Për të 49-ën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të ecin përpara me konstituimin e Parlamentit. As këtë të shtunë, ata nuk mundën dot të formojnë komisionin parlamentar për votimin e fshehtë për kreun e institucionit. Vazhdimi i seancës konstituive zgjati vetëm pak minuta njësoj si në javët e fundit.
Me 26 Korrikun si afat të vendosur nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj të muajit të kaluar për konstituimin e parlamentit, palët duket se janë vënë në lëvizje. Këtë fundjavë, deputetë të Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt kanë dhënë sinjale për një bashkëpunim të mundshëm me LVV të Albin Kurtit. Këtë të shtunë gjatë pasdites pritet të zhvillohet një takim mes Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit.
Përpara nisjes së seancës së 49, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, tha se pritet që krerët e dy partive të zhvillojnë një takim dhe se prej tij pritet vullnet bashkëpunimi nga Albin Kurti, duke konfirmuar frymën pro një marrëveshjeje nga Nisma.
"Ne presim që sot të zhvillohet takimi. Jemi në afatet e fundit kushtetuese. Unë pres një sinjal pozitiv nga ky takim, që besoj që sot do të ndodhë, dhe vulllnet politik nga lideri i LVV-së", tha deputetja Izmaku për gazetarët.
Nisma Socialdemokrate kërkon postin e Kryetarit të Parlamentit, një opsion për të cilin u fol edhe pak muaj më parë. Megjithatë edhe në rast të arritjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Kurtit dhe Limajt, mbetet e paqartë sesi do shkonte votimi për kandidaturën e kreut të Nismës për Kryetar Parlamenti. Deri më tani, AAK ka shprehur votën kundër kësaj kandidature, ndërsa PDK ka dhënë sinjale të paqarta në prononcimet publike.
Miratimi i një kandidature për Kryetarin e Parlamentit kërkon 61 vota, të cilat LVV së bashku me Nismën Socialdemokrate nuk i arrijnë edhe në rast bashkëpunimi. Seanca e radhës do të jetë të hënën në 21 Korrik, ndërsa e shtuna e ardhshme përbën afatin e fundit sipas Gjykatës Kushtetuese që vendosi një limit 30 ditor për konstituimin e kuvendit që nga publikimi i aktgjykimit të saj. Presidentja e republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të marrë hapa të tjerë me Kushtetuesen, pasi mbeten të paqarta pasojat në rast të shkeljes së afatit të parcaktuar nga ajo.
Komente
