalesh, pa u ndalur për tu thënë dicka, qoftë edhe tërësisht të kotë. Fundja fundit askush nuk e ka pronësinë e kotësisë, ndaj shumëkush mund ta përdorë pa droje. Pa pasur asnjë frikë nga ndonjë institucion që mund ta ndalë e t’i thotë:“Ej, ti atje, kujdes mos u merr me kotësi”.

Nesti është moshuar. Por ka mbetur shumë i vogël. Sidomos ulur poshtë pallatit të lartë, ku me siguri nuk ka shkuar për të lyer. Më vështron me cudi. Patjetër ka kohë që askush nuk e ka vështruar. Kush ka kohë më për vështrime, por kjo s’ka rëndësi sepse në qytet asnjëri nuk njeh më njeri.

Nesti lëviz pak dhe bën të kap patericën. Kthej kokën nga krahu tjetër dhe nxitoj këmbët të largohem nga rruga që nga ndryshuar emër. Kam frikë. Kam frikë se mos i kujtohem Nestit

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?