Që prej fillimit të pandemisë së COVID-19 në muajin mars në vendin tonë, Tirana është qyteti më i prekur nga virusi. Aktualisht kryeqyteti numëron 12.421 raste aktive me koronavirus nga mbi 23 mijë që janë në total në Shqipëri. Këto raste pozitive janë të shpërndara në të gjithë Tiranën por vatrat më të nxehta me numrin më të lartë të të infektuarve vazhdojnë të jenë zona e ish-bllokut, Astirit, Fresku, Kodra e Diellit dhe Kamza. Kjo dhe për shkak të densitetit të lartë që ka në këto zona.
Situata në 4 spitalet COVID ka qenë e qëndrueshme në dy javët e fundit, aktualisht janë 403 pacientë të shtruar. Nga data 1 dhjetor deri më 15 dhjetor janë shënuar 11.809 raste të reja me COVID-19. Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën 218 qytetarë të prekur nga virusi. Në total janë shënuar 1040 viktima nga koronavirusi.
Në rrugët e kryeqytetit shihen ende grumbullime qytetarësh çka bie ndesh me vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve që nuk lejojnë më tepër se 10 persona së bashku.
Edhe në QSUT, në spitalin Onkologjik qytetarët që presin në radhë për të marrë shërbim mjekësor, gjenden mes një grumbullimi, pa distancë çka rrit mundësinë e përhapjes së infeksionit. Derisa dikush tu thërras emrin për tu futur brenda, këta qytetarë duhet të presin. Maskat i kanë të vendosura e disa të tjerë prej frikës përdorin dhe doreza.
Një javë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve paralajmëroi që në bazë të ecurisë epidemiologjike në vend, do të marrë vendime të reja në lidhje më masat-anti COVID.