Korpusi i Universitetit të Arteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Në kuadër të “Paktit për universitetin” tashmë ka nisur puna në hapësirat e kësaj godine, që është monument kulture i kategorisë së II, i ndërtuar në fund të viteve ’30 nga arkitektë edhe inxhinierë italianë. Arkitekti i Universitetit të Arteve, Besnik Spahiu na rrëfen se puna ka nisur edhe do të zgjat rreth dhjetë muaj, por kërkohet edhe një kujdes i madh në ndërhyrjet që do të bëhen, për shkak të vlerave që mbart
“Siç e shikoni sapo ka nisur puna për rikonstruksionin edhe restaurimin e UA-së. Është një restaurim që bëhet me të ardhurat e qeverisë shqiptare edhe UA-së. Është një restaurim, që do t’ju vijë në ndihmë studentëve edhe pedagogëve. Është rikonstruksioni i parë i plotë që bëhet në këtë godinë”, shprehet Besnik Spahiu, arkitekt i Universitetit të Arteve.
Kushtet elementare, që për vite të tërë studentët edhe pedagogët e këtij universiteti nuk i kanë pasur, tashmë do të përmirësohen. Ata nuk do të përdorin më batanije apo rezistencat për t’u ngrohur gjatë ushtrimit në instrumente gjatë muajve të dimrit
“Sistemi i ngrohjes dhe ftohjes do të funksionojë shumë mirë. Prandaj artistët nuk do të kenë më mungesë kushtet gjatë ushtrimit në instrumente”, shprehet arkitekti, Besnik Spahiu.
Në këtë ndërtesë janë zyrat e Rektoratit të Universitetit Arteve, zyrat e fakultetit të Muzikës dhe rreth 65% e ambienteve shërbejnë për klasa te Fakultetit të Muzikës. Fondi limit i akorduar për rikonstruksion është rreth 150 milionë lekë, ndërsa kohëzgjatja e kontratës parashikon një periudhë kohore 300 ditë (10 muaj) kalendarike që nga nënshkrimi i saj.