Pasi tmerroi mediat italiane për emigrantët dhe trazoi opinionin publik në Shqipëri, Sali Berisha duket se është tërhequr nga qëndrimet e tij. Shenjat e para të kësaj tërheqje u dukën që pas bisedës telefonike mes tij dhe zv,kryeminitrit italian, Antonio Tajani. Ishte ky i fundit që e qortoi Berishën ndërsa kreu i Rithemelimit deklaroi publikisht se nuk do të zhvillonte protesta kundër marrëveshjes Rama-Meloni.
“Më ka marrë në telefon zv/Kryeministri i Italisë Antonio Tajani. Dhe më thotë se, Sali thotë, e pamë atë deklaratën e PD e ne kemi këtë-atë problem, ishte e ashpër. Jo i thashë, ja shpjegova. Për këto arsye thashë unë jam kundër, por i thashë, nuk mund të ketë protesta, PD nuk mund të organizojë protesta që të nxisë ksenofobi, atë nuk e bën” – tha Sali Berisha në 16 nëntor teksa një javë më parë kishte shprehur edhe rezerva raciste ndaj kampit të refugjatëve në Shqipëri.
Duke folur për “Corriere della Sera” Berisha jo vetëm deklarohej kundër refugjatëve, por u vishte atyre edhe krime hipotetike që mund të kryenin në Shqipëri.
“Shqipëria është një vend i vogël, i cili për këtë arsye ka frikë se problemet e para tashmë në vendet e tjera ku kanë lindur këto qendra mund të përforcohen në territorin e saj. Mendoj për Gjermaninë, për vetë Italinë, ku kanë ndodhur vjedhje dhe dhunë seksuale. Imagjinoni për Shqipërinë” – tha Sali Berisha edhe pse ky nuk ishte i vetmi qëndrim kundër.
Më parë, ai paralajmëronte kryeministren Giorgia Meloni se firma e Edi Ramës nuk ka asnjë vlerë juridike. Arsyeja? Sepse ai parashikonte që Ramës do t’i hiqej mandati nga Kushtetuesja mbi bazën e akuzave që vetë Berisha kishte nisur të artikulonte pa prova. Por kampi i refugjatëve duket si një temë që e bezdis Sali Berishën, të cilin vijojnë ta pyesin në çdo dalje publike.
Sikleti nga kjo ‘dopio gjashtë’ është i kuptueshëm.
Së pari, me gjasë sepse disa tentativave për protesta në Shqipëri kundër emigrantëve nuk iu përgjigj askush, përkundrazi dështuan në mënyrë të turpshme. Së dyti, vet telefonata-shuplakë e të djathtit Antonio Tajani duket se e ka zbythur kreun e Rithemelimit nga yryshi që kishte marrë. Sot, Berisha duke shmangur sërish pyetjen e sikletshme se ç’mendon për emigrantët, ia pasoi topin Grupit Parlamentar.
“Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar është bërë një diskutim i gjatë, por pa konkluzion. Kjo u shty që të vazhdojë në një mbledhje të veçantë. Do të mblidhet grupi dhe do ta vendosë. Nuk do të prononcohem para vendimit të grupit, do të mbështes vendimin e tij” – tha mesditën e 22 nentorit Sali Berisha, i cili po çudit jo pak sa herë që e pyesin për refugjatët.