Kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur javët e fundit të shpallë pjesë të programit politik dhe ekonomik të Partisë Demokratike. Ka nisur gjithashtu edhe mbledhjen e disa tryezave me “ekspertë” ku shpalos dhe diskuton pjesë të këtij programi. Ndonëse këto takime janë shumë të vakta dhe tepër bajate, si nga përmbajtje, ashtu edhe nga fryma e diskutimit, dhe kjo shihet se sa pa interes e pret si publiku ashtu edhe media, gjithsesi ato duhen përshëndetur pasi sidoqoftë po shihet se Luli po shfaq shenja reflektimi për ta futur PD-në në hullinë normale të politikës.
Tematika që lideri i PD-së po shpalos u përket temave të mëdha të cilat dalin përtej fokusit vendor sepse i përkasin qeverisjes qëndrore. Nga ato që ai po ofron duket një përsëritje e fushatës parazgjedhore të vitit 2017 të cilën po na e rishërben pas dy vitesh. Kontradikta e madhe është se nga njëra anë ai nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, nga ana tjetër ka nisur një fushatë elektorale me teza të mëdha, që të kuptojnë të tijtë se së shpejti do të kemi zgjedhje të parakohshme.
Lulzim Basha është betuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe ato do të bëhen pa Edi Ramën kryeministër. Betohet ai, përbetohen me rradhë të tijtë, duke nxjerrë nga goja gjithfarëlloj mallkimesh kundrejt kryeministrit.
Më habit ky insistim i Bashës dhe të tjerëve për largimin e Edi Ramës, sepse nëse ka personazh politik që mund të shfaqë më shumë tolerancë dhe dorë bashkëpunimi ndaj opozitës, ai është pikërisht Edi Rama. Nuk bën vaki më që një kryeministër tjetër (socialist apo demokrat qoftë) t’i japë opozitës shumicën drejtuese në qeveri dhe, pasi e bën këtë, t’ia lërë në dorë asaj qeverisjen e vendit për gati 5 muaj duke mos shkelur për asnjë ditë në zyrë. Mos e besoni po deshët, por maj – shtator 2017 Shqipërinë e ka qeverisur opozita PD – LSI nën drejtimin e zonjës Mandia. Favor të tillë, aspak demokratik në këtë rast, vetëm Edi Rama mund ta bënte. Ama, kjo nuk mund të kthehet në mënyrë rutinore funksionimi. Ofrimi i këtyre lehtësirave në mënyrë të përsëritur tashmë del përtej dëshirave edhe të vetë Edi Ramës, sepse për gjëra kaq madhore, përfshi dhe negocimin e postit të kryeministrit sipas oreksit të PD-së, nuk e ka më ai në dorë, por Partia Socialiste.
Guximi politik dhe shpirti reformator që shpalos kryeministri Rama, janë armë të forta të tij të cilat i krijojnë besim në popull. Të bësh reforma të atilla, të cilat kanë fillimisht impakt negativ tek njerëzit, që mund të kushtojnë shumë nga pikëpamja elektorale, duhet ta kesh emrin Edi Rama që t’u dalësh për zot. Nëse ai do mendonte thjesht sot për sot, pa diskutim nuk do t’i hynte kurrë aventurave të tilla. Po pikërisht se ai beson se ajo çka sot është vuajtje, nesër do të jetë çlirim, i jep motivin për të qenë i vendosur.
Në Gjermaninë e vitit 1998 kancelar u bë socialdemokrati Gerhard Shrëder. Ai ndërmori një sërë reformash shumëplanëshe të cilat shkaktuan dhimbje e si pasojë, në vitin 2005, iu desh t’i lirojë vendin kancelares aktuale, kristiandemokrates Angela Merkel. Ajo pati fatin se reformat e mbjella 7 vite më parë nga Shrëderi, po i korrte ajo dhe këto fryte i dhanë mundësinë për të pasur sukses në qeverisjen e saj duke i siguruar një pushtet 14 vjeçar.
Mund të ndodhë që vështirësitë e reformave të sotme të Ramës, mund t’i korrë suksesshëm nesër një qeveri e djathtë në rast se ai nuk do të ketë mundësinë të qeverisë aq sa ato të japin efektin e tyre. Por, në ndryshim nga Gjermania ku kancelarja Merkel nuk u ra me shpatë në dorë reformave të nisura nga Shrëderi, Lulzim Basha sheh çdo gjë zi dhe kriminale tek reformat e Ramës, a thua se ai ka si qëllim që të bëjë sa më shumë të pakënaqur ndaj tij. Askund nuk dëgjon në artikulimet e Bashës mesazhin për t’i njohur diçka pozitive qeverisë, e cila do vijohej më tej prej tij po qe se do e kishte atë fat për t’u bërë kryeministër.
Kryeministri Rama, ishte ndër të vetmit, edhe brenda rradhëve të veta, që besonte se shtrëngimi i atyre që nuk e paguanin energjinë elektrike, për ta paguar medoemos, mund t’i sillte shtim votash. Demokratët, nga ana e tyre, e shihnin mospagesën si qokë për të marrë votat e atyre, pa e kuptuar se pjesa dërrmuese ndjehej e diskriminuar sepse ishte e detyruar për të paguar indirekt edhe diferencat e munguara në të ardhura pikërisht prej qytetarëve të pandërgjegjshëm. Kjo kulturë pagese që futi Rama pati dhimbje për shumë familje, ama efektet pozitive sot, do t’i ndjejnë nesër në pushtet edhe demokratët, gjithnjë me dyshimin s’e mos i kthehen sërish avazit të vjetër.
Kryeministri Rama me vendosmëri vuri ligjshmërinë në ndërtimet pa leje, ndërkohë që gjatë qeverisjes demokrate të dukej se ALUIZNI do ishte një agjenci me jetëgjatësi 100 vjet. Kjo për shkak se kontrolli mbi territorin mungonte tërësisht dhe vijonin ndërtimet pa leje të cilat toleroheshin për qoka votash, me mendimin se çdo 4 vjet do përdoreshin si premtim elektoral për hapje procesesh legalizimi.
Kryeministri Rama mbylli pa mëdyshje universitetet kioska që shpërndanin diploma me lekë, pa qenë kurrë student, model alla-Bossi. Demokratët, me tolerancën e tyre bënë me mastera mijëra analfabetë që vegjetonin në administratë duke u dhënë mundësinë kështu për të bërë karrierë më lart. E gjitha kjo sepse ata besonin se kështu shtonin rradhët e votuesve, pa kuptuar dëmin që i sillnin shoqërisë dhe çdo qeverisjeje të mëpasshme prej këtij pehlivanllëku politik që diskriminonte të aftin.
Dhe, në këtë frymë, ato çka mbjell sot, nuk është e thënë se do t’i korrësh me sukses nesër. Sepse fara (vendimi) mund të jetë i dështuar dhe jo vetëm s’të jep fryte, por të shton problematikat. Për shembull, mund të sjell faktin se demokratët në qeverisjen e tyre i ndërprenë specializimet në mjekësi. Kjo ndërprerje solli që spitalet dhe qendrat shëndetësore të kishin mungesë për mjekë specialistë. Kur socialistët erdhën në pushtet u gjendën përpara këtij boshllëku. Pasi i rihapen specializmet, iu desh të prisnin 5 vjet sa të kryhej specializimi, ama kjo periudhë përkthehej në kosto shëndetësore për pacientin, dhe politike për qeverinë.
Gjatë qeverisjes demokrate arsimi profesional ishte jashtë fokusit të vëmendjes. Si i tillë ai solli që një brez i tërë të rinjsh të mos profilizoheshin në zanate të caktuara të kërkuara nga tregu. Kjo mungesë vizioni pasojat i transmetoi më pas, gjë që përkuan kur po qeverisin socialistët. Ata e vunë në fokus qëndror, ama përgatitja e një brezi kërkon vitet e saj.
Lulzim Bashës mund t’i duket shëndetësia skëterrë, por pyetja është: A ishte mirë dikur dhe u përkeqësua sot, apo ishte keq dhe është përmirësuar por jo aq mjaftueshëm? Së paku, sa për të pasur një dozë realizmi, duhet t’i njohë qeverisë ndryshimin rrënjësor të një sërë spitalesh e qendrash shëndetësore tek të cilat kur hyn, nuk e beson se je në Shqipëri.
Kjo qeveri, nëpërmjet programit të kontrollit shëndetësor bazë ka futur kulturën e interesimit të popullatës mbi shëndetin dhe po krijon bazën e të dhënave në dy plane: informacion mbi gjendjen shëndetësore të popullit duke ditur në perspektivë se ku duhet të fokusohet shëndetësia; parandalimi i sëmundjeve apo avancimi i tyre nga kapja në kohë. Lulzim Basha e ka si betim përpara flamurit se Check Up-i do të jetë ndër të parët që do anulohet prej tij. As më shumë e as më pak, por një atentat ndaj shëndetit të popullit me efekt negativ afatgjatë.
Qeverisja demokrate e la sektorin e turizmit në gjendje spontaniteti, pa asnjë perspektivë zhvillimi, kurse për agroturizëm jo që nuk bëhej fjalë, por që as njihej si term debati. Kurse sot ky bum turistësh, që tashmë shtohen vit pas viti dhe që po vitalizojnë edhe zona që iu ishte harruar emri, janë bazë e shëndoshë për vitet në vijim. Pa përmendur këtu markat më të njohura hoteliere të botës që po e përzgjedhin Shqipërinë si destinacion me interes investimi. Pjesë mbështetëse në këtë drejtim ka shërbyer edhe programi kombëtar i Rilindjes Urbane dhe asaj Rurale me 100 fshatrat, që po u kthen shkëlqimin qyteteve prej një rrënimi 20 vjeçar dhe ku qeverisja e djathtë nuk vuri kurrë dorë, por i la të degradojnë dalëngadalë si në një vdekje klinike.
Lulzim Basha premton financime 100 milionë euro në bujqësi dhe anashkalon faktin që të tilla financime ka disa vite që aplikohen me fondet e BE-së. Në ndryshim nga sot që gjithçka bëhet me një procedurë standarde e të dokumentuar, premtimet e Lulit janë për rikthimin e rrumpallës në dhënien e fondeve, pa dokumentacion, që me ato fonde të bëhet politikë (e korrupsion) dhe të përdoren si mjet presioni apo miklimi ndaj fermerit për të siguruar vota elektorale.
Thënë të gjitha këto, pa e zgjatur më tej, nuk pretendoj se qeverisja e Edi Ramës ka shkëlqyer në të gjithë dimensionet e saj. Kush punon edhe gabon, thotë një shprehje kuptimplotë. E rëndësishme është që vetë kreu i ekzekutivit është i ndërgjegjshëm dhe reflektues ndaj çdo problematike që i shfaqet dhe jo vetëm nuk i bishtnon, por përballet me të për t’i dhënë zgjedhje. Një shembull sinjifikativ ishte edhe situata me protestat studentore ku vetë kryeministri u doli për zot shqetësimeve shumë të drejta të tyre, bile tregoi zell të shtuar për të bërë gjëra të mira më shumë se sa iu kërkua.
Janë pikërisht këto faktorë të cilët ndikojnë që Edi Rama të shihet si alternativa më e besueshme nga shumica e popullit, sepse personaliteti i tij vizionar që projekton Shqipërinë e së nesërmes, pa qenë peng i së shkuarës, ofron më shumë shpresë për të ardhmen. Kurse Lulzim Basha, në vijim të qokave për vota, është gati të zhbëjë çdo arritje të deritanishme, për të na kthyer prapa në kohë, tek modeli i shtetit rrumpallë të Berishës dhe modeli gjumash i bashkisë së Bashës, me premtime pa logjikë ekonomike dhe të rrezikshme për trendit rritës të ekonomisë. Është pikërisht kjo mungesë serioziteti që ia pamundëson atij rritjen në elektorat, i cili nuk është aq budalla sa t’i varë fatet e veta, tek një dritëshkurtër si Lulzim Basha.