Policia e Shtetit ka qenë në 'gjueti' të makinave të luksit, në lidhje me respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e tyre. Gjatë monitorimit janë gjobitur 123 drejtues të makinave luksoze në Tiranë për mangësi në dokumentacion, për gara shpejtësie, për manovra të rrezikshme në rrugë, mos vendosje targash në vendin e caktuar, për errësim të xhamave jo në përputhje me udhëzimin e organeve përkatëse.
Gjithashtu nga Policia Rrugore e Durrësit në bashkëpunim me Forcat Shqiponja është ndaluar mjeti tip "Benz" i blinduar në pronësi të shtetasit F. A., me drejtues shtetasin L. S, i cili qarkullonte i pa pajisur me autorizimin nga organet kompetente. Atij i është vendosur gjobë 12.000 lekë të reja si dhe sekuestrimi i automjetit.
Kontrollet kanë vijuar për të gjitha kategoritë e mjeteve, pasi qëllimi i kontrolleve nuk ka për objekt vetëm mjetet e shtrenjta ose të luksit, por të gjitha kategoritë e mjeteve në raport me parandalimin e aksidenteve rrugore dhe disiplinimin e sjelljes në rrugë, nisur edhe nga shqetësimet e adresuara nga qytetarët në numrin pa pagesë 112