Të dyja palët në konflikt në PD prej mëse 1 viti e gjysmë kanë ngritur një furtunë debatesh lidhur me “vulën” dhe simbolet e PD! Pra, të drejtën e përfaqësimit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit. Por a varet realisht rezultati i zgjedhjeve nga fakti se kush përfaqëson zyrtarisht PD?
Rezultati i zgjedhjeve është përballje mes mazhorancës dhe opozitës, ose më mirë votave të atyre që janë në pushtet përballë votave të popullit opozitar! Nëse populli opozitar shfaqet në kutitë e votimit më i shumtë në numër se populli në mazhorancë, pak rëndësi kanë vula dhe simbolet! PD fitoi zgjedhjet e 22 marsit 1992 vetëm 1 vit e gjysmë pas themelimit përballë PS-se 51 vjeçare! Dhe fitoi jo prej vulës por për atë çfarë përfaqësonte, premtonte!
Nëse Rithemelimi dhe krahu Basha-Bardhi-Alibeaj mendojnë se vula të bën fitues të zgjedhjeve mos të harrojnë se fatkeqësisht për popullin opozitar, nga viti 2013 deri në 6 mars janë humbur të gjitha betejat elektorale! Me vulën e PD dhe me kryetare Berishën dhe Bashën! Bashkë ishin dhe humbën! Të ndarë humbën në 6 mars akoma më thelle jo për shkak të vulës por për shkak të përçarjes dhe hipokrizisë që i mbajti “bashkë” 10 vite!
Ndaj mos të lodhen për vulën por për të krijuar besim, optimizëm dhe frymë të fitores! Përndryshe debati për “vulën” është një justifikim banal për pafuqinë e opozitës për të justifikuar humbjen përballë një mazhorance të stërlodhur dhe që prej 6 vitesh rrotullohet në vend!