Speciale

Nga spiunët e Enveri, te Rusia e Vuçiç, shek.XX me SHBA, studiuesit: Aleanca Rusi-Serbi, faktor destabilizues! Politikanët, pro Amerikës kur u leverdis

22 Shtator 2022, 15:14| Përditesimi: 22 Shtator 2022, 15:25

  • Share

Janë vite komplekse ato të shekullit të XX-të sa i përket marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të shënuara edhe nga distancimi në diktaturë. Ngjarjet kulminante që kanë ndikuar raportet reciproke, mes palëve u sheshuan sot në një tryezë shkencore të Institutit të historisë nga studiues vendas, të huaj e përfaqësues të Ambasadës Amerikane.

Studiesi Bernd Fischer solli një vështrim të krijimit të urave lidhëse mes dy vendeve që në vitet 1939, ku me investimet në arsim e kulturë, e veçmas me ndikimin e mbretëreshës Geraldinë lidhja po forcohej. Rimarrja e raporteve në vitin 1943 me krijimin e një Zyre informative që kishte edhe lidhje me partizanët e Enver Hoxhës, ishte kryefjalë e diskutimit të tij. Ndërsa solli në vëmendje, raportin dokumentar të përgatitur nga Departamenti i Shtetit në SHqipëri përmes informatorit Xhekobs, ku i fundit ndonëse sugjeron njohjen e shtetit shqiptar, kritikon regjimin komunist, për torturat në burgje ekzekutimet e fshehta etj.

“Raporti i Xhekobs kishte statistika si dhe analiza. Kështu 12  përqind e popullsisë në atë kohë përbënin forcat ushtarake, që kishin një impakt të fortë edhe socio-ekonomik, krahas detyrës për mbrojtjen e vendit.  Sipas raportit, udhëheqja në atë kohë po përpiqte të rriste influencën e  Bashkimit Sovjetik, në mënyrë që të instalonin një sistem me rregulla të rrepta”, thotë studiuesi Bernd Fischer.

 Edhe sa i përket opozitës të kohës, në raportin mbi “Qeverinë demokratike të Shqipërisë” citohej se vinte interesat personale, përpara interesave të vendit. Sugjeronte më tej shkëmbimin territorial me ish-Jugosllavinë, ku pjesë të Kosovës ti jepeshin Shqipërisë duke rritur popullsinë me 1/3, ndërsa pretendimet territoriale të Greqisë ndaj Shqipërisë informatori i quan si qesharake.

“Shqiptarët në sytë e Xhekobs ishin patriotë të fortë, me qasje demokratike e dëshirë të madhe për liri individuale e drejtësi. Ata kryesisht shfaqnin një orientim solid pro perëndimor dhe pro amerikan”, shprehet më tej studiuesi Bernd Fischer.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, u ndal tek raporti dypalësh gjatë e pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai u shpreh së ndër çështjet kryesore që kanë shqetësuar Amerikën, kanë qenë ato të polarizimit partiak me dy forcat kryesore, patronazhizmi i partive ndaj institucioneve në vend, përhapja në rajon i konfliktit Serbi-Kosovë (edhe për shkak të mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës), ku SHBA ka shërbyer si faktor neutralizues, e së fundmi Rusia, që e shikon Ballkanin si një aleat të mundshëm strategjik.

“Putin dhe Vuçiç kanë një lidhje të fortë simbiotike. Moska insiston për të krijuar botën serbe, ku serbët duhet të jetojnë në një shtet të vetëm të zgjeruar. Ndërsa në këmbim Serbia duhet të ndihmojë Rusinë të zgjerojë shtrirjen përmes marrëveshjeve energjetike, bashkëpunimeve ushtarake dhe dezinformimit”, thotë Janusz BUGAJSKI, ekspert i çështjeve të Ballkanit.

Fitorja e Ukrainës, sipas Bugajksit do të jepte një mesazh të rëndësishëm kundër krimeve të Luftës, ku përfitues do të ishte edhe Shqipëria. Vendi ynë gjatë këtyre 31 viteve ka pasur Amerikën si aleat me të ngushtë, ndonëse sipas studiuesit Afrim Krasniqi politikanët vendas, edhe në këtë raport, të parat vunë interesant vetjake. E megjithatë SHBA mbetet faktor kyç stabiliteti dhe mbështetje drejt rrugës së integrimit në BE.

“Është i nevojshëm krijimi i një baze të re besimi, partneriteti aktiv dhe të qëndrueshëm, të mbështetur së pari në parime dhe vlera, njësimin e shtetit të së drejtës, një standard më të lartë të demokracisë funksionale, duke ndjekur këshillën që dha sekretari James Beker në vitin 1991: Ta bëjmë lirinë të funksionojë dhe idealin e ri ta kthejmë në realitet”, u shpreh Afrim Krasniqi, studiues dhe dr. i  Institutit të Historisë.

Ora 11:13
Konferenca e 100 viteve marrëdhënie me SHBA, Yuri Kim: Kemi përparuar shumë! Mbështesim Ballkanin e Hapur për të gjitha vendet e rajonit

TIRANË- ‘Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe SHBA-së ka përparuar shumë në këto 31 vite.’ Kështu deklaroi ambasadorja amerikane në konferencën “Shqipëri-SHBA” që po zhvillohet në Tiranë në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kryediplomatja e SHBA-ve Kim shprehu emocionet për pamjet e vitit 1991 ku me qindra shqiptarë pritën në shesh Sekretarin e Shtetit James Baker.

“Regjimi i Hoxhës mbylli vendin dhe u përpoq të helmojë miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikaneve.  Në vitin 1991 pati një fillim të ri.

Edhe pse kam parë me mijëra herë fotografi, ende më prekin shumë fotot e 300 mijë shqiptarëve. U mblodhën në sheshin Skënderbej për të thënë se ne jemi me ju, për të dëgjuar sekretarin Baker se liria funksionon”, tha ajo.

Ambasadorja tha gjithashtu se ka ende shumë për të bërë. “31 vite pas rënies së komunizmit mbetet ende shumë për të bërë. Mendoni sa shumë kemi përparuar’- tha ndër të tjera ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

Ndër të tjera, Yuri Kim pas dyerve të konferencës, u shpreh se mbështet të drejtën në Ballkanin Perëndimor dhe integrimit në Evropë.

‘Mbështesim të drejtën e Ballkanit Perëndimor të jenë të integruar në Evropë. Do përpiqemi të fshijmë çdo barrierë që ka mbetur nga Ballkani i Hapur për të gjitha vendet e rajonit.’- tha ambasadorja.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ishin vendosur më 28 korrik 1922. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA fillojnë në vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Woodrow Uillson i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?