Kandidatja e PS në Tropojë, Petrit Malaj

Politikë

Nga bota e artit në politikë, aktori Petrit Malaj: Pranova ftesën e Ramës sepse ka plan të qartë zhvillimi! Tropoja toka e të parëve të mi

5 Prill 2021, 11:26| Përditesimi: 5 Prill 2021, 11:29

  • Share

Nga auditoret e Universitetit të Arteve ku ka edukuar brezat e rinj me artin e së bukurës dhe ngjitjes në skenë të talenteve të rinj, sot aktori i mirënjohur Petrit Malaj, po punon në zonat më të thella në veri të vendit për të kërkuar votëbesimin si deputet i Partisë Socialiste.

Malaj rrëfen në një intervistë per lexo.al se e ka pranuar ftesën e kryeministrit Rama për të kandiduar, “me bindjen se nesër bashkë me të, si dy njerëz të përgjegjshëm e të punës, të zhvillojmë këtë trevë të veçantë që është qarku i Kukësit”.

Por pse konkretisht, banorët e Kukësit duhet ta votëbesojnë atë si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë?

 “Sepse si unë ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, kemi nje plan të qartë zhvillimi të zonës. Turizmi, Ekonomia dhe Arsimi janë ndër kryesoret ku ne ndalemi e theksojmë rëndësinë e veçantë. Të mos harrojmë se 8 vite më parë, shumë nga këto për të cilat ne zotohemi sot, ishin të pa mendueshme dhe absolutisht shumë larg realizimit”, thekson Malaj.

INTERVISTA PËR LEXO.AL:

– Çfarë ju nxiti për të pranuar ftesën e kryeministrit Rama për të kandiduar me Partinë Socialiste në këto zgjedhje?

E kam pranuar ftesën e kryeministrit, me bindjen se nesër bashkë me të, si dy njerëz të përgjegjshëm e të punës, të zhvillojmë këtë trevë të veçantë që është qarku i Kukësit. Kandidatura ime sot nuk është privilegj, por përgjegjësi. Dua të gjendem krah tyre për të ndihmuar në zhvillimin e kësaj zone, dhe kam marrë fjalën e Kryeministrit që sëbashku mund të realizojmë shumë punë të vlefshme.

– Tropoja është vendlindja juaj. Ky rikthim i juaji aty, a e ka bërë më të fortë lidhjen shpirtërore me këtë zonë dhe a e bën kjo edhe më të fortë angazhimin tuaj politik?

Gjithmonë lidhja ime shpirtërore me Tropojën ka qënë e fortë. Sigurisht fakti që unë kandidoj në vëndin e të parëve të mi, e bën angazhimin tim politik më të fortë, më të sinqertë dhe me detyrimin moral për të zgjidhur sa më shumë nga problematikat e tyre. Gjithë jetën time jam përpjekur që të përcjell te djemtë, ato vlera që të parët tanë kanë përcjellë tek unë! Ndaj sot jam krenar, që kam mbështetjen e gjithë familjes time, në këtë sfidë të re që kam ndërmarrë!

– A mendoni që sot qeverisja e Partisë Socialiste ka një bilanc pozitiv punësh të mira dhe a mjaftojnë ato për një mandat të tretë?

Punët e mira nuk kanë fund, dhe punë të mira do kërkohen gjithmonë. Është pikërisht për këtë arsye, pra për vazhdimin e këtyre punëve të mira, që partia socialiste me të drejtë kërkon një mandat të tretë. Vëndi është goditur rënde nga pandemia dhe me parë tërmeti. Këto dy sfida, janë përballuar me sukses nga qeveria, por njëkohësisht kanë ngadalësuar ritmin e punëve të nisura prej saj. Ndaj mandati i tretë do të jetë i nevojshëm për shqiptarët.

– Përse Kukësi dhe Tropoja do të duhet t’ua besojë votën juve personalisht si kandidat dhe Edi Ramës për kryeministër?

Sepse si une, ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, kemi një plan të qartë zhvillimi të zonës. Turizmi, Ekonomia dhe Arsimi janë ndër kryesoret ku ne ndalemi e theksojmë rëndësinë e veçantë. Të mos harrojmë se 8 vite më parë, shumë nga këto për të cilat ne zotohemi sot, ishin të pa mendueshme dhe absolutisht shumë larg realizimit. Kjo zonë do të ketë një zhvillim si kurrë më parë, dhe kjo falë këtyre njerëzve punëtorë të qarkut të Kukësit, e qeverisë shqiptare.

– Megjithatë, në Kuvendin e Shqipërisë, do të jeni edhe si personalitet i botës së artit. Si aktor dhe si njeri me eksperiencë akademike në botën e artit, cila do të jetë qasja juaj nesër si deputet mbi nevojat e këtij komuniteti?

Një qytet pa art e kulturë, nuk mund të quhet asnjëherë i plotësuar. Ndaj qëllimi im do të jetë që të rigjallërohet jeta kulturore dhe artistike në qarkun e Kukësit. Gjithçka është e mundshme, me investimet e duhura dhe planin zhvillimor për Kulturën dhe Artin./LEXO.AL

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?