Kultura

Nis punimet Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike, Gjinushi: Arritja më e madhe

25 Nëntor 2021, 22:43| Përditesimi: 25 Nëntor 2021, 22:51

  • Share

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës ka çelur sot punimet në Tiranë.

Rreth 180 studiues të albanologjisë, vendas e të huaj janë ritakuar pas 50 vitesh në Shqipëri, ku kujtojmë se një kuvend me të tilla përmasa është mbajtur në vitin 1972.

Kryetari Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi i ka falënderuar dhe iu uruar albanologëve nga vendi dhe bota mirëseardhjen në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike.

“Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike është për ne ngjarja më e rëndësishme shkencore. Kanë kaluar dekada nga koha kur në Tiranë janë organizuar evente të ngjashme me të. Gjatë kësaj periudhe, studimet në këtë fushë, kanë ndjerë, për mirë e ndonjëherë edhe për keq, peshën e ndryshimeve historike që përfshinë Botën në tërësi, në mënyrë të veçantë vendet ish-komuniste. Hapja dhe liria e fituar mundësoi ndarjen nga trajtimet skematike e të ideologjizuara. Ajo hapi rrugën që studiuesit shqiptarë të qëmtojnë lirisht arkivat, bibliotekat dhe qendrat kërkimore-shkencore jashtë.”, tha akad. Gjinushi dhe theksoi se “Gjatë afro një gjysmë shekulli albanologjia ka njohur ndryshime sasiore e cilësore. Rëndësia e saj është rritur bashkë me rritjen e rëndësisë së shkencave të lidhura me të, si helenistika, romanistika, sllavistika e orientalistika. Albanologjia është me fat që përfaqëson interes shkencor jo vetëm për vete, por edhe si një çelës për të depërtuar në sekrete të këtyre dijeve të afërta, si një shkencë me rëndësi si në rrafshin ballkanik, dhe në atë indoeuropian.” dhe shtoi se rëndësinë e albanologjisë, sikurse rëndësinë e çdo shkence të ngjashme me të në vendet tona në rajon, e kanë rritur edhe proceset tashmë të definuara qartë të integrimit të shqiptarëve në një botë më të madhe, procese të cilat kërkojnë edhe ekspertizën shkencore të dijetarëve albanologë.

“Gjysmë shekulli më parë gjuhëtari Eqrem Çabej pohonte se arritja më e madhe e albanologjisë ishte që tashmë ajo erdhi në shtëpinë e vet.”, tha akad. Gjinushi dhe iu uroj pjesëmarrësve punime të suksesshme dhe qëndrim të mbarë në vendin tonë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti Kuvendin dhe tha se albanologët shqiptarë qëndrojnë me dinjitet të krah të dijetarëve të shquar evropianë e botërorë

 “Para disa vjetësh, kur shkrimtari ynë me njohje botërore Ismail Kadare, pati një takim me përkthyesit e tij në afro 50 gjuhë të Botës, të ftuar nga Akademia e Shkencave për të nderuar 85-vjetorin e lindjes së tij, ndër të tjera tha se gjuha shqipe do t’ju jetë përgjithnjë mirënjohëse për dedikimin tuaj ndaj letërsisë dhe kulturës  shqiptare.  Edhe unë mendoj se jashtë çdo diskutimi, gjuha, historia, kultura, identiteti dhe qytetërimi shqiptar do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës. Por edhe shteti shqiptar, duke e ditur mirë se ju i jeni kushtuar albanologjisë pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë reciprociteti, pa asnjë detyrim palësh, e ndien për detyrë të nderojë punën dhe kushtimin tuaj”, tha znj. Nikolla.

Ministrja e kulturës Elva Margariti shprehu “Falenderime të përzemërta Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për këtë organizim madhor edhe në kushte të tilla pandemie, duke na dëshmuar edhe njëherë se shqipja, identiteti ynë janë ato konstante që do të na bënjë gjithnjë bashkë e nuk do të na tradhëtojnë kurrë, ashtu si ne, të gjithë së bashku duhet t’i ruajmë e t’i mbrojmë me fanatizëm nga presioni i globalizmit; nga presioni i gjuhëve ‘të mëdha’, nga vetë ne …”, duke u shprehur më tej se duhet të ruajmë atë që është e pakohë, përbashkuese, e shtrenjtë, e shenjtë! Ajo theksoi se ruajtja e pastërtisë së gjuhës që shoqërohet me procesin e pasurimit tregon mjeshtërinë e lartë dhe moralitetin e një kulture”.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja i cili falënderoi Akademinë e Shkencave për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe organizimin e këtij kuvendi të përbashkët me Akademinë e Shkencave të Kosovës.

Konferencën e përshëndetën edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Naser Sahiti; drejtori i Institutit Albanologjik Prishtinë, prof. Hysen Matoshi; prof. Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Histori-Filologjisë; Ministrja Arsimit znj. Evis Kushi.

Në emër të albanologëve të huaj që janë pjesmëmarës të këtij kuvendi si Pierre Cabanes, Francë;: Jose Manuel Floristan, Spanjë; Peter Schreiner, Gjermani; Maria Tereza Morelli, Itali; Irene Saëicka, Poloni; Leonardo Maria Savoia, Itali, etj,etj, ka përshëndetur studiuesja e njohur italiane Lucia Nadin.

Më pas ajo ka prezantuar temën “Venecia dhe Shqipëria: bilanci i studimeve dhe rrugët e kërkimit në të ardhmen”, ku e vë theksin në studimin e diasporës shqiptare mbi tokat e Serenissima-s, pas vdekjes së Skënderbeut.

Studiuesi francez i arkeologjisë Pierre Cabanes, është një pikë takimi mes dy kuvendeve ndërkombëtare të albanologjisë, ku për herë të parë ka ardhur në Shqipëri në Kuvendin e vitit 1972.

Në kumtesën e tij ai ka trajtuar çështjen  ekzistencës së një shteti ilir në antikitet. një temë e trajtuar shpesh tashmë. “Duke filluar me morinë e komuniteteve etnike në Ilirinë Jugore në shek. IV para Krishtit, dikush me të drejtë vë në pikëpyetje, ose jo, formimin e një shteti të vetëm ilir, krahas mbretërive të vogla të shumta ose shteteve lokale. Në shek IV p.K., Iliria Jugore ia doli të mblidhte ushtri të shkëlqyera, duke shkaktuar disfata për maqedonasit, si dhe molosët... Komunitetet etnike ruajtën marrëdhënie të ngushta në organizmin e jetës dhe për mbrojtjen e tyre kolektive nga shtetet fqinje.” , tha ndër të tjera Cabanes.

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike do të zgjasë deri në datën 27 nëntor.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?