'Nga ministria u tha që Beqir Balluku e delegacioni të evitonin Parisin e të uleshin në Tiranë, nuk u mor parasysh'! Relacioni nga ambasada e Pekinit, në ’74-ën

25 Qershor 2022, 07:34| Përditesimi: 25 Qershor 2022, 07:40

  • Share

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1974, ku Peçi Orgocka dhe Sezai Shyti, funksionarë partiakët pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me anë të disa raport-informacioneve dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, informojnë, lidhur me me zhvillimin e mbledhjeve të 12 organizatave bazë të partisë në përfaqësitë diplomatike shqiptare të akredituara në disa vende të botës, ku u diskutua Buletini Nr.3, lidhur me letrën e Komitetit Qendror, “Mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut”. Raport-informacionet e plota të Peçi Orgockës dhe Sezai Shytit, lidhur me zhvillimin e mbledhjeve të organizatave bazë të ambasadave shqiptare në Pekin dhe Bunes Aires, ku disa diskutantë, si: Jovan Andoni, Qazim Kapisyzi, Fadil Haxhiraj, Përparim Sinani, etj., diskutuan mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, duke u solidarizuar me letrën e Komitetit Qendror të PPSH-së, ku midis të tjerash, Jovan Andoni, u shpreh: “Në vitin 1972, erdhi në Kinë një delegacion ushtarak i miqësisë, i kryesuar nga Beqir Balluku. Delegacioni erdhi nga Shqipëria, me një avion special kinez, ndërsa u kthye për në Shqipëri me avionin e linjës franceze. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e jona, erdhi porosi që avioni të ulet direkt në Tiranë, për të evituar vajtjen në Paris. Por nga ana e Beqir Ballukut nuk u mor parasysh ky udhëzim, dhe ai kaloi nëpërmjet Parisit”.

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga Peçi Orgocka, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me zhvillimin e mbledhjeve të 12 organizatave bazë të partisë në përfaqësitë diplomatike shqiptare në disa vende të botës, ku u diskutua Buletini Nr.3, lidhur me veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, etj.

Mbi disa çështje që kanë dalë në organizatat bazë të përfaqësive jashtë shtetit nga punimi i letrës së K.Q. të PPSH “Mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut”.

Letra e Komitetit Qendror “Mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut”, është punuar e diskutuar deri tani në 12 organizata bazë të përfaqësive jashtë shtetit. Sipas udhëzimeve letra, u lexua individualisht dhe pa zë nga të gjithë komunistët në dhomën e posaçme, dhe çdonjëri prej tyre përgatiti e dorëzoi me shkrim diskutimin e tij.

Nga studimi i materialeve të organizatave bazë që i kanë ardhur sektorit të jashtëm del se, letra e Komitetit Qendror është punuar e diskutuar me kujdes. Gati të gjithë komunistët kanë marrë pjesë në diskutime.

Organizatat bazë dhe komunistët e këtyre përfaqësive me anonimitet të plotë, kanë aprovuar vendimin e Plenumit të V-të të Komitetit Qendror dhe kanë dënuar me urrejtje të madhe, veprimtarinë armiqësore, antiparti, antishtetërore, antikombëtare, e kapitullonte, të Beqir Ballukut.

Nëpërmjet diskutimeve komunistët, kanë shprehur dashurinë e madhe për Partinë, Komitetin Qendror, dhe shokun Enver. Ata, kanë kërkuar që tradhti e Beqir Ballukut, të ndiqet, gjykohet, e dënohet, pa mëshirë nga organet e drejtësisë.

Në mbledhjet e organizatave bazë të përfaqësive jashtë shtetit, komunistët jo vetëm u solidarizuan plotësisht me vendimet e Plenumit të V-të të Komitetit Qendror, por njëkohësisht u nxorën mësime e detyra për të zhvilluar më tej rolin e organizatave të tyre në veprimtarinë e përfaqësive, për të forcuar unitetin e mendimit dhe veprimit, për të mprehur vigjilencën revolucionare, dhe morën një sërë masash që kanë të bëjnë me ngritjen e nivelit ideologjik të tyre, duke i studiuar e përvetësuar më thellë materialet e Partisë sonë dhe veprat e shokut Enver.

Gjatë punimeve të diskutimit të letrës së Komitetit Qendror nga ana e organizatës bazë së ambasadës në Pekin, disa komunistë kanë ngritur këto çështje për Beqir Ballukun:

1 – Komunisti Jovan Andoni, në diskutimin e tij ka thënë se: në vitin 1972, erdhi në Kinë një delegacion ushtarak i miqësisë i kryesuar nga Beqir Balluku. Delegacioni erdhi nga Shqipëria, me një avion special kinez, ndërsa u kthye për në Shqipëri me avionin e linjës franceze. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e jona, erdhi porosi që avioni të ulet direkt në Tiranë, për të evituar vajtjen në Paris. Por nga ana e Beqir Ballukut nuk u mor parasysh ky udhëzim, dhe ai kaloi nëpërmjet Parisit.

2 – Qazim Kapisyzi, gjatë diskutimit të tij në organizatën bazë, ka thënë se Beqir Balluku, çështjen e të ngrënit, e kishte vënë në radhën e problemeve kryesore. Ai, ishte në gjendje të bisedonte për orë të tëra, për të ngriturën pasi ai, i frekuentonte shumë, gostitë, drekat, dhe darkat. Beqiri, fliste shumë për rregullat financiare dhe po ky i fundit, me drekat e darkat që hante nëpër repartet e Ushtrisë, i shkelte këto rregulla.

Megjithëse këto shiheshin nga kuadrot kryesorë të ushtrisë, madje disa herë tregonin dhe barsoleta për oreksin e Beqirit. Beqir Balluku, shumë rrallë asistonte në përgatitjen luftarake të trupave, si dhe në përgatitjen tekniko-operative të shtabeve. Ai, edhe grupin e tij të kuadrove kryesorë të Ushtrisë, nuk e drejtonte personalisht por ja ngarkonte si detyrë Petrit Dumes. Ndërsa vetë vinte rrallë, ose pothuajse nuk vinte fare.

Ai, nuk e shikonte se çfarë bëhej në Ushtri. Gjatë 3 viteve që unë kam shërbyer si Komandant Korpusi në Shkodër, nuk mbaj mënd që ai të ketë ardhur së paku një herë të vetme për të parë se çfarë bëhet në këtë zonë. Beqiri, mbyllej në zyrë dhe ishte shkëputur totalisht nga jeta e Ushtrisë. Beqir Balluku, fliste për nevojën e zhvillimit të debatit, dhe të rrahjes së mendimit, por në mbledhjen e Kolegjiumit, ai bëhej çdo ditë e më tepër prepotent dhe arrogant.

Kur diskutimet ndonjëherë nuk përputheshin me mendimet dhe idetë e tij ai, fliste me nervozizëm, godiste tavolinën, dhe kalonte në akuza personale me epitete, duke vënë në dyshim aftësitë e njërit apo tjetrit. Në një mbledhje të Kolegjiumit të Ministrisë, kur u diskutua problemi i harmonisë në udhëheqjen e Ministrisë unë atij, ja kam vënë në dukje këtë të metë. Këto janë disa nga çështjet që kanë dalë gjatë punimit të letrës së Komitetit Qendror të PPSH-së.

                                      5.11.1974

                                      Peçi Orgocka

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga Sezai Shyti, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e bëra nga ana e organizatës bazë të komunistëve të ambasadës shqiptare në Buenes Aires të Argjentinës, ku u diskutua për Buletinin Nr.3, për veprimtarinë anti-parti të Beqir Ballukut, etj.

 

                                                        I N F O R M A C I O N

Mbi organizatën bazë të përfaqësisë sonë në Buenos Aires.

Nga data 6 deri në 9 Nëntor 1974, ishim me shërbim në përfaqësinë tonë në Buenos Aires. Gjatë kësaj kohe përveç të tjerash, morëm pjesë në mbledhjen e organizatës bazë për punimin e letrës së shokut Enver Hoxha, lidhur me tradhtinë e Beqir Ballukut.

I informuam shokët mbi përmbajtjen e Buletinit Nr.3 të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, të Tetorit të vitit 1974, lidhur mbi detyrat që shtroi mbledhja me sekretarët e organizatave bazë të Partisë të përfaqësive jashtë shtetit në Qershor të vitit 1974, mbi gjendjen në vendin tonë. Organizata bazë e Partisë, përbëhet nga 4 vetë, nga 6 punonjës që ka kjo përfaqësi (dy shoferët nuk janë të organizuar).

Mbledhja e organizatës bazë, u zhvillua konform udhëzimeve të Komitetit Qendror. Të gjithë shokët lexuan letrën e shokut Enver, dhe përgatitën mendimet dhe diskutimet e tyre me shkrim. Diskutimet verbale dhe shkëmbimi i mendimeve, u bënë jashtë në terren për shkak të kushteve jo të mira që ka ambasada për këtë punë (ajo ndodhet në katin e 3 të një ndërtese 5 katëshe ku banojnë dhe familje).

Nga diskutimet me shkrim të shokëve, si dhe nga opinionet e tyre, del se ata pa përjashtim, e dënojnë me urrejtje veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. Ata, solidarizohen plotësisht me letrën e shokut Enver dhe se u munduan që të analizojnë punën e tyre nën dritën e kësaj letre dhe të konkluzioneve që dolën nga mbledhja e organizatave bazë të Partisë së përfaqësive jashtë shtetit në Qershor të 1974.

Nga studimi i protokolleve të kësaj organizate që nga Qershori i vitit 1974 dhe deri tani, dhe nga bisedat me Sekretarin e saj shokun Përparim Sinani (që është njëkohësisht dhe Sekretari i II-të i ambasadës) konstatuam se:

A – Mbledhjet e organizatës nuk zhvillohen siç duhet dhe veprimtaria e saj nuk reflektohet në dokumentet përkatëse. Kështu për shembull, raportet e paraqitura në organizatë deri tani, janë më shumë diskutime personale të atyre që i kanë mbajtur, sesa një përgatitje serioze ku të përfshihen dhe mendimet e të tjerëve. Raportet janë shumë të shkurtra rreth 3-5 faqe, të dobëta, dhe pa analizë të hollësishme të problemeve dhe detyrave konkrete.

B – Në protokollet e organizatës nuk janë reflektuar diskutimet e shokëve, kështu që nuk dihet mendimi dhe qëndrimi i çdo komunisti për problemet e shtruara në organizatë. Aty nuk ka, kritikë, autokritikë, debate, e ballafaqime mendimesh.

Shoku Përparim Sinani, këtë situatë e argumentonte me justifikimin se kanë pasur shumë punë pasi, janë një ambasadë relativisht e re, dhe se kushtet nuk i lejojnë që personeli i saj, t’i zhvillojë mbledhjet brenda në bazë të rregullave.

Ne, e porositëm shokun Përparim Sinani që, pavarësisht vështirësive organizata bazë, duhet të funksionojë në lartësinë e duhur për të udhëhequr gjithë punën në përfaqësi. Nga ana tjetër i theksuam që, forma e arsimit në Parti, të organizohet në bazë të udhëzimeve të K.Q. të PPSH (në dy grupe) dhe jo si deri tani që ju është bërë të gjithëve së bashku. Shokët, ngritën problemin se ju mungon baza materiale pasi nuk kanë literaturën e nevojshme në gjuhën shqipe, etj.

Me gjithë këto probleme ne, vërejtëm se në këtë organizatë bazë ka një unitet të shëndoshë mendimi e veprimi, marrëdhënie të drejta shoqërore, dhe një frymë të lartë mobilizimi për të pritur festën e 30 vjetorit të Çlirimit, me detyra të realizuara. Të gjithë shokët, zotërojnë mirë gjuhën spanjolle.

                           Tiranë më 16.11.1974

                           Sezai Shyti

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga Peçi Orgocka, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e bëra nga ana e organizatës bazë të komunistëve të ambasadës shqiptare në Pekin, ku u diskutua për Buletinin Nr.3, për veprimtarinë anti-parti të Beqir Ballukut, etj.

                                                         I N F O R M A C I O N

Mbi disa çështje që dalin nga mbledhja e organizatës bazë të ambasadës në Pekin lidhur me punimin dhe diskutimin e Buletinit Nr. 3 të K.Q. të PPSH-Së.

Fjalimet e shokut Enver mbajtur në Byronë Politike dhe para disa kuadrove të Ushtrisë, në aparatin e K.Q. u punuan në organizatën bazë të ambasadës në Pekin, nga shoku Behar Shtylla. Nga studimi i protokollit të organizatës bazë dhe informacioni që i dërgohet sektorit të jashtëm nga sekretari i kësaj organizate, dalin këto çështje kryesore :

Të gjithë komunistët e kësaj organizate, dënuan me ashpërsi të madhe veprimtarinë tradhtare, antiparti, komplotistë, dhe revizioniste, të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, e Hito Çakos. Ata, vlerësuan drejtë qëndrimin dhe analizën marksiste – leniniste të Byrosë Politike dhe shokut Enver që zbuluan dhe dënuan veprimtarinë e tyre armiqësore.

Të gjithë komunistët, u solidarizuan plotësisht me fjalimet e shokut Enver dhe janë angazhuar për një punë më intensive për t’i zbatuar detyrat që u ngritën në këto fjalime. Si asnjëherë tjetër në mbledhjen e organizatës bazë, folën të gjithë komunistët.

Ata, kërkuan që Partia të tregohet e pamëshirshme ndaj grupit të puçistëve dhe këta, të ndëshkohen sa më rëndë nga ligjet e shtetit. Në organizatë u bënë përpjekje të mira nga të gjithë komunistët, që nën frymën e fjalimeve të shokut Enver të analizonin punën e tyre me një sy kritik.

Ata, kërkuan që në gjirin e organizatës bazë, të forcohet akoma dhe më shumë kritika e autokritika, sidomos kritika paralele e cila nuk është në lartësinë e duhur. Në këtë mbledhje komunisti Jovan Andoni, ngriti në adresë të Beqir Ballukut këto çështje:

Gjatë kohës së luftës Beqir Balluku ka pasur shfaqje mikroborgjeze. Atij, i pëlqente që të mbante pranë vetes ndonjë shakaxhi. Beqiri, tregonte kujdes të veçantë që të sillte nga qyteti veshmbathje të mira dhe ndonjë kalë ose mushkë për vete.

Në vitin 1972 kur Beqir Balluku ka qenë në Kinë, në krye të një delegacioni ushtarak, në vend që të kthehej me avionin francez direkt për Tiranë, sipas udhëzimeve të qendrës, ai bëri të kundërtën dhe shkoi në Paris. Siç duket këtë gjë, ai e kishte planifikuar me kohë.

Beqir Balluku në mitingun që u organizua në Pekin, u tregua jo serioz, sepse gjatë fjalimit të tij ai bënte disa gjeste dhe e ndërpriste shpesh herë atë duke biseduar me përkthyesin. Gjatë kohës që atij po i lexonin tekstin e një fjalimi në shtëpinë e pritjes, Beqiri dhe Hito flisnin për të shtuar një pjesë ku goditeshin ata që zhvillonin bisedime me amerikanët.

Një natë para se të largoheshin nga Pekini, në sallonin e pritjes së Beqirit ishin grumbulluar një pjesë e anëtarëve të delegacionit ku, është folur shumë për dhënien e dhuratave nga pala kineze.

Hito Çako, ka thënë me zë të lartë se që kur është nisur nga Shqipëria, vjehrra e tij, që ti sillte një qilim. Për dhurata artistike dhe simbolike që u kishin dhënë shokët kinezë ata thonin “Ç’i duam ne, le t’i mbajë ambasada po të dojë”.

Kur u mblodhëm në ambasadë për të ngushëlluar Beqirin për vdekjen e nënës së tij, Hito Çako, i thurte elozhe Beqirit, duke i thënë: “Ne ty të kemi si babanë tonë, të kemi udhëheqës, nëna juaj ishte si nëna jonë, dhe e të gjithë popullit”.

Mbas mbledhjes së organizatës, shoku Jovan i ka thënë shokut Behar Shtylla se, atëherë gjatë vizitës në Kinë, e shoqja e Beqirit kërkoi një paradhënie nga ambasada, për arsye personale. Beqir Balluku i ka thënë së shoqes se te ambasada të merrte 50 juen, se ç’kishin për të blerë, do t’i blinin në Paris me dollarë. Ku, dhe nga, i kishte gjetur ai këto dollarë në Paris?!

Në këtë mbledhje si dhe në një mbledhje tjetër të organizatës, janë bërë disa kritika dhe në adresë të shokut Qazim Kapisyzi, ish – atashe ushtarak në Pekin, dhe të shoqes së tij, Agime Kapisyzi. Këto kritika janë bërë nga komunistët Fadil Haxhiraj, Jovan Andoni, si dhe nga disa shokë të tjerë. Në diskutime u tha se, përpara se të vinte Qazimi në ambasadë, me porosi të Beqirit, erdhën udhëzime për një trajtim të veçantë të tij, p.sh., t’i rritej rroga, të mos bënte dezhurn, etj.

Vetë Qazimi thoshte se kam udhëzime personale nga Beqiri, që të çaj përpara. Beqiri kur ka qenë në Kinë, është përpjekur që të ngrejë lart personalitetin e Qazimit, duke thënë se atë mund ta kishim dhe në nivel ambasadori. Në diskutimin e tij, komunisti Fadil Haxhiraj, ka theksuar se shoku Qazim Kapisyzi, ka qenë arrogant dhe i pëlqente vetja. Ne, thotë ai, kemi punuar për forcimin e miqësisë me Kinën.

Por Qazim Kapisyzi ka pasur raste që nëpërmjet një relacioni, ka informuar qendrën se ne (shqiptarët), po vihemi në një rang me rumunët, vietnamezët, dhe koreanët, nga kinezët. Kur Fadili është kthyer nga Tirana për në Pekin, Qazimi i ka bërë disa pyetje të tipit: “Ke marrë vesh gjë për mua, ke folur gjë për mua në Shqipëri, po për Sadik Bekteshin ke marrë vesh gjë”?! Gjatë diskutimit, Fadil Haxhiraj, propozon që të shikohen disa dorëshkrime që ka lënë Qazimi në Pekin.

Organizata bazë ka vendosur që këto dorëshkrime, t’i dërgohen qendrës. Në një mbledhje që është bërë me studentët në Pekin, gjatë kohës që shokët e ambasadave kishin porosi që të mos flitej hapur për Beqir Ballukun, Qazim Kapisyzi u ka folur atyre hapur për letrën e K.Q. Edhe gruaja e Qazimit, Agime Kapisyzi, është kritikuar për arrogancë ndaj gruas së Fadil Haxhirajt, e disa shokëve e shoqeve të tjera. Në këtë mbledhje të organizatës bazë, shoku Qazim Kapisyzi, nuk ka qenë prezent pasi ishte transferuar në atdhe.

Edhe nga një protokoll tjetër i kësaj organizate, del se shoku Qazim Kapisyzi, ka pasur shfaqje të mëndje madhësisë e të prepotencës, por shokët e organizatës bazë, nuk janë ndalur për t’i analizuar e kritikuar këto shfaqje. Organizata bazë, kritikoi shokët Jovan Andoni dhe Fadil Haxhiraj të cilët megjithëse i dinin këto shfaqje të tij me kohë, nuk kanë pasur guximin që ti kritikojnë ato./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?