Ekonomi

Nga 1 shtatori deri tani 68% e biznesit të vogël janë të pafiskalizuar; Ekspertët: Biznesit të vogël t’i jepet edhe 1 vit kohë për zbatim pa penalitete

2 Nëntor 2021, 23:37| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 00:05

  • Share

Rreth 2 muaj para përfundimi të afatit të aktit normativ për mosvendosjen e gjobave të fiskalizimit numri i subjekteve të fiskalizuara vijon të jetë i ulët.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për Monitor nga nisja e procesit deri tani janë fiskalizuar 38% e subjekteve. Në total kanë detyrimin të fiskalizohen 120,000 biznese.

Konkretisht nga biznesi i vogël janë 27,987 tatimpagues të fiskalizuar. Për këtë kategori kanë mbetur pa u fiskalizuar 68% e subjekteve që kanë detyrimin të ndryshojnë faturimin. Tatimet parashikojnë në total fiskalizimin e 90,000 biznesve të vogla. Numri i biznesit të madh të fiskalizuar është 17,526 apo 60% e tyre që kanë detyrimin të fiskalizohen.

Audituesi ligjor Sokol Toska tha për Monitor Brief Insight se ka një ngurrim të bizneseve të vogla për t’u përfshirë në proces, sepse nuk janë të qartë, çfarë do të ndodhë apo se si do të ecë procesi. “Drejtoria e Përgjithshme Tatimore nuk jep përgjigje për shqetësimet e ngritura nga biznesi dhe problemet teknike që ata hasin rrugën. Do të ishte mirë që procesi si fillim të zbatohet mbi bizneset e mëdha dhe korporatat, të cilat kanë më shumë burime për realizimin e procesit. Bizneseve të vogla pa TVSH, që kryejnë shitje me cash, t’u jepet 1 vit kohë, si proces pilot, apo zbatim të fiskalizimit pa masa administrative, siç po ndodh tani”.

Më herët edhe kontabilistë të tjerë u shprehën se procesi është i parealizueshëm deri në fund të vitit, për këtë arsye duhet të shtyhet faza tranzitore. Kontabilisti Sotiraq Dhamo kërkoi shtyrje të kushtëzuar të procesit të paktën 6 muaj. Sipas tij duke qenë se numri më i lartë i bizneseve që nuk fiskalizohen janë të vegjlit shteti duhet të rimbursonte kostot e fiskalizimit për ta në mënyrë që të stimulohen.

Në situatën kur ka ende shumë probleme të reformës të fiskalizimit të paadresuara dhe numri i bizneseve të fiskalizuara vazhdon të jetë i ulët edhe kontabilisti Armand Mala rekomandoi se nëse bizneset do t’i nevojitet më shumë kohë të shtyhet periudha e faljes të gjobave përtej 1 janarit 2022.

Sipas DPT nga nisja e fiskalizimit deri tani numri i faturave të lëshuara në total është 76,202,402. Numri i faturave të lëshuara me para në dorë është 73 mln dhe numri i faturave pa para në dorë është 2,9 mln.

Procesi i fiskalizmit nisi më 1 janar 2021 fillimisht me bizneset e mëdha që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike. Nga 1 korriku nisi faza për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve. Në ditët e parë të fazës II biznese hasi probleme me bllokimin e portalit SelCare për shkak të mbingarkesës. Në këtë fazë pritej të fiskalizoheshin rreth 31 mijë subjekte. Kontabilistët paralajmërojnë se situata pritet të përsëritet kur të përfshihen në proces të gjitha subjektet. Faza III e procesit nisi nga 1 shtatori me përfshirjen e bizneseve të vogla. Ecuria e procesit vlerësohet e ngadaltë, pasi sipas kontabilistëve biznesi i vogël ka keqkuptuar fazën tranzitore me mosvendosjen e gjobave me detyrimin për t’u fiskalizuar./Monitor

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?