Titulli i huazuar për këtë shkrim është marrë në fakt prej epigramit të kapitullit “Drejtësia” të librit “21 Leksione për shekullin e 21” me autor Yuval Noah Harari. Për autorin hebre, megjithë evolucionin e madh që nga paraardhësit tanë dhe cakun ku jemi, ne jetojmë në një iluzion. “Ne vështirë se jemi përshtatur me botën në të cilën jetojmë”, e shpreh ai me cinizmin karakteristik intelektual, ku dyshimi është premisë për çdo dije. I drejtohet një auditori që e kalon vendin e tij kurse ne po abstragojmë me Shqipërinë. Pas plot tridhjetë e një vjetësh përballja jonë me drejtësinë dhe vlerat mbart një hipokrizi të pamatë. Dhuna e ditëve të fundit tek Selia e Partisë Demokratike na tregoi se veç dy krerëve të saj Berishës dhe Bashës, protagonistë të dorës së parë të ngjarjeve, është edhe fakti se: ne njohim apo nuk kemi forcë të kultivojmë vlerat e drejtësisë ose bazën nga ku mund të nisë realisht një dialog i dorës së parë të vlerave. Dhuna në PD është një problem që po konsiderohet si i brendshëm, mbartur nga shumë arsye, por ajo që kuptohet lehtësisht lidhet me mungesën e strukturave demokratike në parti dhe mbi të gjitha: Respekti i drejtësisë, si koncept dhe si Institucion. Berisha nuk mund të pranojë kurrë ato dëme që i ka krijuar formacionit të tij, paçka se shpesh e fajësoi veten në procesin e “Foltoreve” për humbjet e PD-së nën Bashën; ashtu si Basha, dishepulli dhe tashmë armiku i tij më i madh, as nuk denjon se është një nga fajtorët kryesorë të kësaj gjendje me humbjet në rresht.
Është kaq e vështirë, sepse në atë grup vlerash demokratike që duhet të mbartë një shoqëri tranzicionale si kjo jona, kjo e Shqipërisë po e kalon më së keqi të ashtuquajturin “Tranzicion”. Nëse demokracia shqiptare do të kuptonte realisht procesin normal të shkak-pasojës në këtë sistem, atëherë gjërat do të ishin krejt më ndryshe. Berisha pas dorëheqjes nuk do kërkonte të riniste sërish nga fillimi, Basha nga stërhumbjet duhej të jepte dorëheqjen. Në vend të tyre, ata po na fusin në arsyetime për pasojën, pa na e përmendur asnjëherë shkakun: Që e dëmtuan si kurrkush tjetër këtë formacion, aset të shqiptarëve. Dhe, në këtë hulli, ku përfshihet që nga abstragimi ideologjik i Berishës, te përsiatjet kinse demokratike të Bashës, njerëzit e thjeshtë nuk “kuptojnë” një gjë të thjeshtë: pse janë kapur kaq fort këto dy personazhe pas derës së partisë. Njëri duke e fortifikuar kurse tjetri duke dashur ta shpartallojë. Kur i pyet secilin, atëherë arsyetimet janë globale: lidhje të ndërlikuara botërore, SOROS, krim e çfarë-do-tjetër, kurse për njerëzit mbet pyetja e thjeshtë: po sa ndikon kjo tek përditmëria dhe jeta e përditshme, mbijetesa… Sërish Harari, te i njëjti kapitull: “Në rrjetin e frikshëm të lidhjeve ekonomike dhe politike dhe përderisa lidhjet e rastësishme globale janë kaq të ngatërruara, atëherë e kam të vështirë t’u përgjigjem pyetjeve më të thjeshta, të tilla si nga vjen dreka ime, kush i ka paguar këpucët që kam veshur dhe çfarë bën fondi i pensioneve me paratë e mia”.
Po pse vallë jemi kaq konfuzë? Teoritë e konspiracionit me lehtësinë e sintezave që bëjnë nga burime të tërthorta dhe lehtësisht të pranueshme por qartësisht të dyshuara po fitojnë përditë terren, pikërisht prej konfuzionit të arsyes. Na tregohet para syve dhe live para ekranit se po bëhet dhunë dhe njerëzit që e bëjnë ose orkestrojnë dhunën qeshin sikur po bëjnë një kremtim dhe të bindin po live se është thjesht reagim demokratik!!! Prodhohet një lëndë që duket vizualisht se është gaz, por interpretimet janë çfarëdo, sikur gazi është një lëndë ende e pazbuluar. Institucioni i Drejtësisë me strukturat e veta dëgjon dhe nuk penalizon, teksa provat janë mu aty. Nga ana tjetër, Drejtësia e ka më të lehtë të vendosë pas hekurave një qyqar se këtë masë njerëzish me kinse imunitet që po i numërojnë qindin Shqipërisë. A është një lloj bekimi injoranca jonë, që rrimë larg? A mund ta kalojmë kaq qetë të gjithë këtë dhunë reale; apo si të veprojmë kur të përplasen para syve rroga të frikshme, krijuar sipas një sistemi vlerash të pamerituara; pse kur politikanët dalin nga Prokuroria kanë lumturinë e njerëzve që po kthehen nga një sauna apo një udhëtim i gjatë pushimesh ekzotike, apo e gjitha mbetet thjesht një përpjekje jona e pamundur. Pse nuk i gjen gjë njerëzit që vjedhin frikshëm dhe me shifra marramendëse? Raportet e KLSH-së janë mu aty. Shtojnë stivën e korrupsionit për çdo vit. Po pse gjyqet e të këqijve dhe kundërvajtësve në Shqipëri mbesin në kalenda? Pse kompanitë e mëdha në Shqipëri mund të ndotin dhe nuk i gjen asgjë?! Duket se sofistikimi i mekanizmave të përballjes me Drejtësinë ka sjellë të ashtuquajturën ngatërrim të frikshëm të sistemit. A e kuptojmë dot më këtë sistem, apo dhe ai është si në konceptin e likuiditetit, që parashtron sociologu Bauman. “Sistemi është i strukturuar në mënyrë të tillë që ata të cilët nuk bëjnë asnjë përpjekje për të mësuar diçka mbesin në lumturinë që të fal injoranca dhe ata që përpiqen do ta kenë shumë të vështirë të zbulojnë të vërtetën”, na sqaron sipas mënyrës së tij sërish Yuval.
A bëmë një rrugë të gabuar? A mund të ishte më ndryshe nëse do ndërtonim një sistem drejtësie pa kinse? Jo. Ne jemi dukshëm pjesë e një informaliteti që e ka zënë për fyti vendin, ndaj Drejtësia nuk mund të bëj përshtypje në këtë hulli. Ekziston një periudhë në shkencat politike sociale që njihet si tranzicion dhe me të cilën ne jemi familjarizuar nga përsëritja ngado në vitet post ‘90. Në emër të çrrënjosjes së komunizmit, u bënë jo pak padrejtësi, e kjo shpejt bëri që njerëzit të reflektonin se sistemi i ri demokratik nuk do të ishte aspak miqësor, siç u prit. Veçse inercia e sistemit të shkuar ishte aq e madhe, saqë njerëzve u bënte pak përshtypje, sistemi i ri që po vinte. Teoria e tranzitologjisë, që ashtu sipas emrit të jep të kuptosh një proces ndryshimi, u fut si koncept në ato zhvillime të mëdha që ndodhën në Amerikën Latine dhe kudo, por edhe në Evropë gjatë viteve ’70, kur Demokracia përballej me krimin në rritje, por mbi të gjitha dështimin e dukshëm të autoritarizmit burokratik dhe drejtimeve politike të kohës. Politologu Dankwart Rustow, që e parashtroi, e paraqiti tranzicionin në një proces me katër faza, ku në të parën ai konsideronte fazën e unitetit nacional, që shihej pak a shumë si një kusht paraprak për t’u plotësuar përpara së të kalohej në fazat e tjera më të larta. Ndoshta është faza më e pranueshme ndër shqiptarë, pasi flitej realisht për zgjedhjen e rrugës politike, të cilës duhej t’i përkisnim. Mbase, e vetmja që e kemi kaluar me inerci. Të gjithë e donim udhën demokratike. Një fazë më sipër, te e dyta lidhej me debatin politik dhe mënyrën sesi do të organizohej politika në vend. Ku problem mbetej dhe vazhdojnë të mbeten metamorfozat e frikshme të brezave dhe sidomos ata të lidhur me të shkuarën por edhe mënyra sesi do të drejtohet në vend nga kjo elite e re ende e pakonfirmuar. Faza e tretë lidhet me atë që Rustow e njeh si faza e marrjes së vendimit. Ky është vendi ku ka mbetur Shqipëria, sepse në këtë fazë palët duhet të vendosin që në betejën e tyre të stërgjatë dhe të lodhshme politike duhet t’i afrohen sa më shumë kanoneve demokratike, bash ato që të japin mundësinë të futesh në familjen evropiane, si një vend që e njeh dhe e respekton të drejtën si koncept. Në kohën e vet, Rustow e shihte një cak dhe një mundësi që të kishte gjithmonë një vendim të ndërgjegjshëm të elitave për t’iu përshtatur rregullave të lojës demokratike. Pse nuk po vjen kjo ende në Shqipëri? Ka një përgjigje. Mënyra sesi ne e konceptojmë demokracinë dhe drejtësinë e parimeve dhe mbi të gjitha lojën demokratike duket se ka ende rrugë për të përmbushur. Ka dhe një fazë të katërt, por kjo lidhet me atë moment kur rregullat e demokracisë kthehen në norma të zakonshme dhe e drejta është detyrim normal. Shqipëria e sheh atë edhe më larg se vetë Utopia, të paktën në këtë moment që po flasim dhe për mënyrën sesi e sheh vetë demokracinë.
Politologu Rustow nuk e jetoi dot kohën tonë, ai vdiq në vitin 1996, por mbase do ta rishihte tezën e tij duke bërë nënndarje më specifike, por nga ana tjetër nuk mund të gënjehemi se kjo dinamikë është për të gjithë vendet, apo se procesi i tranzicionit ndjek realisht këtë udhë. Të paktën në Ballkan. Mbase klasat shoqërore tek ne kanë ende shumë punë për t’u formësuar, kurse partitë politike që përfaqësojnë individët e tyre duhet t’i afrohen logjikës së demokracia është kryesisht një çështje e procedurës sesa e një çështjeje substancë.
Shqipëria e Berishës, Ramës, Nanos, Metës, Majkos kërkon ende shumë e shumë sakrificë për të respektuar dhe bindur Drejtësisë si institucion dhe ndjenjës së drejtë. Por mbi të gjitha jo indiferencë për padrejtësinë që na ka mbytur dhe është prezente ngado. Duket se ne e kemi bërë drejtësinë tonë indiferente. Kjo e shpjegon faktin pse zyrtarët tanë dalin të kënaqur nga shkallët e prokurorisë, apo kur ata mburren me njëri-tjetrin ose para ekraneve sesa herë kanë qenë në duart e SPAK-ut. Me pak fjalë, ne e kemi bërë drejtësinë tonë krejt demode, sepse duket sikur i përket një kohe krejt tjetër, që nuk lidhet me ne. Një stacion, ku nuk ndalon asnjëherë mjeti. “Krimet më të mëdha në historinë moderne kanë ardhur jo thjesht nga urrejtja dhe lakmia por madje edhe më shumë nga injoranca dhe indiferenca”, e shkruan Harari. Duket se ky është rasti i Shqipërisë. Kurse historia është e mbushur me raste të tilla, ku ne tashmë Drejtësinë dhe simbolikën e saj e kundrojmë bashkë me peshoren dhe shpatën si simbolika legjendash demode por jo në realitetin ku po jetojmë.