Ngjela: Shkarkimi i Metës, hapi i parë i goditjes së korrupsionit!

12 Tetor 2019, 15:56| Përditesimi: 12 Tetor 2019, 15:57

  • Share

Venecia konfirmoi mendimin juridik shqiptar: Meta ka shkelur kushtetutën.

l.

Që në fillim duhet thënë se mendimi i specializuar i Komisionit të Venecias e ndihmon realisht Shqipërinë në ecurinë e saj në luftën kundër korrupsionit.

Shqipëria është në prag të ndryshimit të madh. Edhe Kosova po ashtu. Por Shqipëria është në situatën më delikate: kushtetuta dhe ligjet e miratuara sipas saj në këta tre vjetët e fundit, e eliminojnë të gjithë klasën politike të korruptuar.

Por, kjo klasë po bën rezistencë, sepse nuk po pranon që të ngrihen institucionet e reja antikorrupsion.

Pikërisht këtu ka nisur konflikti amerikan me klasën e korruptuar shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, sepse kjo shtresë kërkon ta shkëpusë nga tutela amerikane Shqipërinë dhe Kosovën.

Duhet të theksojmë se, edhe elita e korruptuar që sapo u rrëzua në Kosovë, në heshtje, ishte kundër politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Ka një sëmundje të njohur në politikën shqiptare: krerët e shtetit, për të mbajtur pushtetin apo për të ardhur në pushtet, bashkëpunojnë me pushtuesit njëqindvjeçarë të Shqipërisë: me rusët dhe me serbët.

ll.

Amerika, për të eliminuar këtë klasë politike të korruptuar në Shqipëri, gjithçka e ka arritur në Tiranë me forcë dhe jo me arsye. Në fakt nuk kishte rrugë tjetër.

Një i tillë ishte edhe konflikti i politikës amerikane me Ilir Metën dhe me lëvizjen e dhunshme të Berishës dhe Bashës.

Nga lufta antikorrupsion rrezikohen sot të gjithë liderët e të dy krahëve të politikës. Por, pyetjet që ngrihen tani janë këto:

Çdo të bëjë mazhoranca, a do ta çojë luftën deri në fund? A do ta shkarkojë Kuvendi i Shqipërisë Ilir Metën?

Nuk ka rrugë tjetër, do apo nuk do kjo mazhorancë, Meta ka shkelur kushtetutën, dhe shkarkimi i tij, që është një nga krerët e korrupsionit Shqiptar, i hap mundësitë e besimit të Shqipërisë kundrejt Bashkimit Europian.

Komisioni profesional i Venecias e shprehu qartë: Presidenti i Shqipërisë ka shkelur kushtetutën. Por, gjykimin, tha ajo, e ka në dorë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Saktë. Komisioni i Venecias nuk është gjykatë, por vetëm një komision profesionistësh.

lll.

Shqiptarët janë të lodhur nga një bandë pushtuesish, e cila ka afër tre dekada që po i detyron të lënë vendin e tyre si pasojë e varfërisë.

Shkarkimi i Ilir Metës nga posti i presidentit të Republikës është një hap i madh perpara në luftën kundër korrupsionit.

Rasti Meta, me anullimin e datës së zgjedhjeve, realisht ka qenë ndihma e madhe juridike që presidenti shqiptar donte t’iu jepte forcave antishtet të Partisë Demokratike.

Liderët e Partisë Demokratike ishin hedhur në sulm të dhunshëm për të shpërbërë shtetin shqiptar. Donin që ta dhunonin shtetit institucionalisht dhe, në anarkinë e ardhur, të mund të shpëtonin veten dhe pronat e paligjshme, duke shkatërruar Shqipërinë. Ishte forca e politikës amerikane që i shkatërroi plotësisht.

Por, a do të vijojë kjo politikë force amerikane, deri në përfundimin real të Reformës antikorrupsion?

Sigurisht që do të vijojë.

lV.

Në fakt, edhe revoltat antishtet Berisha-Basha, edhe zhdektetimi zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Meta, kanë qenë lëvizje antiamerikane.

Po, ku konsiston antiamerikanizni i tyre?

Duhet të kuptohemi: antiamerikanizmi Berisha-Meta-Basha, nuk është një lëvizje doktrinare kundër Amerikës, por një aspekt i veçantë që lidhet me Reformën antikorrupsion që po drejtojnë amerikanët këtu, në Shqipëri.

Por, ama, kjo është arësyeja që janë të mundur. Nuk kanë më asnjë shpresë.

Kurse, po ta shohësh në një prizëm historik, shkarkimi i Ilir Metës, është në fakt, hapi i parë drejt shpëtimit të Shqipërisë.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?