Nga ‘Kingmaker’ në pranga, historia politike e Ilir Metës! Pozicionet drejtuese dhe aleancat në 32 vite protagonist

21 Tetor, 17:10| Përditesimi: 21 Tetor, 19:59

  • Share

Sot me pranga në duar, i arrestuar si një i barabartë përballë ligjit, por është padyshim një nga politikanët më jetë gjatë në historinë e Shqipërisë postkomuniste.  Në 1990-ën, kur nisi angazhimin e tij politik, fillimisht si pjesë e lëvizjes studentore që rrëzoi regjimin komunist, Ilir Meta, me siguri, as nuk e ka menduar se pasi të provonte shijen e thuajse të gjitha funksioneve më të larta në hierarkinë shtetërore, do të përfundonte në burg.

Karriera e tij intensive në politikë, shënon plot 32 vite, që nga 1992-shi, kur për herë të parë u zgjodh deputet nën logon e Partisë socialiste që asokohe drejtohej nga Fatos Nano, e për ta gëzuar postin e deputetit në çdo legjislaturë, deri në 2017-ën.

Në Partinë Socialiste do të spikaste si një i ri me ambicie, fillimisht me postet më të larta si nënkryetar partie, e më pas kryetar i Forumit Rinor të PS, FRESSH, në vitet 1995-2001.

Suksesin më të madh si një i ri 30 vjeçar që sapo kishte nisur karrierën politike,  Ilir Meta e arriti në 1999-ën, kur pas dorëheqjes së Fatos Nanos, Partia Socialiste e vendos në krye të qeverisë. Kjo deri në 2001-shin, kur pas zgjedhjeve parlamentare të po atij viti, Meta rikonfirmohet në krye të qeverisë.

Por këtë herë rrugëtimi i tij zgjati edhe më pak, pasi në 2002-shin jep dorëheqjen për të shmangur krizën brenda mazhorancës qeverisëse.

Meta do të shërbente më pas si edhe si Zv.kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës Korrik 2002 – Korrik 2003, duke vijuar kontributin në Partinë Socialiste.

Krisja e Ilir Metës me Partinë Socialiste arriti kulmin në 2004-ën, kur lufta për pushtet mes grupeve në parti, bëri që së bashku me një grup të vogël mbështetësish të largohej. Më 6 tetor të 2004-ës ai themeloi dhe drejtoi Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në vitet në vijim, duke i dhënë partisë fytyrën e tij, e duke u bërë faktor në skenën politike, Ilir Meta, bën një kapërcim jo të zakontë për një të majtë siç ishte deri në ato momente, një aleancë me Sali Berishën për të mbajtur në pushtet Partinë Demokratike. Martesa e tyre politike do të zgjaste deri në 2013-ën, kur Ilir Meta nënshkruan një tjetër marrëveshje për bashkëqeverisje, këtë herë me Partinë Socialiste që drejtohej nga Edi Rama.

Për ta shpërblyer për aleancën e re, mazhoranca socialiste e propozon si kryetar të parlamentit dhe në 11 shtator të 2013-ës, Ilir Meta zgjidhet kryetar i Kuvendit me 91 vota.  Detyrën si numri dy i shtetit, pozicioni më i rëndësishëm pas atij që kishte mbajtur si kryeministër, Ilir Meta e mbajti deri në 2017-ën, kur po nga PS, propozohet si President i Republikës.

Më 28 prill të 2017-ës, ai zgjidhet si President me 87 vota.  5 vitet e Ilir Metës në krye të shtetit nuk do të ishin aspak një presidencë e zakonshme. Tonet e tij do të ishin të larta, e me nuanca të forta politike, aq sa në 2 marsit të 2020-ës, 1 vit para zgjedhjeve parlamentare, Meta si President thirri një protestë kundër qeverisë, në mënyrë të paprecedentë, ndërsa ishte kjo periudhë kur rilidhi, këtë herë edhe më fort, aleancën me Sali Berishën.

Ndryshe nga sa pritej, në përfundim të mandatit të tij si President, edhe pse tashmë me një karrierë të gjatë politike, Ilir Meta, i rikthehet sërish politikës aktive. Në korrik të 2022-shit, merr sërish frerët e LSI-së në dorë, por këtë herë i sjell një fytyrë të re. Partia e Lirisë do të ishte riformatimi i LSI-së së vjetër për t’ju përshtatur ndryshimeve të kohës, që Ilir Meta e drejtoi nga 2022-shi, deri në momentin e arrestimit të tij, më 21 tetor të 2024-ës.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?