Kultura

Nis në ‘Opera’ prova d’assieme e  shfaqjes 'Cavalleria Rusticana', rrëfehet regjisori Nikolin Gurakuqi e solistët

27 Shtator 2022, 22:22| Përditesimi: 27 Shtator 2022, 22:27

  • Share

Prova d’assieme ka nisur. Në sallën e “Operas” artistin Nikolin Gurakuqi e rikthen “Cavalleria Rusticana”. E para vepër me të cilën e nisi karrierën në krah të Piro Manit.

“Është një vepër që e njoh mirë. E kam vënë disa herë në skenë, në turne në Itali, deri edhe 35 vite më parë si asistent regjisor i Piro Manit” thotë regjisori Nikolin Gurakuqi.

Skenografia minimaliste e Renold Sulës i jep publikut mundësi të përjetojë të plotë interpretimin dinamik të artistëve si dhe dashurinë, tradhtinë e hakmarrjen që Pietro Mascagni i përmblodhi në një akt.

“Nuk është një shfaqje tradicionale, është një shfaqje simboliste ku në thelb nuk janë ekranet ledëall por është loja artizanale e aktorëve, bota e brendshme e tyre, psikologjia intime e tyre, e gjitha kjo e veshur me aureolën e ditës së Pashkës”.

Artistët presin me emocion të performojnë në skenë. Opera italiane jetësohet në teatër në 30 shtator si dhe dy mbrëmjet e para të tetorit.

“Ky rol përbën një sfidë për mua, por gjithsesi do të përpiqem që të japë më të mirën time”, thotë tenori Armaldo Kllogjeri.

“Ne sot jemi në provën e d’assiemes. Unë jam në rolin e Santuzzas sigurisht që po e përjetoj mjaft mirë sepse e kam edhe rol debut”, thotë solistja Shpresa Beka.

Nga Italia ku dhe vepra u vu për herë të parë në skenë 130 vite më parë, vjen si e ftuar sopranoja Concetta Pepere.  Artistja do të vesh petkat e Santuzzas përgjatë mbrëmjes së parë e të tretë, me në krah tenorin Denis Skura.

“Filluam provat e para, dhe u përballa me një nivel fantastik, qoftë sa i përket orkestrës si dhe të gjithë produksionit. Regjisori e ka rikonceptuar personazhin tim duke respektuar  në maksimum idenë e Maskanjit. Unë jam nga jugu dhe ndiej të njëjtat të drejta si të gjitha gratë, pra të reflektoj plotësisht gruan që është Santuca, si në kohën e operës, ashtu edhe në ditët e sotme”, thotë sopranoja italiane Concetta Pepere.

Në rolin e Alfios ndërrohen përgjatë tre netëve Armando Likaj, Ylber Gjini e Solen Alla. Ndërsa pjesë e pandarë e lojës janë këngëtaret Ina Gaqi e Dorina Selimaj. Trinomi orkestër, solistë e kori i TKOB premton të kalojë provën e besimit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?