Lulzim Basha

Nikolla: Basha si Shabani te novela 'Djepi arit' e Koliqit!

15 Dhjetor 2019, 12:41| Përditesimi: 15 Dhjetor 2019, 12:44

  • Share

“Djepi arit” është një novelë satirike mjaft interesante e E. Koliqit. Personazhi kryesor i saj është një malësor me emrin Bajram, i cili me një aftësi të veçantë arrin të mashtrojë disa tregtarë shkodranë që janë të etur për para. Mënyra se si ai i rren tregtarët është aq e natyrshme sa mund të thuhet se vetë natyra e Shabanit është krijuar për të mashtruar. Është një mënyrë gati e pafajshme e të treguarit të rrenave që të sjell ndërmend një fragment mjaft interesant të Solzhenicin tek pohonte se “… e përditshme është gënjeshtra te ne – jo tekë natyrash të prishura, por formë ekzistence, kusht i mirëqenies së përditshme të secilit”. Pra, edhe mirëqenia e Shabanit del në dritë nga mjeshtëria e tij prej rrenacaku të pacak!

Më erdhi ndërmend kjo novelë teksa takova në një lokal tipik demokrat të Lezhës (në të cilin edhe këmbët e karrigeve blu kanë nisur të zbardhëllehen) ca miq të vjetër lezhjanë, militantë të paepur të PD-së! Kohët e fundit preferojnë të mos vetëquhen të paepur dhe kanë më tepër preferencë për termin “qëndrestarë” të frymëzuar nga udhëheqja “e lartë” e PD-së! Megjithëse “qëndrestarë”, njëri prej tyre – me humor paksa të papëlqyeshëm për masën demokrate – tha se tashmë duhet të jenë qëndrestarë edhe për rrenat që po u bën Basha. Qëndrestarët e tjerë të pranishëm në tavolinë ishin të dyzuar midis atyre që kërkonin me çdo kusht kthimin e Doktorit dhe shporrjen e Lulit dhe atyre që thoshin se tashmë Luli po e kupton se si duhet drejtuar PD-ja dhe i duhet dhënë edhe një mundësi për ëndrrën e largët të fitores! Aq përshtypje më bëri biseda e zhvilluar mes tyre saqë më solli ndërmend novelën e mësipërme të Koliqit. Mbështetësit e shporrjes së Lulit pohonin pa kurrfarë droje se Luli është rrenacak. “Na ka rrejtë tash një vit duke na thënë se ka zgjedhje të parakohshme pas dy muajsh! Pastaj na tha se nuk duhet të marrim pjesë në zgjedhje dhe na mori në qafë edhe ne që e kishim nga një gjysmë rroge në bashki” – shpërtheu njëri prej tyre.

“Punë e pagrat hajëri i tij”, – vazhdonte tjetri, – teksa Luli më ngjante përherë e më tepër me Shabanin e Koliqit që me dashamirësi i përkundte tregtarët e Shkodrës në ëndrrat e “Djepit të arit”! Është shndërruar në një “forma mentis” lehtësia me të cilin udhëheqësi formal i Opozitës, i cili si veshjen që e ka pingël, edhe premtimet boshe i ka po aq të freskëta sa herë takohet me masat demokrate e sidomos me qëndrestarët që janë gati të “hanë bar” vetëm PD-në të mos e tradhtojnë, siç udhëzonte Enveri dikur! Ashtu si te novela e Koliqit, në të cilën Bajrami u thoshte të eturve për parà “Kam ardhë per nji punë qi mundet me na qitë çirak te tanve” – edhe kryetari formal i Opozitës nuk heziton t’u thotë qëndrestarëve se ata nuk duhet ta humbasin besimin tek ai dhe se e ardhmja do të jetë e ndritur.
Ndryshe nga personazhi Bajram, Basha ka një prirje për t’i shtrirë premtimet e tij si arrat zhigla edhe përtej qëndrestarëve! U kthye para pak javësh nga Gjermania ku ishte një ndër mijëra të ftuarit në Kongresin e CDU-së dhe për kureshtinë tonë u shfaq në media duke pohuar se kishte biseduar në Gjermani për një plan ekonomik i cili do t’u jepte mundësinë të gjithë shqiptarëve (sic: jo vetëm qëndrestarëve!) që të ushqeheshin me lugë arit! Basha bash si Shabani! Pra, sipas premtimeve të tij, në Shqipëri mungoka vetëm një plan dhe gjithçka zgjidhet si me magji! Bash si varri që kishte gjetur Shabani te novela e Koliqit, në pyll, atje në malësi: mjafton me u futë brenda në varr e me marrë mjetet e arta që fshiheshin atje! Rrenat e tij janë aq pjerrakeqe në politikën e Opozitës saqë i ka dhënë shqelmin edhe pjesës së madhe të elektoratit të djathtë që beson akoma se një ditë mund të ëndërrojë për pushtet!

Po aq magjike duken premtimet e Bashës për të zgjidhur problemet me pasojat e tërmetit! Opozita që zgjidh problemet?! Po, po! Opozita organizoi një takim tri ditë pas tërmetit ku kishte ftuar inxhinierë, arkitektë dhe ekspertë ndërtimi dhe njëherazi kishte refuzuar ftesën e Qeverisë për bashkëpunim! Pra, Opozita mori rolin e një OJF-je që kërkon protagonizëm jashtë strukturave të shtetit! Jemi në kushtet e një çudie të hatashme politike: opozita e vendit nuk njeh autoritetin shtetëror të Qeverisë! Me vendimet e saj andatare politike PD-ja po krijon përshtypjen e pjekur tashmë në opinionin publik shqiptar se më shumë se një parti normale politike ajo është një grupim parapolitik me ide të paqarta se si luhet politika europiane! Respekti për institucionet politike e publike është premisa bazë për një parti normale. Kjo Opozitë veç normale nuk është!
Aq e tejshquar është ndjesia e mosbesimit të militantëve të PD-së te kryetari formal, saqë edhe figura e dytë e PD-së (një qëndrestare kjo!) për më tepër se dy dekada, kur u pyet për cilësitë e tij, pati thënë: “atë edhe po e pyetët sa është ora duhet me e pasë frikë se të rren”! Duket pra, përnjëmend se PD-ja ka rënë në pikë të hallit dhe grupet e militantëve që u shtynë me zor e panatyrshëm nga kasnecët e kryetarit për protestë, tashmë janë mbledhur palmuç pa pikë shprese te kjo parti që nuk di kurrsesi të japë një ide politike e të përmbushë misionin si opozitë në shërbim të jetës politike shqiptare!

Hilushi – një ndër personazhet e mashtruar të novelës së Koliqit – bën një përshkrim dashamirës për Bajramin, megjithëse e ka pësuar nga ai: “S`duhet përzie Bajrami me rrenacakët e zakonshëm. Edhe ai ban tregti. Shet andrra. S`kanë të paguem andrrimet e bukura, me të cilat u kënaqme mbramë, nësa Bajrami na përkundte në djepin ari të fantazis së tij”! Problemi i Opozitës sot është se ajo nuk mund t’i lejojë vetes të jetojë në ëndrrat e një novele dhe shumë pak janë të disponueshëm të bëjnë të përvuajturin Hilush që fal këdo!

Bash me të drejtë filozofi Niçe pohonte se: “… nuk i vinte keq nëse dikush e gënjente, por më shumë i vinte keq se nuk do të mund t’i besonte më në të ardhmen”!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?