Nis zbatimi i Kodit / Etika, ja 40 gabimet që nuk duhet të bëjnë deputetët

11 Nëntor 2018, 08:34| Përditesimi: 11 Nëntor 2018, 15:51

  • Share

Falë presionit disavjeçar të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit në Këshillin e Evropës (GRECO), Byroja e Kuvendit, që në datën 27 shtator të këtij viti, i ka hapur rrugë zbatimit të Kodit Etik të Deputetëve, përmes hartimit dhe miratimit të një udhëzuesi të detajuar. Ky udhëzues plotëson me interpretim, shpjegim dhe me rregulla procedurale Kodin që rregullon dhe disiplinon sjelljen e deputetëve në Kuvend, por edhe në jetën private. Duke iu referuar Kodit Etik dhe udhëzuesit për shpjegimin e tij, Shqiptarja.com ka identifikuar 40 sjellje apo veprime që deputetë nuk duhet t’i bëjnë as në Kuvend dhe as në jetën private. Si Kodi Etik, ashtu edhe udhëzuesi, i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së ekuilibrit fizik dhe mendor të deputetëve. Dy dokumentet ndalojnë paraqitjen e deputetit në seancat plenare, komisionet parlamentare apo takime të ndryshme, nën efektin e alkoolit apo substancave narkotike. Gjithashtu, deputetët nuk duhet të përdorin stafin dhe pasurinë e Kuvendit për interesa personale. Kodi Etik ndalon deputetë që të marrin pjesë në tendera publike dhe që të posedojnë aksione në kompani të ndryshme me pozita dominuese në treg. Nuk mund të marrin pjesë në tendera dhe as të posedojnë aksione në kompani me pozita dominuese në treg as familjarët e deputetit, ku përfshihen fëmijët, prindërit dhe bashkëshorti ose bashkëshortja. Ligjvënësit duhet të kenë kujdes edhe sa i takon rasteve të konfliktit të interesit në mbrojtjen dhe votimin e ligjeve të caktuara. Ata nuk duhet të votojnë një ligj kur janë në konflikt interesi.

Dhuratat

Anëtarët e Parlamentit as nuk duhet të kërkojë dhe as nuk duhet të pranojnë dhurata që ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në paanësinë e kryerjes së detyrës. Ata duhet të deklarojnë në Kuvend dhuratën, duke specifikuar në veçanti emrin e dhuruesit, datën dhe rrethanat e marrjes së dhuratës, vlerën e përafërt etj. “Deputeti nuk duhet të kërkojë ose të pranojë dhurata, ose çfarëdo përfitimi tjetër të ngjashëm, si dhe premtime për to, për veten, familjen, të afërmit, personat ose organizatat me të cilat kanë marrëdhënie, që ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në paanësinë e kryerjes së detyrës, ose janë a duket sikur janë shpërblim për mënyrën e kryerjes se detyrës zyrtare. Në qoftë se ofrohet një përfitim i padrejtë, deputeti duhet ta refuzojë, pa pasur nevojë ta pranojë atë për ta përdorur si provë, të përpiqet që ta identifikojë personin që i bën ofertën, të shmangë kontaktet e gjata me personin që bëri ofertën. Në qoftë se dhurata nuk mund të refuzohet që t'i kthehet dërguesit, ajo deklarohet dhe dorëzohet sipas procedurës së parashikuar nga ky udhëzues”, thuhet në udhëzim.

Sekretet

Sipas Kodit Etik deputetët nuk duhet që të përhapin të dhënat sekrete, sensitive dhe konfidenciale, gjatë kohës së ushtrimit të detyrës, por edhe më pas. “Respektimi i parimit të ruajtjes së konfidencialitetit kërkon që deputeti të sigurojë mospërhapjen dhe konfidencialitetin për të dhënat që i janë bërë të ditura, kur ato përbëjnë “sekret shtetëror”, gjatë edhe pas mbarimit të ushtrimit të detyrës funksionale. Të përdorë dhe tё administrojë me përgjegjësi dokumentacionin, për të cilin merr dijeni për shkak të funksionit. Detyrimi për mbrojtjen, ruajtjen, mospërhapjen, si dhe konfidencialitetin, shtrihet gjatë edhe pas mbarimit të ushtrimit të detyrës. të dhënat personale dhe konfidenciale mund të përdoren vetëm nëse nevojiten për realizimin e detyrave funksionale dhe nuk duhet t’i përdorin për përfitim personal. Të marrë masa të parandalojë dhe të mbrojë rrjedhjen e informacionit, të të dhënave sensitive dhe konfidenciale, në zbatim të detyrimeve ligjore për mosnxjerrjen ose publikimin e informacionit”, parashikon udhëzimi.

Duke iu referuar Kodit Etik dhe udhëzuesit për shpjegimin e tij, Shqiptarja.com ka identifikuar 40 sjellje apo veprime që deputetë nuk duhet t’i bëjnë as në Kuvend dhe as në jetën private.

Alkooli

Dy dokumentet ndalojnë paraqitjen e deputetit në seancat plenare, komisionet parlamentare apo takime të ndryshme, nën efektin e alkoolit apo substancave narkotike

Sjelljet që nuk tolerohen për deputetët

Konsumimi i alkoolit ose i substancave narkotike ose psikotrope.

Ngacmimet seksuale ndaj koleges ose kolegut.

Kryeja e veprime ose gjestikulacione të pahijshme.

Përdorimi i telefonisë së lëvizshme ose mjete të tjera gjatë veprimtarisë parlamentare.

Pjesëmarrja në tenderat publike.

Zotërimi i aksioneve në shoqëritë tregtare me pozita dominuese në tregun e brendshëm.

Zotërimi i aksioneve në shoqëritë tregtare me pozita dominuese në tregun e brendshëm nga bashkëshorti/bashkëjetuesi, fëmijët e rritur dhe prindërit e deputetit.

Të kërkojë ose të pranojë dhurata që ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në paanësinë e kryerjes së detyrës.

Të mbajë kontakte me personin që bëri dhuratën.

Përhapja e të dhënave sekrete, sensitive dhe konfidenciale.

Fshehja e mbulimit të shpenzimeve nga një palë e tretë për udhëtime, strehim dhe qëndrim në një vend.

Përdorimi i stafit teknik të Kuvendit për përgatitje fjalimesh ose raportesh për angazhim personal politik.

Përdorimi i pasurisë dhe burimeve materiale të Kuvendit për nevoja vetjake.

Votimi i një ligji ose vendimi kur është në konflikt interesi.

Pengimi i veprimtarisë parlamentare.

Keqpërdorimi i të drejtës për replikë në funksion të qëllimeve të tjera që nuk kanë lidhje me

Vijimin normal të procesit parlamentar.

Pengimi i deputetëve të tjerë për të votuar duke përdorur presionin ose dhunën.

Votimi për llogari të një deputeti tjetër.

Përdorimi i gjuhës së pahijshme, fyese ose kërcënuese.

Ofrimi e modeleve të gabuara për qytetarët.

Nxitja e formave joetike ose të dënueshme për zgjedhësit.

Sjellje të paqarta dhe të dyshimta.

Diskriminim për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, orientimit seksual etj.

Përdorimi i një gjuhe të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës.

Sjellje që njollosin figurën morale dhe që cenojnë autoritetin dhe imazhin e tij para opinionit publik.

Publiciteti ose përdorimi mediatik për veprimtaritë joparlamentare.

Stil i papërshtatshëm veshje me funksionin publik të deputetit në seancë plenare, komisione dhe takime të organizuara.

Veshje që nuk ruajnë reputacionin e Kuvendit të Shqipërisë. 

Këmishë me mëngë të shkurtra dhe pantallona të rastit e të shkujdesura.

Aksesorë dhe stampa të dukshme.

Mjekër dhe flokë jo të rregullt në seancat plenare, komisione dhe takime.

Fundet e shkurtra për gratë, dekoltetë, veshjet pa mëngë.

Materialet sportive ose ekstravagante (xhinse, lëkura) ose ngjyrat e forta.

Këpucë me taka të lata mbi 7 cm, tualet i tepruar.

Parfumim i tepruar, aksesorë të mëdhenj dhe me ngjyrë të fortë.

Lyerja e thonjve, prerja e flokëve dhe përdorimi i ngjyrave, në mënyrë ekstravagante.

Dekolteja e dukshme, fustan mbrëmje.

Fustane të ngushta, fund mbi gju, fundet sportive, shapka plazhi.

Shpatulla jashtë, gjunjë të zbuluar.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shih shih: 11/11/2018 18:27

    Kete kodin e etikes e keni shkru cfare nuk duhet bere por mendjendriturit tone e kane kuptuar si 40 rregulla se cfare duhet te bejne bile duke bere dhe disa shtesa si prostitucion e droge dhe vjedhje me dhune apo te kamufluar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?