Nëse do të pranonim një situatë hipotetike ku Shqipëria nën drejtimin e kryeministrit Rama do kishte arritur një standard jetese më të lartë se ai perëndimor dhe këtu kam parasysh të gjitha fushat: ushqimi, strehimi, punësimi, argëtimi, etj., kjo a do të bëhej shkak që në Shqipëri opozita të shkrihej e të mos ekzistonte më? Po opozitarë të llojit Berisha, Basha e Kryemadhi, nën luksin që po i ofronte popullit qeveria “Rama”, a do tërhiqeshin nga jeta politike?
Në fakt, nuk do të ndodhte as njëra e as tjetra. Që do të thotë se, sado standarde të larta jetese të ofrojë një qeveri, opozita do të ekzistojë, po ashtu edhe liderët politikë do synojnë pushtetin. Sado në perfeksion të qeverisë një qeveri, do gjendet dikush që do pretendojë se diçka nuk shkon edhe aq mirë e është pikërisht ai që do e çojë edhe më tej perfeksionin.
Kjo dinamikë konkurrence është e natyrshme në regjime demokratike. Po aq e natyrshme është që PD e LSI, të kërkojnë rrëzimin e qeverisë “Rama”, qysh të nesërmen e formimit të saj. Përgjatë një 4 vjeçari, e cila është një periudhë kushtetuese qeverisjeje, opozita e ka mision të saj që të përshpejtojë zgjedhjet. Ashtu sikurse mazhoranca qeverisëse ka misionin e saj për të qeverisur dhe për t’i krijuar opozitës të gjitha kushtet që ajo të protestojë lirisht brenda kuadrit ligjor.
Ka modele opozite që ndjekin rrugë institucionale opozicioni, duke alternuar pjesëmarrjen në jetën parlamentare ku shpalosin alternativa dhe kritikojnë qeverinë, me takimet në terren duke ballafaquar idetë e saj me elektoratin. Ka edhe modele destruktive që braktisin jetën parlamentare dhe vihen në funksion të rrugës duke i tentuar gjërat me forcë e dhunë dhe duke mbajtur qëndrime refraktare e përjashtuese.
Që të ngutesh për të ardhur sa më shpejt në pushtet, në Shqipëri nuk është diçka e re. Jo vetëm PD-ja sot, por edhe PS-ja dje e kanë tentuar këtë gjë. Historia na mëson se me ngutje nuk kanë ardhur kurrë në pushtet.
Duke nisur nga fillimi i pluralizmit politik, më rezulton se në këto 28 vjet asnjëherë një qeveri nuk e ka ndërprerë mandatin 4 vjeçar se këtë ia ka kërkuar opozita. Ka ndodhur vetëm në dy raste, por jo se faktor thelbësor ka qenë opozita.
Më 31 mars 1991 dihet se fitoi demokratikisht ish-PPSH-ja. Një vit më pas PPSH-ja u detyrua ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, jo sepse këtë e kërkonte PD-ja, por sepse Shqipëria mbeti vendi i vetëm në Evropë ku nuk kishte ndodhur ndërrimi i pushtetit politik, nga ish-komunistët, tek forcat e reja demokratike (o Zot sa trishtim ndjej kur disa ish-komunistë të devotshëm më duhet t’i konsideroj pjesëtar të forcave demokratike). Prandaj edhe sikur të mos kishte ndodhur ngjarja e 2 prillit, do të ishin faktorë të tjerë ndërkombëtarë që do e përshpejtonin ndryshimin.
Hera e dytë ka qenë në vitin 1997 ku Partia Demokratike e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme vetëm një vit pasi e kishte “fituar” atë. Mos vallë këto zgjedhje u imponuan nga opozita socialiste? Asfare! Asaj opozite presidenti Berisha i futi një dru të mirë në mes të Tiranës veç dy ditë pas zgjedhjeve dhe e mbylli atë kapitull. Të mos kishte qenë rënia e skemave piramidale, ku shqiptarët nga jugu në veri humbën kursimet e jetës, PD-ja do të qeveriste e qetë deri në vitin 2000.
Pra, përjashtuar këto dy situata specifike, ku ishte fryma popullore kundra njërës e tjetrës parti për ato shkaqe që i thashë, e cila i përshpejtoi zgjedhjet, çdo herë tjetër, partitë fituese i kanë mbyllur të plota mandatet.
Qeveria “Meksi” 1992-1996 e mbylli një 4-vjeçar të plotë ndonëse gjatë asaj periudhe u përball me dy humbje të rënda: zgjedhjet vendore 1992 dhe referendumin për kushtetutën 1994.
Qeveritë socialiste “Nano-Majko-Meta-Majko-Nano” 1997-2005, i mbyllën të plota mandatin 8-vjeçar, ndonëse patën gjatë kësaj periudhe kriza të forta siç ishte ajo e shtatorit 1998 me vrasjen e liderit Hajdari, apo kriza protagonizmi brenda mazhorancës që rrëzonin njëri pas tjetrit kryeministrat socialistë.
Qeveria “Berisha” 2005-2013 e mbylli edhe ajo të plotë mandatin 8-vjeçar pavarësisht se edhe gjatë kësaj periudhe ndodhën situata të rënda si ajo e Gërdecit apo 21 janarit.
Qeveria “Rama” ndodhet në vitin e dytë të mandatit të II-të qeverisës. Pra, kur ka vetëm 6 vjet në pushtet, liderit opozitar Basha i duket se ai po qeveris shumë gjatë dhe i është tekur t’ia ndërpresë në mes mandatin.
Vetëm se historia që shpalosa më lart, nuk e ndihmon në këtë drejtim. Situata shndërrimesh transformuese si ai i vitit 1991 apo humbjesh financiare si të vitit 1996, nuk janë pjesë e aktualitetit që ta ndihmonin për të motivuar popullin për t’u ngritur spontanisht e masivisht.
Pjesa tjetër është ardhje në pushtet me zgjedhje të kohëshme. Nëse Lulzim Basha do na e prishte këtë rregull historik me të cilin jemi mësuar të bashkëjetojmë këto 28 vjet, do të ishte me të vërtetë surprizuese. Ama, duket të ketë parasysh se krijimi i një precedenti kthehet në normë funksionimi. A e ka imagjinuar ai veten ndonjëherë në pushtet?
P.S. Nga gjithë të dhënat e mësipërme, rezuton se e majta dhe e djathta janë në barazim 1 me 1 përsa i përket ndërprerjes së pushtetit përpara kohe, ndonëse nga faktorë të tjerë. Kurse nga periudha qeverisëse rezulton se e majta, deri më tani, ka vetëm dy vite më shumë se e djathta në qeverisje. Barazpeshë më demokratike se sa kjo që ka dhënë populli shqiptar, nuk besoj se e gjen as në vendet perëndimore.