Nga 1 janari, mbi 7300 biznese do ta blejnë energjinë elektrike te privati

9 Dhjetor 2021, 21:33| Përditesimi: 9 Dhjetor 2021, 22:58

  • Share

Mbi 7300 biznese nga 1 janari do të dalin në treg të lirë dhe do detyrohen ta blejnë energjinë elektrike në treg, duke lidhur kontrata me operator privat. Njoftimi është bërë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i cili thotë se nëse këto subjekte nuk arrijnë të lidhin një kontratë me një furnizues privat atëherë këtë energji do ta sigurojë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) pjesë e shpërndarjes por me çmimin e tregut, pra që është më lart se çmimi aktual që ata paguajnë.

“Në zbatim të ligjit Nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” i ndryshuar, Neni 86, pika 6, dhe 109 të tij; Urdhrit Nr. 28, datë 18.01.2021 “Për miratimin e udhërrëfyesit për hapjen e tregut dhe de rregullimin e çmimit të energjisë elektrike”, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ju njoftojmë për plotësimin e kushteve teknike të instalimit të sistemit të matjes për daljen në treg të liberalizuar nga data 1 janar 2022. Ju keni mundësi të furnizoheni nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit dhe jeni të detyruar të lidhni një kontratë furnizimi me një furnizues të ri, të licencuar që ushtron aktivitetin e tij në tregun e liberalizuar, brenda 2 viteve nga fillimi i kontratës së furnizimit nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Në përfundim të kësaj periudhe, në rast se ju, nuk keni arritur të lidhni një kontratë furnizimi me furnizues alternativ, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në zbatim të ligjit, do të procedojë me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike” njoftoi OSHEE.

Bizneset që dalin në treg të lirë janë ata të lidhur në tension 20kv, 10kv dhe 6kv. Kjo kategori biznesesh të mëdha do detyrohet të paguaj më shumë para për të blerë energjinë elektrike, për shkak edhe të çmimeve rekord edhe në bursën ndërkombëtare.

Për 1 kilovat këto biznese paguajnë 11 deri në 13 lekë, ndërsa në treg të lirë çmimi është më i lartë për shkak se edhe në bursë çmimet janë rritur, pasi një megavat po tregtohet deri mbi 300 euro, dhe mund të paguajnë deri në 25-30 lekë kwh.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?