TIRANË- Ditën e nesërme do të nisë Konventa Ndërkombëtare e Turizmit, ku do të mblidhen pjesëmarrës nga 38 vende të botës. Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale shkruan se do të ketë një platformë diskutimi dhe promovimi për Shqipërinë si destinacion i ri turistik i Mesdheut.
“Mirëmëngjes dhe me Konventën Ndërkombëtare të Turizmit që nis nesër në Tiranë, në bashkëpunim të veçantë me Organizatën Botërore të Turizmit, ku do të mblidhen pjesëmarrës nga 38 vende të botës, në një platformë diskutimi e promovimi për Shqipërinë si destinacion i ri turistik i Mesdheut, ju uroj të diel të paqtë”, shkruan Rama.
Për këtë ngjarje, më 3 e 4 prill, zv.presidenti Ekzekutiv për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, Frans Timmermans do të qëndrojë në Tiranë për të diskutuar me përfaqësuesit e qeverisë dhe palët e interesuara përparimin e bërë në vend në tranzicionin e gjelbër, përfshirë klimën, mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë e rinovueshme.
Sipas Axhendës, ditën e parë, Timerman do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin Edi Rama, ministren e Turqimit Mirela Kumbari dhe me sekretarin e Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, Zurab Pololikashvili. Po ashtu, është parashikuar një tryezë e rrumbullakët me organizatat e shoqërisë civile mjedisore.
Ky është panairi i dytë më i rëndësishëm me përmasa ndërkombëtare që mbahet brenda një periudhe të shkurtër kohore, pak ditë më parë Shqipëria mori pjesë në panairin ndërkombëar të turizmit në Berlin. Konventa Kuadër për Etikën në Turizëm synon të promovojë turizëm të përgjegjshëm, të qëndrueshëm e të arritshëm universalisht nëpërmjet zbatimit të parimeve etike në turizëm dhe u referohet të gjithë aktorëve në zhvillimin e turizmit në respektimin e parimeve etike në turizëm.