Vëzhgimet e para të ekspertëve gjatë Censusit të Shpendëve Ujorë Dimërues flasin për ulje të numrit të tyre krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak të ndryshimeve klimaterike të cilat nuk kanë prekur vetëm Shqipërinë.
“Përgjithësisht me ndryshimet klimaterike ka një ulje të numrit të popullatës së përgjithshme të shpendëve dimërues, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun”, thotë Spase Shumka, profesor Universiteti Bujqësor.
Profesor Shumka thotë se rritja e temperaturave nuk është faktori i vetëm që disa shpendë po rrezikojnë zhdukjen në Liqenin e Pogradecit.
“Ka të dhëna të sakta për disa shpendë që ushqehen në pjesën e bregut të Liqenit me rërë, janë shpendë sqepgjatë të cilat pothuajse po rrezikohen. Në Pogradec kemi parë një specie të tillë, quhet “Galinago galinago” tani pothuaj nuk e kemi ndeshur vitet e fundit. Ndërtimet e fundit, platformat do ta cënojnë këtë gjë, është një element shumë negativ është zonë UNESCO dhe këto gjëra janë kundër shëndetshmërisë së ekosistemit”, thekson ai.
Gjatë vëzhgimit, në Liqenin e Ohrit është konstatuar një specie e re.
“Zakonisht shohim në Liqenin e Ohrit rreth 25-27 lloje, sivjet kemi një specie të re, bëhet fjalë për Gjelëzën Sqephollë të cilën e kemi parë në afërsi të Tushemishtit, nuk e kishim parë vitet e mëparshme”, vijon Shumka.
Krahas ekspertëve, procesit të Censusit që ka nisur që nga e shtuna janë bashkuar shumë vullnetarë dhe pasionantë të natyrës, ndërsa pamje nga puna në terren ka ndarë edhe kryeministri Rama.
"Ka nisur në të gjithë vendin Censusi i Shpendëve Ujorë Dimërues, nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura por edhe dhjetëra ekspertë, vullnetarë dhe pasionantë të natyrës e biodiversitetit që kanë zbritur në terren për të dokumentuar ligatinat", shkruan Rama.