Nis 'Java Globale e Parasë', Sejko: Të nxisim edukimin financiar të fëmijëve

23 Mars 2021, 19:14| Përditesimi: 23 Mars 2021, 19:25

  • Share

Ka nisur sot java e parasë për vitin 2021, me fokus ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen. “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”, ishte tema e përzgjedhur edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me synimin të edukoj të rinjtë të përdorin produktet digjitale, pagesat apo aplikime online .

Guvernatori Gent Sejko nënvizoi rëndësinë kyçe që kanë njohuritë mbi një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe inovator.

“Sa i përket nxënësve dhe të rinjve, krahas aspektit shëndetësor, pandemia i ka përballur ata edhe me sfida në fushat e edukimit dhe punësimit. Për këto arsye, tashmë është më e rëndësishme se kurrë t’i pajisim ata me dijen e duhur mbi menaxhimin e financave personale dhe shfrytëzimin e saktë të produkteve bankare”, u shpreh Sejko.

Guvernatori u shpreh se është shumë e rëndësishme që edukimi financiar i fëmijëve të nis që në moshë të vogël.

“Ky pohim përbën dhe filozofinë e programeve të institucionit tonë, i cili synon ndërtimin e urave të komunikimit, ndërgjegjësimin dhe rritjen e njohurive financiare  tek brezi i ri. Ata duhet të përftojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimin dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, me qëllim që në të ardhmen e tyre si individë të maturuar të arrijnë mirëqenie financiare si dhe të jenë të aftë të përballojnë situatat e emergjencës, siç është kjo që po kalojmë aktualisht”, pohoi Sejko.

Në takimin e zhvilluar online ishin të pranishëm përfaqësues të bankave si dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi. Po ashtu u shpërndanë edhe çmimet e fituesve për 4 konkurse Vizatimit të Mirë, Fotomontazhet më të mira, videon më e mirë dhe postimin më të mirë në Facebook me temë “Ndikimi i COVID-19 në ekonomi dhe kujdesi për financat personale në periudha pandemie”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?