Kultura

Nga Dardania etnike te ish-Jugosllavia e Ballkani i Hapur, Jusuf Buxhovi rrëfen 'Kosovën': Shteti mesjetar serb, s’ka ekzistuar!

28 Shtator 2022, 17:28| Përditesimi: 28 Shtator 2022, 22:34

  • Share

Me 8 vëllime e mbi 5 mijë faqe, historia e Shqipërisë trajtuar nga historiani e gazetari Jusuf Buxhovi, prej zanafillës, vë në qendër Dardaninë në antikitet, si një prej faktorëve kyç të lënë në hije.

 “Këto tetë vëllime ndonëse duken për Kosovën, janë histori të Shqipërisë natyrale, ku sigurisht Kosova është në qendër të vëmendjes, meqë aty është në subjekt Dardania në antikitet. Pra, Dardania si pjesë e trinomit të rëndësishëm të mbretënive pellazgo-ilire, siç ka qenë Dardania, Maqedonia dhe Epiri. Në këtë aspekt Dardania paraqet një interes të veçantë, sepse ka qenë një prej faktorëve më të rëndësishëm të antikitetit, që për fat të keq historiografia jonë ose e ka anashkaluar, ose nuk ka dashur t’i kushtojë vëmendjen e duhur”, thotë autori Jusuf Buxhovi.

Sinteza “Kosova- një histori e shkurtër” (2021), është vetëm paradhoma e këtij botimi (2012-2015), për të cilën u diskutua sot në Muzeun Historik në kuadër të Javës së Trashëgimisë Kulturore. Autori e rrëfen si një përpjekje të tij për të vënë në linja të duhura historinë.

“Unë jam marrë me këtë problem dhe kam punuar rreth 30 e ca vjet , dokumentet e mia kryesisht mbështeten në ato të antikitetit dhe burimet antike. Kam pasur fatin që kam punuar në Gjermani, si gazetar por edhe si hulumtues, si dhe në arkivat gjermane, veçmas ato të shek.XIX, që ofrojnë pjesën më të madhe të dokumenteve. Kam bërë përpjekje ta rikonstruktoj historiografinë e Shqipërisë, natyrisht ku Dardania është në qendër të saj. Dhe më tej të vijoj deri te historia politike, Lidhja e Prizërenit dhe Pavarësia e Shqipërisë, ku Kosova ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kryengritjet e vitit 1910 e1912. Por që, për fat të keq, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e coptoi , e ndau… Megjithatë ne kemi një fat historik në këtë fatkeqësi, se Kosova megjithatë u shpall shtet i Pavarur, dhe plotëson mozaikun e katër vilajeteve që ishin në Perandorinë Osmane, kërkesë e Rilindjes Komëbtare për bashkimin në një , këtu është përqëndrimi im.”, shprehet më tej historiani.

Dardania antike në përmasat e ngushtuara, sipas tezave të studiuesit, është e njëjtë nga antikiteti, koha e perandorisë së Romës, Bizanti, Perandoria Osmane deri në kohën tonë.

“Unë kam bërë përpjekje që me dokumente të demistifikoj propagandën serbe, për shtetin mesjetar serb, që nuk ka ekzistuar. Historiografia jonë e ka për detyrë demistifikimin e këtyre gënjeshtrave, sepse historiografia serbe ka mbështetur të gjitha gjenocidet e këtyre mbi 100 viteve të fundit, mbi këto programe hegjemoniste të cilat e kanë dëmtuar qenien tonë etnike, por për për fat shqiptarët, Kosova dhe Shqipëria kanë mbijetuar”, thotë më tej Buxhovi.

Është kompleks sipas studiuesit, ndikimi i  Jugosllavisë dhe efektet që i shkaktoi Kosovës. E megjithatë ai rreket të bëjë një bilanc të asaj që ka ndodhur.

“Ajo që ndodhi, me shkatërrimin e Jugosllavisë është një kapitull që ne nuk mund ta kthejmë. Këto quhen historikisht ngjarje irrivisibile dhe ne mund vetëm t’i vlerësojmë ato. Dmth. Ish-Jugosllavia ka qenë një vend, politika e së cilës ka kaluar nëpër disa faza. Faza e parë, ajo e komunizmit, nga 1939 deri në 1968, ka qenë faza kur Tito u shkëput prej stalinizmit dhe filloi të ndërtojë një politikë të vetqeverisjes, por ende të ndikuar nga diktati i shovinizmit serbomadh. Në raport me Kosovën nga 1968 e tutje deri në 1989 Kosova ka qenë subjekt i barabartë i Federatës dhe ajo ka qenë shumë pozitive, sepse u krijuan institucionet kombëtare, universiteti, biblioteka etj. U krijua një bashkëpunim shumë i frytshëm me Shqipërinë. Ishte një faze, kur Kosova po ngrihej në nivelin e barabartë të njësive federative që faktikisht e garantonte vetëvendosjen dhe hapat e ardhshëm, pra nese jugosllavia shpërbëhej ta kishte dhe ajo kartën e vetëvendosjes. Por, ishte Milosheviçi ai që në 89-ën rrënoi autonominë. Ka qënë një koncept i përgatitur, por përkundër gjithë asaj Milosheviçi dhe shovinizmi serbomadh e pësoi një goditje shumë të rëndë, sepse bota nuk e la që të realizonte projektin e tij serbomadh, ose rusomadh në një farë mënyre, dhe intervenoi ushtarakisht”, tregon Buxhovi.

Në rrethana të tilla, kur mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës, është vetëm rrjedhojë e mosnjohjes historike të saj, historiani rrëfen se si shihet prej tij, Ballkani i hapur në modelin e ngushtë Tiranë-Beograd-Shkup.

“Janë përfshirë vetëm tri shtete bashkë, ndërkohë që kanë mbetur jashtë Slovenia, Kroacia, Bullgaria etj. Duhet të jetë një pako e përgjitshme, në mënyrë të tillë që Ballkani të jetë me të vërtetë një paradhomë e integrimeve evropiane. Kështu si po paraqitet tash, nuk jam shumë optimist. Dhe Shqipëria ka të drejtë këtu sepse me të ka dhe një shancë të vetin historik si shtet, dhe ne urojmë që kjo të ndodhë, por të ndodhë bashkë me Kosovën dhe faktorë të tjerë rajonal. Pala shqiptare gjithsesi duhet ta zgjerojë gamën e interesimit të saj dhe qëndrimin ta ketë në përputhje me atë që, Kosova të jetë e barabartë, të pranohet, dhe gjithë faktorët Ballkanikë të jenë aty dhe jo vetëm tri shtete, se atëherë del i njëanshëm dhe del se Serbia do të jetë ai që do të jetë faktor rajonal. Kjo do të ishte kundër interesave edhe të Evropianëve edhe të Shqipërisë”, thotë historiani.

Nuk e konsideron të pamundur njohjen e Kosovës nga Serbia, ndonëse sipas tij është një proces që duhet të vijë natyrshëm.

 “Nuk dua të ngutem, Serbia ende jeton me hipotezat e nacionalizmit serbomadh e për më tepër ajo ende është aleate e Rusisë agresore në Ukrainë. Dhe ky nacionalizëm që është atje, ndërlidhet me Kishën Ortodokse Serbe dhe me intelgjincën, e cila është nën kthetrat e ideve serbomëdha dhe e ka më shumë se të vështirë të çlirohet prej atyre. Kështu është shumë e rëndësishme të arrihen disa marrëveshje, të cilat do t’i tejkalojnë disa ngulfatje që ekzistojnë në ekonomi, në lëvizje të qarkullimit të lirë etj. Kështu me kohë, nëse Serbia do të demokratizohet nga brenda do ta njohë një ditë. Do ta njohë se nuk ka se si të bëhet ndryshe. Nuk jam pesimist, jam optimist, por jo optimist i cili ka agjendë ditore… unë e mendoj pak më gjatë, por që të vijë natyrshëm”, thotë më tej.

Ndonëse nga krerët politikë të dy shteteve, Kosovës e Shqipërisë, bashkimi strategjik së fundmi lakohet me tona më të zbehta, historiani shpjegon si e shef ecurinë e unitetit veçmas ekonomik, arsimor e kulturor, përtej shkrirjes së kufijve.

“Bashkimi është e drejtë historike e popullit shqiptar. Por tashmë duhet të kemi parasysh edhe realitetin. Kemi dy shtete shqiptare që po i nënshtrohen procedurës së logjistikës evropiane. Shqipëria është në NATO dhe sipas rregullores së NATO-s asnjë shtet nuk guxon të ndryshojë kufijtë pa konsesus të saj. Po ashtu edhe Kushtetuta e Kosovës ndalon, çfarëdo ndryshimi të kësaj natyre. Kështu kjo është një ide më shumë romantike, por ne kemi atë reale. Dy shtetet nuk i ndal askush të integrohen, të bashkohen në kuadër të çatisë evropiane në mënyrë demokratike. Ka shumë hapësira kulturore, ekonomike etj., që ne shqiptarët të jemi bashkë. Uroj që në këtë drejtim të shkojmë në përputhje me këtë logjistikë. Pra të jemi në përputhje me interesat evropiane dhe çfarëdo bashkimi të ndodhë, të jetë edhe projekt evropian”, shprehet historiani. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?